Ende nuk dihen shkaqet e helmimit në Deçan
Fluksi i qytetarëve të Deçanit për të kërkuar ndihmë mjekësore nga helmimi ka vazhduar edhe në 24 orët e fundit.
Ndonëse kanë kaluar katër ditë nga shfaqja e helmimeve të para, ende nuk dihet shkaku i helmimit nga i cili deri më tani janë prekur mbi 1 500 qytetarë të kësaj komune. Institucionet kanë bërë me dije se janë duke bërë maksimumin për gjetjen e shkaktarit kryesor të helmimit.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka bërë me dije të mërkurën se është marrë vendim për të kryer analiza shtesë të disa mostrave të pacientëve të helmuar ditë më parë në Deçan.
Gjatë mbledhjes së qeverisë ai ka thënë se duhen analiza specifike për ta gjetur shkaktarin e helmimit. “Sot janë përgatitur edhe një numër mostrash të cilat shumë shpejt priten të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike, të cilat nuk mund të kryhen në Kosovë”, ka thënë Vitia. Sipas tij, situata tani është më e qetë dhe ka më pak fluks të pacientëve që po kërkojnë ndihmë, shkruan “Epoka e re”.
Kurse zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili në mungesë të kryeministrit Albin Kurti e ka udhëhequr dje mbledhjen e qeverisë, ka thënë se qeveria dhe institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë disa veprime në lidhje me situatën e krijuar pas dyshimeve për helmim në Deçan.
“Agjencia e menaxhimit të emergjencave i është ofruar me shërbime të furnizimit me ujë të pijshëm komunës së Deçanit dhe çdo gjë tjetër të nevojshme në fushën që mbulon agjencia dhe vazhdon të jetë në dispozicion nëse kjo kërkohet nga komuna e Deçanit”, ka thënë Bislimi.
Ai ka treguar kur është njoftuar qeveria për helmimet në Deçan.
“Më 11 korrik, të dielën, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar raportin nga IKShPK-ja për një numër të banorëve nga disa fshatra të komunës së Deçanit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Deçan me ankesa shëndetësore që pas trajtimit janë udhëzuar për trajtim shtëpiak. Të gjitha hapat e nevojshëm në hulumtimin e burimit të helmimit janë ndërmarrë menjëherë të dielën në mëngjes. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet që po vazhdojnë punën në mënyrë aktive bashkë me ekipet e Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës. IKShPK-ja vazhdon hulumtimin në terren dhe grumbullimin e anketave epidemiologjike nga të prekurit dhe familjarët e tyre dhe raporton në vazhdimësi”, ka thënë Bislimi, duke treguar për ndihma që i ka ndarë qeveria. “Kontingjenti i parë i barnave ka arritur dje në mbrëmje dhe materiale të tjera shpenzuese të domosdoshme për tejkalimin e situatës. MSh-ja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore atje për çdo nevojë shtesë”, ka thënë Bislimi.
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se numri i qytetarëve të Deçanit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga helmimet deri me tani është mbi 1 500.
Në një konferencë për media ai ka treguar se analizat kimike dhe biologjike që i ka bërë IKShPK-ja kanë treguar se uji është i pastër. Ramosaj ka të thënë se është i interesuar që kjo çështje të sqarohet deri në fund.
“Dje kemi marr analizat nga IKShPK-ja të cilat rezultojnë se uji i pijes në aspektin kimik dhe biologjik është i përdorshëm dhe është i pastër, mirëpo ende duhet të bëhen analiza shtesë për gjetjen e faktorëve dhe shkaqeve se pse ka ardhur gjithë ky infeksion. Ne jemi të interesuar që kjo çështje të trajtohet dhe të sqarohet deri në fund, sepse qytetarët e kësaj komune e kanë të drejtën të dinë se pse ka ndodhur kjo”, ka deklaruar Ramosaj.
Ai ka përmendur që në qershor të këtij viti autoritetet janë përballur me një rast të ngjashëm. “Ne kemi pasur një situatë të tillë në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor, me banorët e fshatit Krushevc, që është fshat i Pejës, por që furnizohet nga një burim i ujit që është nga Deçani. Kemi ftuar në takim Hidrodrinin dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe brenda ditës ata na kanë dhënë një analizë kimike që uji është në gjendje të rregullt, kurse më vonë kemi pranuar edhe analizën biologjike dhe na kanë raportuar që uji është 100 për qind në rregull”, ka thënë Ramosaj.
Sipas tij, ky rast ka mbetur i izoluar, meqë më pas nuk ka pasur shqetësime të tjera, mirëpo ka rritur vëmendjen për situatën e krijuar këtë muaj. “Kjo gjë na bën që të jemi më të fokusuar dhe më të përkushtuar, që këto analiza të jenë më të detajuara, më të thella, që ta kuptojmë se a ka ndodhur kjo gjë nga uji”, ka deklaruar ai.
Më 13 korrik Deçani ka shpallur gjendje emergjente për shkak të helmimit masiv të banorëve të kësaj komune. Po të njëjtën ditë ujësjellësi “Hidrodrini” ka njoftuar qytetarët që furnizohen me ujë nga ky ujësjellës rajonal, se uji është i sigurt.
“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit përbëjnë shqetësim të lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, ka thënë përmes një komunikate për media Ujësjellësi Rajonal “Hidrodrini”.
“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun