Ëndërr e prerë e Patrikut të lirikave
Ragip Gjoshi
Ëndërr e prerë e Patrikut të lirikave
(Adem Gashit në ditën e vdekjes)
1.
Paska marrë udhëtimin e fundit Adem Gashi
Paska braktisur Lagjen e Shkrimtarëve
Ai është gjallë, vdekja s’është fjalë e tij e fundit
Ai i këndoi guximit, lavdisë dhe lirisë
Ai qëndroi përballë stuhive e furtunave
Ai kapërceu labirintet e moteve të jetës
Ai me penë u bëri ballë vetëtimave të moteve
Ai fjalëzgjedhuri – mjeshtri i vargut shqip
Ai që ndjeu dhimbje për Vdekje t’Migjës
Paska kaluar në faqen e stinën tjetër të jetës!
Lajmi i kobshëm ma shpalosi kujtesën e Ditarit të jetës
Kur në kafenenë e tij të pëlqyer Edi 2 rrinim ballë për ballë
Zbraznim kupa e trazonim halle
Shprushnim ëndrrat e fillores në Komoran
Kujtimet për mësuesin e poetin Ymer Elshani
Për Normalen e universitetin e katundarëve
Përmendim edhe prangat që na i kishte vënë shekulli
Edhe kur bridhnim kuturu dhe mbanim orë letrare
Edhe kur ëndërronim të bëheshim si Naimi e Migjeni…
E sot qenka këputur ëndrra e Patrikut
Pëllumbi i këngës iu paska bashkuar janarëve
Janarit iu shtua dhe një dhembje e madhe
Janari këputi një ëndërr, këputi poezinë e djegur
Po Ademi hyri pa ombrellë në panteonin e lirikëve.
2.
Kthimin e ka nëpër raftet e bibliotekave
Ai që në rrebeshe nuk ishte zog i vetmuar
Ai që në letër vizatonte autoportretin
E kur ishte zë i vetëm bëhej vetë këngë
Vargjet më erdhën me ritme të dhimbjes
Një lis qëndrestar përballë furtunave qenka rrëzuar
Rrëzë maleve të Drenicës, Nekoci është pikëlluar
Atdheu i letrave u mbush me dhimbje letrare
Janari i dhimbjeve u pikëllua me kujtesë krenare
Për poetin që maste në shpirt peshën e çdo fjale…
3.
Ai që me këngë dëshmorët i çonte në këmbë
Ai që nëpër lirika e në prozë robërinë ka shemb
Ai që në rreshta të UÇK-së Ademin vendosi në ballë
Ai që la këngë e fjalë, me letërsi mbetet i gjallë…
Vargjet amanet, sofër buke e të uriturve për lirikë
Fjala e poetit ushqim në ëndërr, ankth dhe shpresë
Siç dritëroi vetë dhe në errësirë të Natës së gjatë
Këngën kishte pushkë e ngrehur e varr i hapur
Një jetë drejt lirisë e drejt (ri)lindjes…
Asnjëherë kurrizpërkulur, asnjë gjëmë prej tij
Asnjëherë gurrështeruar, as Lum i vdekur
Lum poeti çfarë vdekje, kurrë vargpërndjekur
Vargmalet e Drenicës ndien dhimbje për poetin
Kosova hyjnore varrosi të pavdekshmin e vargut
Shqiptaria ndjeu dhimbje për Patrikun e lirikave!
Drenicë, më 16 janar 2024
Poshtëshënim:
Pas njoftimit të mikut tim Berat Dakaj në “Facebook” për vdekjen e Adem Gashit dhe pas kumtit nëpër medie për ikjen e kalorësit të fjalës artistike, artistikisht shpreha dhimbjen për robin e lirikave që paska ndërruar jetë e fituar pavdekësinë mes nesh!