Engel letër admiralit Foggo: Kujdes me deklaratat për Serbinë
Ligjvënësi amerikan, Eliot L. Engel, i bëri thirrje të shtunën admiralit amerikan James Foggo, komandant i marinës amerikane për Evropën, që të jetë i kujdesshëm në komentet e ardhshme rreth Serbisë, duke i tërhequr vëmendjen atij në shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për orientimin e Beogradit dhe marrëdhëniet e tij më Moskën.
Engel që kryeson Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në një letër dërguar admiralit Foggo, i cili është komandant i forcave të NATO-s më seli në Napoli, shpreh shqetësimin e tij rreth komenteve që admirali kishte bërë në një intervistë më 16 dhjetor të vitit të kaluar në Beograd rreth bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Serbisë që “nuk e pasqyrojnë në mënyrën e duhur politiken e Shteteve të Bashkuara dhe bien ndesh me një raport të Departmentit të Mbrojtjes që është dërguar në Kongres më herët gjatë këtij viti, përcjell “Zëri i Amerikës”.
Engel citon admiralin Foggo të ketë thënë se “unë e shoh bashkëpunimin (NATO-Serbi) duke u përmirësuar në mendjen time. Tani për tani ato janë partnerë dhe vendi juaj është shumë i lumtur me këtë, dhe kjo është e shkëlqyeshme. Ne jemi në rregull edhe më këtë. Kështu që ju do të zgjidhni dhe merrni atë që dëshironi të bëni dhe sa larg dëshironi të çoni këto marrëdhënie, dhe ne do të jemi atje për ju”.
“Serbia siguron mjedisin më të favorshëm për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor … Para Partisë Përparimtare serbe të Presidentit Aleksandër Vuçiç që mori pushtetin në vitin 2012, marrëdhëniet dypalëshe ushtarake serbe me Rusinë ishin të pakta. Pas zgjedhjeve të vitit 2012 në Serbi, Partia Përparimtare serbe ndërmori hapa për të shtuar marrëdhëniet e saj ushtarake me Rusinë, duke çuar në nënshkrimin e një marrëveshje zyrtare të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes në nëntor të vitit 2013 … Stërvitjet e para ndonjëherë ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë, më emrin e koduar, SREM-2014, u zhvillua më vonë atë vit në Serbi, duke përfshirë më shumë se 400 forca ajrore ruse dhe serbe…. Në vitin 2014, Forcat e Armatosura Serbe organizuan një parakalim ushtarak për presidentin rus Vladimir Putin, duke lëvizur ia përshtatur datën e festës të këtyre forcave vizitës së presidenti Putin. Ritmi i stërvitjeve është rritur që nga viti 2014… Serbia mori një dhuratë prej gjashtë avionësh MiG-29 të përdorur rus në tetor të vitit 2017…. Serbia ka porositur katër helikopterë Mi-35 dhe planifikon të porosis Sistemet e raketave tokë-ajër Pancir S1. Serbia gjithashtu mori një dhuratë prej 30 tankesh T-72 dhe 30 automjeteve BRDM-2 nga Rusia në këtë kohë”, citon Engel raportin e Departamentit të Mbrojtjes.
Në letër Engeli shkruan se “Diplomatët e Shteteve të Bashkuara ka kohë që janë shprehur të pakënaqur me gatishmërinë e Beogradit për të kapërcyer kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit. Serbia nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, me gjithë kërkesat në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE dhe vazhdon të refuzojë një sërë përparësish të përbashkëta SHBA-BE”.
Për më tepër, shkruan Engel, “Serbia me dëshirë refuzon të ndjekë anëtarësimin në NATO” sipas raportit të lartpërmendur të Departamentit të Mbrojtjes. Ish Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën (Hoyt Yee) në mënyrë të përmbledhur artikuloi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara rreth Serbisë duke thënë, ‘Vendet duhet të zgjedhin se cilën rrugë të ndjekin, pavarësisht se sa e vështirë do të ishte, vendi duhet të bëjë zgjedhjet e tij strategjike, të cilat duhet të jenë pjesë e politikës zyrtare … Ju nuk mund të uleni në dy karrige në të njëjtën kohë. ”
Engel thekson në letër mirëkuptimin për “shpresën” e admiralit që Serbia një ditë të bashkohet me NATO-n, “por ajo ditë nuk është afër. Dhe rruga e saj drejt Bashkimit Evropian gjithashtu mbetet e mbyllur nëse nuk e njeh dhe nuk bën paqe me Kosovën. Prandaj, unë ju bëj thirrje që në komentet e ardhshme për Serbinë, ju më me kujdes të drejtpeshoni deklaratat tuaja në mënyrë që shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për orientimin e Beogradit dhe marrëdhëniet e tij alarmante me Moskën, të shprehen me saktësi”, shkruan Engel.