Ende nuk dihet kostoja e heqjes së roamingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD) që parasheh heqjen e roamingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Rezoluta e miratuar parasheh që Qeveria e Kosovës në kuadër të integrimit ekonomik me Qeverinë e Shqipërisë t’i nisë procedurat për heqjen e tarifës së roamingut në telefoninë mobile ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve.
Kjo rezolutë parasheh themelimin e një komisioni të përbashkët Qeveri – Kuvend për t’i nisur bisedimet për eliminimin total të tarifave të roamingut në Kosovë dhe Shqipëri.
Sipas kësaj rezolute, anëtarët e Kuvendit në këtë komision janë përfaqësues të secilit grup parlamentar në legjislaturën aktuale.
Autoriteti Regullativ i Komunikimeve Telefonike dhe Postare të Kosovës dhe ai i Shqipërisë duhet të përkujdesen për implementimin e kësaj marrëveshje.
Po ashtu, kërkohet të thellohet bashkëpunimi në fushën e komunikimeve elektronike, me theks të veçantë në shërbimin e trafikut të internetit drejtpërdrejt nyjave shkëmbyese të internetit të dy vendeve.
Komisioni i përbashkët duhet të raportojë në Kuvend për arritjen e marrëveshjes dhe ecurinë e heqjes së tarifave jo më larg se dy muaj pas miratimit të kësaj rezolute. Lidhur me këtë rezolutë ka folur kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rezoluta për heqjen e roamingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisëmund të fillojë së zbatuari vetëm pas marrëveshjes dypalëshe të ministrive përkatëse të dy shteteve.
“Rezoluta për heqjen e raomingut në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mund të zbatohet pas marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e cila arrihet në këtë rast nga dy ministritë respektive që mbulojnë fushën e telekomit”, ka thënë Gashi.
I pyetur nëse do të duhej të kishte paraprakisht pajtim mes operatorëve, Gashi ka thënë se rezoluta e miratuar në Kuvend shpreh vullnetin e institucionit më të lartë ligjvënës në shtet për një çështje të caktuar siç është heqja e roamingut dhe bashkëpunimi me Shqipërinë në fushën e komunikimeve elektronike.
Ndërkaq sipas tij, operatorët do të konsultohen për aspekte të implementimit të marrëveshjes nga ministritë përkatëse gjatë procesit të pajtimit të hollësive teknike të zbatimit.
Sa i përket çështjes së kostos financiare të implementimit të kësaj rezolute, Gashi ka thënë se ende nuk është bërë ndonjë studim lidhur me heqjen e roamingut në mes të dy shteteve.
“Nuk është bërë ndonjë studim në lidhje me heqjen e kostove të roamingut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por me gjithë kostot fillestare që mund të kenë operatorët,përfitimi për qytetarët e të dy vendeve nga heqja e roamingut është mjaft i madh për shkak të numrit të madh të lëvizjeve si dhe është në pajtueshmëri me trendin e zhvillimeve në rajon dhe në Bashkimin Evropian”, është shprehur ai.
Ndërsa eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës është një vendim i duhur dhe i mirëpritur për qytetarët e të dyja shteteve, pasi çmimet aktuale janë të larta.
“Rezoluta është vendim shumë i duhur për qytetarët dhe bizneset në të dy shtetet. Kjo rezolutë është në pajtim me trendët e zhvillimeve në EU, pasi edhe atje u hoq tarifa roaming mes shtatëve të EU-së”, ka thënë Dida. Sipas tij, vendim të njëjtë duhet të marrë edhe Kuvendi i Shqipërisë.
“Këtë vendim duhet ta marrë edhe Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë që rregullatorët e Telekomit të mund të sajojnë rregulla të reja të komunikimit për operatorët sipas kërkesave të kuvendeve përkatëse. Çmimet aktuale janë të larta dhe duhet të rregullohen”, është shprehur Dida.