‘Engjëlli im mbrojtës ishte një police nga Gjilani’, Bekë Berisha rrëfen momentin pas aksidentit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka ndarë përvojën e tij personale pas një aksidenti trafiku që ka pësuar të hënën në zonën e njohur si “Kroni i Mbretit”.
Berisha ka falënderuar publikisht Policinë e Kosovës dhe stafin mjekësor për ndihmën e tyre profesionale, duke përshkruar momentet e vështira që ka përjetuar.
Berisha ka vlerësuar lartë një police nga Gjilani, e cila ishte e para që ia ka dhënë ndihmën e parë.
“Engjëlli im mbrojtës erdhi në formën e një policeje nga Gjilani, që më dha ndihmën e parë në mënyrë profesionale dhe u përkujdes për ne derisa u sigurua transporti”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Postimi i plotë i Bershës:
Të dashur miq dhe dashamirë,
Si njeri, si deputet dhe si kryetar i Komisionit për Siguri, gjithmonë kam synuar të përdor zërin dhe kontributin tim për të forcuar sigurinë njerëzore. Kam tentuar me të gjitha forcat të nxis ndërgjegjësimin për rëndësinë e sigurisë në rrugë, duke qenë dëshmitar i shumë humbjeve të jetëve në trafik.
Fatkeqësisht të hënën, u përfshimë në një aksident jo të lehtë në e vendin e njohur i “Kroni i Mbretit.”
Në përpjekje për të qetësuar shqetësimet e shumta që keni shprehur, po ndaj këtë përvojë me ju.
Për ata që e kanë përjetuar kur pëson aksident, janë ato momentet kur të shfaqen fytyrat e femijëve dhe njerëzve të dashur. Vetëdijen ma ktheu “engjëlli im mbrojtës” qe erdhi në formën e një policeje nga Gjilani.
Ajo më dha ndihmën e parë në mënyrë profesionale dhe u përkujdes për ne derisa u sigurua transporti. Do të doja shumë ta gjej dhe falënderoja personalisht.
Pas kësaj, pata fatin që të transportohesha në mënyrë të sigurt në QKUK nga bashkëluftëtarja dhe kolegia ime e nderuar, mjekja jonë, Time Kadrijaj. Mirënjohës pa fund!
Më pas, bashkë me Pellazgun morëm ndihmën e nevojshme në emergjencën e QKUK-së nga ekipi i jashtëzakonshëm i front-liners, të cilëve u jemi pafundësisht mirënjohës.
Djemtë dhe vajzat e Policisë së Kosovës dhe personeli ynë mjekësor janë heronjtë tanë të përditshëm, duke punuar pa ndalesë, 24/7. Jemi me të vërtetë krenarë për ta.
Për operimin dhe kujdesin, dua të falënderoj ekipin e udhëhequr nga dr. Arber Tolaj në Klinikën Ortopedike dhe Traumologjike, që me përkushtim po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes sime dhe të shumë qytetarëve tanë që aktualisht janë duke u trajtuar në këtë Klinikë. Nuk mund t’i them vetëm faleminderit, por i inkurajoj të vazhdojnë me punën e tyre të shkëlqyer.
Pafundësisht ju falënderoj të gjithëve për vizitat, thirrjet dhe mesazhet e shumta. Ua kthefsha për të mirë! Një falënderim i veçantë për shokët dhe familjen që më qëndruan pranë çdo moment gjatë këtyre ditëve.
Shpresoj që nesër dr. Arberi do të më lirojë për në shtëpi, dhe mezi pres t’ju mirëpres të gjithëve.
Së fundmi, një mesazh për të rinjtë: “Përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës është jetike. Por, mos harroni që rripi i sigurimit është ai që mund t’ju shpëtojë jetën në momente të papritura”!