Enis Vila: Nëse ftohem nga Kosova, jam i gatshëm ta jap maksimumin
Futbollisti 22-vjeçar Enis Vila me prejardhje nga Hani i Elezit, i cili luan në LandesLiga në Gjermani për klubin më të suksesshëm shqiptar në Gjermani, FC Kosova Dusseldorf, ka një karrierë të bujshme në futbollin gjerman. Vila që në moshën pesëvjeçare ka luajtur në klubin gjerman Ratingen wes e ku më pas ka luajtur edhe në Bundesliga në ekipe të ndryshme si Unterrath Dusseldorf për grupmoshat U15/16/17 si dhe për ekipin e Oberhausen dhe Dusiburg me grupmoshat U19. Enis Vila me kapacitete që i ka beson dhe shpreson se një ditë do të ftohet edhe nga kombëtarja e Kosovës e që thotë se është i gatshëm ta japë maksimumin për shtetin e Kosovës.
“Epoka e re”: Enis Vila, kur keni filluar karrierën futbollistike?
Vila: Unë karrierën futbollistike e kam filluar në moshën pesëvjeçare, në vitin 2007, me Ratingen west. Kam pasur dëshirë të madhe të luaj futboll. Pasi isha edhe në shkollë, atëherë u regjistrova në klub dhe aty fillova të ushtroj e të luaj për pesë vjet radhazi. Tani jam 22-vjeçar, por kurrë nuk e harroj skuadrën e parë ku edhe i kam marrë hapat e parë të lojës së futbollit.
“Epoka e re”: Nga kush jeni inspiruar të merreni me futboll?
Vila: Idoli im dhe i gjithë shqiptarëve me siguri nga lojtarët shqiptarë ka qenë Fadil Vokrri. Ne si fëmijë kemi pasur dëshirë të bëhemi sikur Vokrri. Edhe pse Vokrri ka qenë sulmues, unë çdoherë kam pasur dëshirë dhe e kam gjetur veten më mirë si mbrojtës i qendrës. Ndërsa nga lojtarët e huaj idol e kam Cristiano Ronaldon. Ai është lojtar i madh dhe i pazëvendësueshëm.
“Epoka e re”: Cilat janë klubet që ke luajtur deri tani, përfshirë ato si amator dhe tani këto si profesionist?
Vila: Klubi im i parë ka qenë Ratingen west. Aty kam luajtur për pesë vjet, e ku më vonë kam kaluar në Unterrath Dusseldorf. Në këtë klub kam luajtur U15\16\17 në Bundesliga. Më pas në Bundesliga kam luajtur edhe si U19, por tani në skuadrën Oberhausen, po ashtu kam luajtur edhe për Dusiburg U19 në Bundesliga deri në vitin 2021. Më pas kam luajtur një vit në Oberliga për ekipin Baumberg. Në këtë ligë ishte në atë kohë edhe ekipi shqiptar FC Kosova Dusseldorf dhe babai im më ka tërhequr nga ky klub dhe më ka dërguar në ekipin shqiptar. Unë jam pajtuar me propozimin e babait tim Muhamet Vila, i cili është një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe kam dashur t’i ndihmoj klubit të shqiptarëve. Edhe sot jam pjesë e këtij klubi.
“Epoka e re”: Para disa vjetësh keni pësuar një lëndim që ju ka lënë jashtë fushës shumë kohë. Sa ka ndikuar në karrierën tuaj ky lëndim?
Vila: Po, një lëndim që e kam pësuar gjatë vitit 2021, më ka lënë jashtë fushës për disa muaj dhe aty jam dëmtuar shumë si lojtar, por edhe karriera ime ka mbetur e dëmtuar.
“Epoka e re”: Në vitin 2021 ju keni vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës. A jeni ftuar nga kryetari Agim Ademi që të luani për Kosovën në atë kohë?
Vila: Po në vitin 2021 jam ftuar nga Federata e Kosovës dhe jam pritur në zyrën e kryetarit të Federatës, Agim Ademi. Aty kam marrë ftesë t’u bashkohem U21-shave të Kosovës, por lëndimi më ka lënë jashtë grumbullimeve, kështu që tani e kam kaluar moshën dhe po pres se çfarë po ndodh.
“Epoka e re”: Tani po luani në Klubin FC Kosova Dusseldorf në LandesLiga dhe jeni një prej lojtarëve kyç të ekipit. A pritni t’i arrini objektivat e klubit që të ngjiteni edhe më lart në ligën e Gjermanisë?
Vila: Në klubin FC Kosova Dusseldorf jam që nga viti 2022 dhe jemi ngritur në një rang më lart në ligën gjermane. Jemi duke ecur me hapa të sigurt që të ngrihem edhe në një ligë më lart. Kemi një staf të mrekullueshëm në krye me presidentin e klubit, Bujar Neziri, një trajner të jashtëzakonshëm dhe lojtarë mjaft cilësorë në ekip. Jemi shumë kompaktë dhe i dimë objektivat tona. Kemi sponsorë kryesisht shqiptarë, por kemi shikues e mbështetës shumë, ndoshta më së shumti në këtë ligë nga të gjitha ekipit që marrim pjesë ne këtë kompeticion.
“Epoka e re”: Përfaqësuesja e Kosovës po drejtohet nga gjermani Foda. Si po ju duket koncepti i lojës së Kosovës? A mendon se do ta fusë frymën gjermane në ekip?
Vila: E përcjell me shumë kënaqësi kur luan Kosova dhe shoh që edhe ekipi i Kosovës është ngritur në nivelin evropian, por kam dëshirë të arrijë sa më shumë suksese, sepse një reprezentacion i fortë e bën edhe Kosovën më të dëshiruar në Evropë. Trajneri gjerman mendoj se ka dëshirë ta fusë filozofinë gjermane brenda ekipit dhe besoj se kjo është gjë e duhur. Shqiptarët në përgjegjësi kanë mentalitet gjerman sa i përket aspektit futbollistik, sepse nuk dorëzohen. I dëshiroj shumë suksese Kosovës dhe trajnerit Foda.
“Epoka e re”: A jeni i gatshëm t’i përgjigjeni pozitivisht ftesës nga Kosova?
Vila: Jam i gatshëm çdoherë t’i përgjigjem ftesës së Kosovës, vendlindjes së babait tim, i cili ka kontribuar shumë që sot Kosova të ketë mundësi të luajë në arenën ndërkombëtare. Sigurisht që stafi i selektorit merret me zbulimin e talenteve që i nevojiten Kosovës, por disa lojtarë besoj se jemi të duhur të ftohemi dhe të na jepet mundësia ta tregojmë veten. Kosovën gjithmonë e kam zgjedhjen e parë.