Engeli: Do të bëjë gjithçka për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë
Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka thënë se është kundër idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë i tha “Zërit të Amerikë”, se shpreson që qeveria e ardhshme e Kosovës të ketë një bazë sa më të gjerë dhe se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë.
“Kjo do të shkaktonte një reagim zinxhir që unë mendoj se nuk do të ishte pozitiv. Ne i dimë parametrat për Kosovën. Unë mendoj se ndryshimi i kufijve do të ishte një ide e gabuar. Mendoj se kjo nuk do të ishte një gjë e mençur”, ka thënë Engel.
Ai shpreson që Qeveria e Kosovës të ketë një bazë sa më të gjerë, në mënyrë që të ketë më shumë njerëz të përfshirë në koalicion për trajtimin e sfidave, pasi vendi përballet me disa probleme.
“Serbia po bën përpjekje të forta për të deligjitimuar Kosovën. Ajo po përpiqet të bindë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të tërheqin njohjet. Ne po luftojmë kundër këtyre përpjekjeve. Kështu që sa më i bashkuar të jetë vendi aq më mirë do të jetë për vendin”, ka thënë ai.
Kongresmeni nga Nju Jorku, nuk pranoi të komentonte lidhur me Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, pasi tha se nuk komenton për kandidatët për kryeministër në vende të tjera.
“Por më lejoni të them se kam besim se Shtetet e Bashkuara, me nxitjen time si kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të ngushta me kombin shqiptar, me popullin shqiptar dhe me njerëzit në Kosovë. Dhe sigurisht që unë jam i gatshëm të ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem, kështu që kushdo që zgjidhet, zoti Kurti apo dikush tjetër, unë do të ofroj ndihmën time”, është shprehur ai.
Duke folur për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ai solli si shembull rastin e vëllezërve Bytyçi, për premtimet që ai ka bërë dhe nuk i ka mbajtur, duke thënë se nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Engel nuk iu përgjigj direkt një pyetjeje për rolin e të dërguarve të posaçëm për Ballkanin dhe bisedimet Kosovë-Serbi, Matthew Palmer dhe Richard Grenell, por tha se në çdo dialog që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, duhet të ketë zë populli i Kosovës.
“Të gjitha këto gjëra të tjera që po përpiqen të bëjnë me Shqipërinë, Serbinë, nëse nuk përfshihet Kosova, nuk do të jetë një vendim i drejtë. Kështuqë mendoj se duhet të merret vendimi i popullit të Kosovës për gjithçka.”
Dhe sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një rol më aktiv.
“Si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, si mbështetës i fortë i Kosovës dhe Shqipërisë unë do të bëj gjithçka që mundem për ta realizuar këtë dhe për çfarëdo të kenë nevojë zyrtarët e zgjedhur të Kosovës dhe Shqipërisë, unë gjithmonë jam i gatshëm të ndihmoj.”
Engel shprehu gjithashtu shqetësimin për valën e të rinjve që nuk gjejnë punë në Kosovë dhe Shqipëri dhe lënë vendin e tyre.