Ëndrra duhet të paguajë tagrin e vet!
Bedri Zenel Islami
(Për Mustafa Nanon dhe dëshirën e tij që shqiptarët një ditë të shikonin serbët ashtu si shohin italianët)
Mirëdita, Mustafa!
Shumë vite më parë, njëri ndër politikanët dhe filozofët më të shquar shqiptar të shekullit të shkuar, Ukshin Hoti, në janarin e vitit 1992, në dyvjetorin e vrasjeve që kishin ndodhur në fshatin Brestovc do të shkruante, pikërisht lidhur me temën e fundit në dialogun tuaj me gazetarin serb Zoran Panoviç, pra, dëshirën Tuaj, që në vetvete është e natyrshme, që shqiptarët të shkonin aq mirë me serbët, sa shkonin edhe me italianët, “Shpirti i shqetësuar kishte konstatuar me hidhërim: “Si ka mundësi vallë që mendja e njeriut të zbresë në nivelin e bishave?”
Nuk e kam njohur Ukshin Hotin, nuk e kam takuar kurrë. Kam njohur disa nga miqtë më të afërt të tij, disa nga të cilët më pas u bënë heronjtë e Kosovës. Ukshin Hoti ishte një njeri me shpirt të gjerë, jashtëzakonisht human i cili kishte kaluar jetën në dy rrugë krejtësisht të ndryshme, njëra nga të cilat do të ishte edhe fundi i tij: nëpër bibliotekat e botës, ku ishte ngulur gjatë në sallat dhe auditoret e Harvardit, më shumë si mësimdhënës dhe, tjetra, në burgjet serbe.
Kishte qenë i burgosuri politik më i njohur shqiptar për vetë pozitën dhe mendjen e tij. E vranë po atë ditë që e nxorën nga burgu, e menduan djallëzisht zhdukjen e tij, gjithçka e planifikuar deri në detaje. Ukshin Hoti e kishte pritur vdekjen, ndaj kishte ndërtuar jetën e tij.
Vinte nga Krusha e Vogël, ngjitur me Krushën e Madhe. Krusha e vogël, vendlindja e Ukshin Hotit, kishte para luftës 856 banorë. Në dy ditë, 25 dhe 26 mars 1999,forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe vranë në këtë fshat pa asnjë mëshirë 112 meshkuj. Në këtë fshat sot jetojnë 82 gra të veja me 145 fëmijë jetimë, ndërsa 10 familje nuk kanë asnjë mashkull. Nga 145 shtëpi para luftës, vetëm 8 prej tyre kanë shpëtuar pjesërisht nga djegia. Një kamion me kufomat e burrave të Krushës së Vogël u dogj në bregun e Drinit të Bardhë.
E gjithë kjo vetëm në dy ditë.
Pak më tej Krushës së Vogël është Krusha e Madhe. Rruga gjarpëron përmes pemëve dhe ende, sapo të shfaqet fshati i madh mund të dallosh se lufta ka qenë e pranishme. Edhe pse kanë shkuar 19 vite. Në tri ditë, 25 deri 27 mars 1999, forcat serbe vranë 243 njerëz; pa asnjë dhimbje i qëllonin ku i shihnin, i gjuanin sikur të ishin njerëz të egër, gajaseshin, merrnin nëpër këmbë të plagosurit rëndë që po vdisnin, e më pas, kur ishin lodhur nga vrasjet, i digjnin trupat e tyre. 64 trupa nuk janë gjetur kurrë.
Përpiqem t’i them miqve të mi në Krushë të Vogël e në Krushë të Madhe se, ku ta dish, ndoshta një ditë, dëshira e një gazetari shqiptar, që nuk e di se si e ka shijuar luftën, për të qenë miq me serbët, po aq miq sa edhe me italianët mund të jetë një realitet, por u dukem sikur vij nga një botë tjetër, sikur nuk jam në vete; pezmi i tyre rri ende mbi vatrat, mbi jetën, të ngjeth shtatin dhe të bën të ndjehesh tjetërsoj.
Në Krushë të Vogël, krahas policisë dhe ushtrisë serbe, u armatosën edhe fqinjët serbë, njerëz që kishin vaditur sëbashku, kishin folur e jetuar sëbashku dhe ata, të djeshmit, normalë, deri diku njerëzorë, vendosën flakët në shtëpitë e fqinjëve të tyre, me të cilët kishin ndarë shumëçka dhe kurrë nuk e kishin pasur një të keqe prej tyre.
