Ende ka pengesa burokratike mes Shqipërisë dhe Kosovës
Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë vlerësohet se kanë shërbyer për forcimin e marrëdhënieve, sidomos në fushën e ekonomisë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minoxhzi, ka thënë se në vitin 2019 dy vendet kanë shkëmbyer rreth 300 milionë euro mallra.
Minxhozi e ka vlerësuar këtë si hap përpara, por ka thënë se ende ekzistojnë pengesa burokratike dhe zvarritje të marrëveshjeve. “Kemi pasur një lajm të gëzuar siç ka qenë probleme i interksionit të energjisë elektrike që është një arritje e përbashkët. Të dy vendet përfitojnë nga ky projekt i ri, i cili do të dërgojë përpara në këtë fushë të rëndësishme vitale të zhvillimit të ekonomisë, kryesisht të Kosovës. Këto marrëveshje kanë shërbyer për forcimin e marrëdhënieve, sidomos në fushën e ekonomisë. Shqipëria dhe Kosova vitin e kaluar kanë shkëmbyer edhe 300 milionë euro mallra. Nga 160 sa ka qenë në vitin 2016, kemi një hap përpara”, ka thënë për Ekonomia Online.
Ai ka shprehur mendimin se ka ende pengesa burokratike dhe zvarritje ndërmjet dy shteteve.
“Ne nuk jemi të kënaqur. Mundësitë janë për më tepër. Ende ka pengesa burokratike, ka zvarritje, nuk ka qartësi në problematika të ndryshme që ka të bëjë me shkëmbimet midis nesh, por nuk mund të themi se nuk ka pasur rezultat. Ne synojmë më tepër dhe duhet të këmbëngulim më tepër”, ka thënë Minxhozi.
Ambasadori shqiptar ka folur edhe për bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjatë kohës së pandemisë, të cilin e ka vlerësuar të mirë, veçanërisht në importin dhe eksportin e mallrave.
Minxhozi ka shtuar se gjatë kësaj kohe kufiri ka qenë i hapur për disa biznese, nëpërmjet të cilave kanë arritur të shkëmbehen mallrat bazike. “Të dy doganat kanë protokoll të rëndësishëm bashkëpunimi, njëra me tjetrën dhe nuk kanë pasur probleme. Tani në Shqipëri është koha e perimeve e cila ka shkuar normalisht. Edhe nga Kosova ka pasur eksporte në drejtim të Shqipërisë, sidomos me patate. Krahasuar me vitin e kaluar, nuk mund të vejmë në peshore, sepse ka qenë situatë ndryshe por, gjithsesi, mallrat bazike kanë arritur të shkëmbehen”, ka shtuar ai.