Ende kemi shumë rrugë për të bërë
Letër dashurie e John Lennonit për Yoko Ono
Kjo është një prej letrave fantastike të dashurisë që këngëtari John Lennon, këngëtari legjendar i Beatlesit, i shkroi gruas së vet Yoko Ono
Në dhjetë vjetët e fundit kemi vërejtur se gjithçka që dëshironim realizohej në kohën e duhur, e mirë apo e keqe, në një mënyrë apo në një tjetër. Ne vazhduam t’i thoshim vetes se një nga këto ditë do të duhej të organizoheshim dhe të dëshironim vetëm gjëra të mira. Pastaj fëmija ynë arriti. Ne ishim shumë të lumtur, në të njëjtën kohë ndiheshim shumë të përgjegjshëm. Dëshirat tona do të kishin ndikuar edhe tek ai, gjithashtu. Menduam se ishte koha të përfundonim me diskutimet dhe të fillonim t’i shqyrtonim mekanizmat e dëshirave tona: Pastrimin e pranverës së mendjeve tona! Ishte një punë e madhe.
Na ndodhte të gjenim gjëra në dollapët e vjetër të mendjes sonë, gjëra që nuk e dinim se i kishim ende, gjëra që do të kishim shpresuar të mos i gjejmë më. Duke bërë pastrimin, filluam të vërejmë shumë gjëra që nuk shkojnë në shtëpinë tonë: ishte një raft që kurrë nuk duhet të kishte qenë aty ku ishte, një pikturë që filloi të mos na pëlqente më dhe ishin dy dhoma të zymta të cilat u bënë të ndritshme dhe të ajrosura kur rrëzuam muret që i ndanin. Filluam t’i duam bimët. Paramendo, në fillim ishim të bindur se bimët do ta vidhnin ajrin tonë! Filluam ta vlerësojmë ritmin e nxehtë të qytetit që zakonisht na shqetësonte. Bëmë shumë gabime dhe ende bëjmë. Në të kaluarën shpenzuam shumë energji duke u përpjekur të merrnim diçka që menduam se donim, pyesnim pse nuk mund ta merrnim, që më pastaj zbuluam se njëri ose të dy nuk e dëshironin atë gjë më të vërtetë. Një herë morëm një breshër çokollate nga njerëzit nga mbarë bota. “Hej, çfarë është kjo gjë? Ne nuk hamë gjëra të ëmbla! Kush ishte ajo/ai që e dëshironte?” Filluam të qeshim. E zbuluam që kur të dy donim një gjë, realizohej më shpejt. Siç thotë “Bibla”, “aty ku janë dy të bashkuar në emrin tim”. Është e vërtetë. Dy janë shumë. Një farë e pastër e pastrimit.
Kemi filluar gjithnjë e më shumë të dëshirojmë dhe të lutemi. Gjërat që kemi kërkuar t’i pushtojmë në të kaluarën duke bërë shenjën e paqes, tani përpiqemi t’i arrijmë nëpërmjet dëshirës. Nuk e bëjmë sepse është më e thjeshtë. Dëshira është më efektive sesa valëvitjet e flamujve. Funksionon. Është si një magji. Magjia është e thjeshtë. Magjia është e vërtetë. Sekreti është të dimë se është e thjeshtë dhe jo ta vrasim me ritualet e përpunuara në shenjë të pasigurisë. Kur dikush është i zemëruar me ne, ne tërheqim një aureolë rreth kokës së tij në mendjen tonë. Dhe ai ndalet së zemëruari me ne? Epo, askush nuk e di. E dimë, megjithatë, që pasi kemi vizatuar aureolën rreth kokës së tij, papritmas për ne ai fillon të duket si një engjëll. Kjo na ndihmon të ndiejmë afërsi ndaj njerëzve, na bënë të kujtojmë që të gjithë njerëzit e kanë mirësinë e tyre përbrenda dhe se të gjithë njerëzit që vijnë tek ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata dhe mesazhe nga universi. Magjia është logjike. Provojeni ndonjëherë.
Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Duket se sa më shumë që pastrojmë, aq më shpejt funksionon procesi i dëshirave dhe realizimeve. Shtëpia tani është bërë shumë e rehatshme. Sean është shumë i bukur. Bimët rriten. Macet mjaullijnë. Qyteti shkëlqen, pavarësisht nëse ka diell, shi apo borë. Ne jetojmë në një univers të bukur. Jemi mirënjohës çdo ditë për plotësinë e jetës sonë. Kjo nuk është një tallje. Ne e dimë se qyteti, vendi, toka po përballen me kohë shumë të vështira që frymëzojnë terror. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende së bashku dhe midis nesh ka dashuri, gjithashtu në qytetin tonë, në vend, në tokë. Nëse dy njerëz si ne po bëjnë në jetët e tyre atë që po bëjmë ne, çdo mrekulli është e mundur! Vërtet, në këto çaste do të na ishte komode një mrekulli e madhe. Çështja është t’i njohësh kur të vijnë dhe të jeni mirënjohës. Së pari manifestohen në një formë të reduktuar, në jetën e përditshme, pastaj vijnë si lumenj, si oqeane.
Do të bëhet mirë! E ardhmja e tokës është në duart e të gjithë neve.
(Përktheu nga anglishtja: Leonora Buçinca. Marrë nga revista “Akademia”)