ENA dhe Akademia Diplomatike organizojnë trajnim për diplomaci ekonomike dhe publike
“Trajnimi i bashkëorganizuar nga ENA franceze dhe Akademia Diplomatike e Kosovës është një mundësi e mirë që diplomatët e Kosovës të mësojnë nga përvojat më të mira franceze në fusha me rëndësi si ekonomia dhe marrëdhëniet me publikun. Bashkëpunimet e tilla thellojnë tutje marrëdhëniet bilaterale”, kështu ka thënë
Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, ka thënë se i gëzohet faktit që ENA dhe Franca mund të kontribuojnë në përforcimin e aftësive dhe trajnimin e diplomatëve të Kosovës.
Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, Sabri Kiçmari, ka vlerësuar lartë bashkëorganizimin e këtij trajnimi me ENA-n dhe ambasadën franceze, edhe në kushtet e pandemisë. “Në të ardhmen do të shohim edhe më shumë aktivitete e shkëmbime të përbashkëta me Francën”, ka deklaruar Kiçmari.
Ambasada e Francës, Shkolla Kombëtare e Administratës (ENA) dhe Akademia Diplomatike e Kosovës kanë organizuar dy ditë trajnim dhe shkëmbim mes diplomatëve kosovarë dhe ekspertëve të ENA-s, më 24 dhe 25 gusht.
Ky aktivitet dyditor u zhvillua në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Akademisë Diplomatike dhe ENA-s, nënshkruar në vitin 2016.
Kjo marrëveshje strukturon bashkëpunimin e ndërsjellë, veçanërisht kontributin në fushën e trajnimit të diplomatëve të Kosovës.