Energjia e ripërtërishme mbetët sfidë në Kosovë
Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, kanë organizuar konferencën të enjten tryezën me temë “E ardhmja dhe sfidat e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë”.
Në këtë tryezë u diskutua për temat të cilat ndikojnë në të ardhmen e energjisë së ripëtëritshme dhe zhvillimin e këtij sektori. Gjatë konferencës u diskutua po ashtu dhe për tarifat nxitëse, si një ndër stimujt kryesorë të investimit në prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.
Po ashtu, u shqyrtua edhe korniza ekzistuese rregullative për promovimin e projekteve të energjisë nga burimet e ripërtërishme në Kosovë, mënyrat e financimit të këtij sektori dhe se ku qëndron rëndësia e financimit të këtij sektori nga institucionet financiare në Kosovë.
Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubi të Prodhuesve, ka thënë se një ndër sfidat më të mëdha të prodhuesve është mungesa vazhdueshme e furnizimit me energji elektrike, gjë e cila po ju shkakton bizneseve humbje të mëdha. Sipas Panxhës, liberalizimi i tregut të energjisë duhet të shtyhet edhe për pak, pasi që shumë operator ekonomik nuk janë të gatshëm të përballen me këtë proces. Po ashtu ai theksoi se çmimi i tarifës nxitëse duhet te reflektoje çmimin e investimeve, në mënyrë që të mos dekurajohen investitorët potencial.
Ndërsa, Berat Rukiqi, kryetar i OEK-ut, ka thënë se në prodhimin e energjisë duhen të merren parasysh tri elemente e që janë: siguria furnizimit apo stabiliteti, kostoja dhe ruajtja e ambientit. Ai theksoi që duhet të vazhdohet me tarifat nxitëse dhe kërkoi nga institucionet financiarë që të rrisin përkrahjen e investimeve në këtë sektorë.
Arbnor Kastrati nga Shoqata për Energji të Ripërtërishme, kërkoi nga institucionet qeveritare që të jenë më të përgjegjshme në deklaratat publike të tyre. Tutje ai shtoi se institucionet duhet t’i shohin bizneset si partner dhe bashkëpunëtor në përpilimin e strategjive të tyre.
Ndërkaq, përfaqësuesit e BERZH dhe IFC-së, Vlora Avdiu-Burani dhe Visar Perani, diskutuan për mënyrat e financimit të projekteve të cilat zhvillojnë sektorin e energjisë së gjelbër.
BERZHI vetëm gjatë vitit të kaluar ka investuar mbi 60 milion euro, ku 60% e këtyre fondeve janë investuar në energjinë e gjelbër.
Ndërsa IFC si pjesë e Bankës Botërore, energjinë e ka prioritet e posaçërisht energjinë e ripërtëritshme.
Të pranishëm ishin përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji, përfaqësues nga Shoqata për Energji të Ripërtërishme e Kosovës, përfaqësues të biznesit si dhe përfaqësues nga institucionet financiare vendore dhe ato ndërkombëtare.