‘Enciklopedia imagjinare’ është më shumë një libër i simboleve sesa i personazheve

12 dhjetor 2024 | 18:08

Profesori, studiuesi, poeti dhe prozatori Bajram Kosumi, të mërkurën ka qenë mysafir në edicionin V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, me të cilin organizatorët dhe të pranishmit kanë zhvilluar një bashkëbisedim. Ai, i pyetur nga moderatori, studiuesi Flamur Maloku, se cilat janë disa nga figurat ose karakteret që paraqiten te “Enciklopedia imagjinare” dhe cilat janë rolet e tyre, është përgjigjur: “Enciklopedia mbizotërohet prej imazheve dhe prej ngjarjeve të cilat shndërrohen në simbole. Karakteret janë të dorës së dytë. Enciklopedia është më shumë një libër i simboleve sesa i personazheve. Ani pse ka, ndoshta, rreth një mijë personazhe, pika ime hulumtuese, point of wiuv, nuk janë ata, por një a më shumë bëma të tyre, të cilat paraqesin një esencë jetësore, e cila në fund shndërrohet në simbol.

Te narracioni i tërëmundshëm nuk është thelbi te personazhet dhe te karakteret e tij, por te ngjarjet, të cilat mund të jenë të përsëritshme në rrethana të ndryshme, në kohë e hapësirë të ndryshme, por përsëritja ndodh për ta arritur nivelin e krijimit të simbolit nga ajo ngjarje, një proces që mund të quhet simbolizim i procesit historik.

Për shembull, te zëri Paga shqiptare janë disa personazhe të cilat luajnë të njëjtin rol në kohë dhe në hapësirë të ndryshme, kanë të njëjtin fillim, të njëjtin fat dhe të njëjtin përfundim. Nuk është heroi i tregimit Ismail Bej Vlora, nuk janë heronjtë as rreth pesëqind krerë shqiptarë të masakruar në Manastir, nuk është heroi as Çelo Picari (Ilaz Poda, Zenel Gjoleka), edhe pse ata portretizohen si heronjtë e narracionit. Në vend të heroit që e mbizotëron narracionin, aty ka ngjarje, e cila përsëritet nga njëri hero te tjetri, në të njëjtat forma e përmbajtje, ani pse në kohë e në hapësirë të ndryshme, dhe kjo përsëritje rezulton me krijimin e simbolit të quajtur “paga shqiptare” dhe, për ta shtuar kontinuitetin historik, janë vënë edhe emrat në gjuhë të tjera dominuese te shqiptarët në periudha të ndryshme historike. Krejt kjo rezymohet te një ide: lufta e shqiptarëve nëpër histori nuk paska qenë gjithmonë për ideale të larta, por për grada dhe para, idealet janë përdorur vetëm për të kamufluar këto interesa të vogla të prijësve për t’i vënë para topit masat e gjëra të popullatave.

Te ky narracion është i rëndësisë së pari vetë struktura e diskursit, konstruktimi dhe dekonstruktimi i tij.

Me teknikën e simbolizimit të procesit historik dhe me strukturën e diskursit nuk po dua të them se kam afërsi me strukturalistët, edhe pse shumë ide të tyre janë thelbësore për studimin e letërsisë”.

Disa pjesë nga bashkëbisedimi me të i gjeni në llogarinë e gazetës Gazeta “Epoka e re” në “Facebook”. Të tjerat video nga bashkëbisedimi me të do t’i publikojmë deri nesër në këtë kohë./Berat Armagedoni/Epoka e re/
Fotografinë: Zjarr Bujari

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoresha ‘Kosova Global Talent Center’, Merita Aliçkaj Lezi i është…