Ende pa marrëveshje për ndërprerjen e grevës në arsim
Ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe mësimdhënësve për ndërprerjen e grevës në arsim. Greva e mësimdhënësve në të gjitha nivelet arsimore ka hyrë të ditën katërt.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ende nuk ka plotësim të kërkesave të mësimdhënësve dhe se greva po vazhdon në të gjitha nivelet arsimore.
Sipas tij, greva në arsim do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave për ngritjen e koeficientit në Ligjin e pagave.
“Deri më tani nuk e kemi asnjë ofertë konkrete as nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe as nga Qeveria e Kosovës. Kanë thënë se do të bëjnë angazhime për të ndryshuar koeficientin, por nuk kanë dhënë asnjë shifër. Qëndrimi jonë është që minimumi i koeficientit të pagës të rritet në 30 për qind për të gjithë të punësuarit në të gjitha nivelet arsimore”, ka thënë Jasharaj.
Projektligji për pagat aktualisht është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë për miratim në njërën nga seancat e para të Kuvendit.
Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit para-universitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve. Ndërkaq numri i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.