Ende asnjë votë nga diaspora nuk ka arritur në Kosovë
35 mijë e 87 qytetarë nga Kosova të cilët jetojnë në shtetet e ndryshme të botës do të votojnë për zgjedhjet e 6 tetorit.
Ndonëse kanë kaluar pesë ditë që kur edhe zyrtarisht ka filluar votimi përmes postës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ende nuk ka ardhur asnjë fletëvotim.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e ka konfirmuar këtë për “lajmi.net”.
“Ende nuk kanë filluar të arrijnë fletëvotimet përmes postës”, ka thënë Elezi.
Ai ka thënë se kjo nuk do të thotë se qytetarët të cilët kanë aplikuar nuk kanë votuar, por që siç është shprehur në KQZ akoma nuk ka arritur asnjë fletëvotim.
Duhet theksuar se votimi me postë ka filluar më 19 shtator dhe do të zgjasë deri më 5 tetor.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit kanë qenë 40 mijë e 313 aplikacione për regjistrim që janë pranuar dhe proceduar, por që janë aprovuar vetëm 35 mijë e 87 aplikacione pasi që 5 mijë e 226 aplikacione janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara me ligj.