I them vetes se , ku ta dish, një gazetar nga Shqipëria, i njohur tepër, disi i veçantë në llojin e tij dhe gjithnjë me të papriturën e fjalës, di diçka më shumë se të tjerët. Përpiqem të ia shpjegoj një familje në Suharekë: quhet familja Berisha. Ngulmoj të heq një pjesë të dhimbjes së tyre, por fjalët nuk i kam të mbaruara; trembem kur mendoj se vetëm në një ditë, përsëri me 25 mars 1999, nga kjo shtëpi u vranë 51 vetë. Është e vetmja masakër në Kosovë që ka katër të dënuar ushtarakë të lartë serbë, Radojko Repanoviç, Mirosllav Petkoviq, Milorad Nisheviç dhe Sllagjan Qukaviç; por ata nuk ishin të vetmit. Të tjerët u falën; shpejt edhe këto do të jenë të lirë.
Në një ditë të tillë, fund marsi të vitit 1999, isha në shtëpinë e një mikut tim të vjetër. Quhet Gani Lipaj, mjek nga profesioni. Jeton në Mynih. Në të vërtetë shkova ta uroj për bijën e tij, e cila ishte shpallur kampione në tenis për moshat e saj në Bavari. Ishte pasdite dhe ndoqëm sëbashku lajmet. Spikeri po lexonte: Në fshatin Kaminecë, afër Banjës së Pejës, dje ndodhi një masakër e përbindshme. Ganiu luajti pak dhe tha, “ky është fshati im. Spikeri vazhdoi, ndërsa korrespondentët e luftës kishin dërguar pamjet. Ganiu mbeti dhe tha: Kjo është shtëpia ime. Spikeri vazhdoi: forcat ushtarake serbe masakruan familjen Lipa. Ganiu mbeti: Familja ime, më tha dhe u ul. Sëbashku me ne, në atë moment , ai shikoi se si po nxirrnin nga pusi i shtëpisë kufomat e babait, vëllait, gruas së vëllait, nipave dhe mbesave.
Ndoshta më duhet një ditë t’i them atij se, ja, njerëzit modernë, që ushqehen në Tiranë, mendojnë se do të ishte mirë të jemi me serbët, ashtu si jemi me italianët. Nuk e di nëse do të më kuptojë. Kemi mbi 20 vite miqësi, por sytë i kam edhe sot me atë pamje makabër, kur një njeri i paqtë, shikonte se si nxirreshin nga pusi kufomat e njerëzve të tij më të afërt.
Askush deri më tani nuk i ka thënë Gani Lipes, të paktën njerëzisht, më fal, më fal se të shkretuam familjen. Askush. Atij i duhet të jetojë me dhimbjen e humbjes, edhe pse ata, vrasësit, ende nuk e dinë se cilët vranë. Sepse ata vranë pa emër, ashtu, për qejf, vetëm se ishin shqiptarë dhe se, prej kohësh, jo vetëm në luftën e fundit, për to, një shqiptar i mirë, është një shqiptar i vdekur.
Në Kosovë jeton një mjeke e shquar, humaniste e shkallës më të lartë, poete dhe deputete, ish e burgosur politike. Quhet Teuta Hadri. Mbesa e Ali Hadrit, akademikut të njohur. Ajo ka shkruar një libër dy vëllimesh, “Krimi që pashë me sytë e mi”, pasi që nga dita e parë ishte mjeke në UÇK. Është libri më autentik dhe më tronditës që mund të lexojë një njeri, pikërisht për krimin që ajo pa me sytë e saj, duke i shpëtuar vdekjes mrekullisht. Në asnjë rresht të më se 900 faqeve të librit të saj nuk ka një fjalë mallkimi për serbët; të duket sikur ajo ka qenë vëzhguese e jashtme, pa mllef, pa urrejtje. Por në faqet e librit është dëshmia e krimit. Vetëm në një ditë, me 27 prill 1999, forcat serbe, ushtarake e policore, sëbashku me serbët që banonin në Kosovë si paraushtarakë, vranë, në atë që tash njihet si Masakra e Mejës, 377 shqiptarë, shumica nga Kosova. Në një ditë. Në një vend. Si i morën plumbat. Qëllo e qesh.
Nejse. Të solla shumë shembuj, të cilat, besoj, se edhe Ti, si një gazetar i njohur, i di. Mos u habit nëse them vetëm “ besoj”. Ka shumë kolegë që as nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ata njohin vetëm një emër, Adem Jasharin; një masakër, të Prekazit, por pak dinë për të tjera masakra edhe më të mëdha.
