Engel letër Pompeos: Drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë
Ligjvënësi Eliot L. Engel, i bëri thirrje departamentit amerikan të shtetit që ta shndërrojë drejtësinë për viktimat e luftës së Kosovës, në element qendror të angazhimit dypalësh të Shteteve të Bashkuara me Serbinë.
Në një letër dërguar sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, ligjvënësi Engel thekson se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të ecë përpara derisa kriminelët serbë të luftës nuk mbahen përgjegjës.
“Mijëra civilë janë vrarë, dhjetëra mijëra janë përdhunuar dhe qindra mijëra janë dëbuar me forcë nga trupat serbe. Megjithëse faktet janë gjerësisht të ditura, pothuajse askush nuk është vënë para drejtësisë në Serbi për këto krime të luftës, ndonëse, në shumë raste, dëshmitë flasin se urdhrat janë dhënë drejtpërdrejt nga kreu shtetëror. Kjo është thellësisht shqetësuese” shkroi ligjvënësi Engel.
Në letrën dërguar sekretarit Pompeo, ai vlerëson vendimin e 18 dhjetorit me të cilin administrata i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri, për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e tre shqiptaro amerikanëve në vitin 1999.
Radosavleviç, shkruan në letër zoti Engel, “ishte për një kohë të gjatë i dyshuari kryesor për vrasjen e tre shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyçi dhe krime të tjera të luftës. Ky vendim i rëndësishëm që u mor gati 20 vjet pas përfundimit të luftës, është një pikë kthese për fushatën e familjes Bytyçi për drejtësi dhe një hap i parë shpresëdhënës për t’u siguruar se Serbia mbahet përgjegjëse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë konfliktit”.
Duke theksuar se vëllezërit Bytyçi u vranë brutalisht në vitin 1999 derisa po shoqëronin një familje të komunitetit rom nga Kosova për në Serbi, ligjvënësi Engel shkruan se “mjerisht vrasja e tyre nuk ishte lemeria e vetme e regjimit të (Slobodan) Millosheviçit kundër qytetarëve të Kosovës. Mijëra civilë janë vrarë, dhjetëra mijëra janë përdhunuar dhe qindra mijëra janë dëbuar me forcë nga trupat serbe. Megjithëse faktet janë gjerësisht të ditura, pothuajse askush nuk është vënë para drejtësisë në Serbi për këto krime të luftës, ndonëse, në shumë raste, dëshmitë flasin se urdhrat janë dhënë drejtpërdrejt nga kreu shtetëror. Kjo është thellësisht shqetësuese” shkroi ligjvënësi Engel, përcjell “VOA”.
Në letër ai i referohet edhe raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, të publikuar në vitin 2017 me titull “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – operacioni i fshehjes së trupave”.
Në dokument thuhet se prej vitit 2001, në varrezat masive në Serbi, janë gjetur trupat e 941 shqiptarëve, shumica civilë, që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Nga ta “744 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në Batajnicë, në periferi të Beogradit, së paku 61 në Petrovo Selo, dhe 84 në Liqenin e Peruçacit. Së paku 52 trupa janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë”, thuhet në dokument.
Sipas fondit, zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ushtrisë jugosllave kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.