![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/11/Kolici.jpg)
Enea Koliçi, ‘ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë ndarjen e çmimit “ylli i javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.
Çmimi i më të mirit për javën e 17-të i ka takuar portierit të SC Gjilani, Enea Koliçi.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Agim Maliqi, Sejdi Bojku dhe Besim Slishani.
Komisioni vlerësoi se portieri Koliqi ishte më i merituari që skuadra e tij realizoi fitore shumë të rëndësishme si mysafire kundër Llapit (1:0). Ai gjatë lojës u tregua vendimtar me disa në intervenime, duke mos lejuar që porta e tij të mposhtet.
Çmimi “ylli i javës” për Enea Koliçin e ndau Edona Ramadani, menaxhere e blerjes dhe furnizimit në Albi Mall.
Pasi mori çmimin, Koliçi për faqen zyrtare të FFK-së theksoi: “Faleminderit shumë komisionit, ky është një vlerësim i rëndësishëm për mua, të cilin dua t’ia dedikoj klubit dhe bashkëlojtarëve të mi. Ndeshja me Llapin ishte shumë e vështirë dhe e përgëzoj ekipin për angazhimin. Jam i lumtur që dolëm me pikë të plota nga kjo sfidë. Tani ka mbetur edhe një ndeshje e vështirë për ne, por shpresoj ta mbyllim këtë stinor vjeshtor sa më mirë”.