Është lehtë të ëndërrosh që, një ditë, shqiptarët të shkojnë me serbët ashtu si shkojnë sot me italianët. Një ëndërr e pakushtueshme, e aq më tepër mikluese. Të duket si një projekt i së ardhmes. Një sfidë ballkanike që mund të nisë edhe nga dialogu juaj me kolegun serb. Dialogu është i këndshëm, nganjëherë edhe i dobishëm. Serbët, kur nuk kanë mundësi tjetër, i kanë qejf dialogjet. Çfarë humbin në luftë, e fitojnë në paqe, sepse mendojnë përsëri për luftën. Mentalitet apo mënyrë jetese? As ata vetë nuk e dinë. Sapo u ngrihet paksa koka nga zhgënjimi i humbjes, gjëja e parë që mendojnë është revanshi.
Të dialogosh është kënaqësi, aq më tepër kur nuk bart asgjë nga e shkuara. Nuk ke asnjë kujtim prej saj dhe asgjë nuk të dhëmb. Si të shkrova, serbët e duan dialogun pas humbjes. E kanë dashur gjithnjë.
Jam munduar shpesh herë të di se nga vjen ky mentalitet i tyre, kaq herë i përgjakshëm dhe po kaq herë i pa mbushur në mend. I kam parë fillimisht serbët, pas marsit të vitit 1998, se si rrinin të hutuar dhe me droje në shtëpitë e tyre në perëndim. Kishin droje se mos shqiptarët, që jetonin në Zvicër apo në Gjermani, duke parë se si po vriten njerëzit e tyre, jo pak, por rreth 13 mijë vetë në 13 muaj luftë, do të hakmerreshin mbi to.
Ndoshta nuk e di, por asnjë gonxhe lule, asnjë degë peme , asnjë tjegull çatie nuk u është prishur. Shqiptarët, edhe në këtë dhimbje, u dëshmuan humanë dhe të arsyeshëm. Bënë një ndarje, të cilën, ende, edhe sot, nuk e ka ndarë kolegu juaj, përtej Kosovës, por që, nuk e di pse jam i bindur, ëndërron Kosovën.
Ruajna Zot! të më shkojë në mendje se nuk duhen dialogjet, nuk duhen bisedat. Ata janë të mira, por një ëndërr ka gjithnjë një fillesë: një ndjesë, qoftë edhe përmes një gazetari, një njeriu human, si Natasha Kandiq; duhet të burojë përsëri ajo ndjenjë njerëzore që nuk shfaqet.
Si ju shkrova, më ka munduar shpesh herë kjo ndarje ballkanike, kaq e egër; kjo ndjenjë serbe për të ndjekur krimin. Po i kthehem Ukshin Hotit, njeriu që më mirë se gjithë të tjerët e ka njohur botën, psikologjinë e tyre, por që kurrë, edhe pak çaste para se ta vrisnin, nuk i ka urryer.
“Serbët i kishin shquar veçoritë e shqiptarëve si popull, por në vend që t’i respektonin, në vend që të ndërtonin urat e miqësisë së ndërsjellë, për gati 80 vite kishin rënë në kurthin e imitimit të madhësisë së të mëdhenjve. Ata e vazhduan dramën e tyre me veten dhe i thelluan humnerat me shqiptarët, i lartësuan hendeqet dhe i zgjeruan kanalet me ujë të ndotur të izolimit të vetes. Ata natyrisht e dinin se kjo ishte politikë e dështimit dhe jo e vetëbesimit, refleksion i dëshpërimit dhe jo i perspektivës, rezultat i lajthitjes dhe jo i vërtetësisë, e përmbytjes dhe jo e shpëtimit. Vetëm se nuk e dinin se përse e bënin një gjë të tillë”.
Do të jetë e vështirë të bëhet kaq shpejt e vërtetë një ëndërr si e jotja.
Nëse italianët, edhe kur ishin pushtues, u shfaqën si pushtuesit më njerëzorë, në të kundërtën, serbët, edhe kur erdhën si miq, ishin më gjaksorët.
Italianët kur ikën lanë pas vetes edhe krimet e tyre,por edhe disa godina e ura që mund të trajtoheshin si fillesë e një miqësie të ardhshme; në të kundërtën, serbët, edhe kur u ftuan për dasmë , lanë pas vetes urat e zjarrit, lëre pastaj kur erdhën si ushtri. Lanë shkretim.
E dua fort ëndrrën tënde, por e di fare mirë se nuk do të jem kur ajo të fillojë të gjejë një vend ndriçues. Sepse mungon, edhe sot, pas 20 viteve, e para e së parës: fjala e faljes.