Enkelejd Alibeaj merr drejtimin e PD-së pas dorëheqjes së Bashës

21 mars 2022 | 20:14

Nënkryetari i PD Enkelejd Alibeaj ka marrë drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Alibeaj do të jetë kryetari i ri i Partisë Demokratike deri në zgjedhjet e reja. Vendimin e ka njoftuar Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi përmes një njoftimi zyrtar ku nënvizon se nënkryetarja e partisë Jorida Tabaku ka hequr dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë dhe në këtë mënyrë në krye të saj do të jetë Alibeaj.

“Pasi jam njohur me deklaratën e Kryetarit të Partisë z. Lulzim Basha se ka vendosur të hedhë një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD për të ndihmuar në ringritjen e PD, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetarët e Partisë znj. Jorida Tabaku dhe z. Enkelejd Alibeaj, si dhe Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD znj. Arta Sakja.

Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy Nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë.

Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares znj. Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar z. Enkelejd Alibeaj”, thuhet në njoftimin e Bardhit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zyrtar i NATO-s ka dhënë alarmin se Bjellorusia mund…