Enver Dugolli thotë se për herë të parë ishte arrestuar në moshën 18-vjeçare
Ish i burgosuri politik, Enver Dugolli tha se është arrestuar për herë të parë me 4 prill të vitit 1981 nga UDB-ja. Atë kohë ai ishte si 17 vjeçar, dhe ishte arrestuar bashkë me 10 persona të tjerë që nuk kishte lidhje me ta por që ishin të njëjtë “demonstrues” për UDB-ashët.
Ish i burgosuri politik, Enver Dugolli ka rrëfyer në “Debat Plus” të Televizionit Dukagjini për momentin e parë të arrestimit, “konstatimin” që nëna e tij i kishte thënë “bir ti je rrit në burg” si dhe shqiptimin e dënimit prej 11 vitesh burgim efektiv për veprimet e tij “politike e organizative” në demonstratat ’81-shit.
Dugolli tha se momenti i parë i arrestimit të tij ka qenë me 4 prill të vitit 1981 si 18 vjeçar.
“Biri im ti je rrit në burg”- i kishte thënë nëna e tij sa herë i kujtonte periudhën e tij të qëndrimit si i burgosur politik.
Dugolli bëri të ditur se ai është dënuar me 11 vite burgim kapital dhe arsyet kryesore të arrestimit të tij ndërlidheshin me demonstratat e vitit 1981, ku ai dhe shumë të tjerë protestuan për pakënaqësitë politike, shoqërore dhe kombëtare të asaj kohe.
Ish i burgosuri politik, i cili aktualisht është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, u shpreh se aktiviteti i tij dhe veprimet e tij politike 40 vite më parë rezultoi të jetë një “tullë” për murin që e ndan robërinë dhe lirinë.
Ai theksoi se periudha e burgut për të është një kapitull i pashmangshëm i kujtesës memories dhe përjetimeve, teksa ka shtuar se vitet e burgimit i ka kaluar me vetëdije të plotë duke thënë se “liria është e largët por një ditë do të vije”.
“Po flitet për një periudhë kohore të shumë brezave, atdhetarëve të cilët shtëpinë kryesore e kishin burgun. Në mesin e mijëra djemve dhe vajzave që angazhoheshin për lirinë e Kosovës, jam edhe unë që një pjesë të madhe e kam kaluar në burg. Burgu është një kapitull i pa shmangshëm i kujtesës, i memories sime dhe i atyre përjetimeve, që pa dashje të i kthehem, here në ëndërr e here i zgjuar, janë të pashmangshme. Kanë qenë vite të cilat me vetëdije të plotë i kam kaluar në burg, po çka menduar se liria është e largët por një ditë do të vie”, deklaroi Dugolli.
Dugolli ishte dënuar me 11 vite burgim për veprimet e tij që UDB-ja i kundërshtonte fuqishë.
“Në moshën kur moshatarët e mi, në botën e lirë, kanë zgjedhur drejtime të caktuara për shkollim, avancim, për krijimin e familjes. Unë isha brenda katër mureve. Në shumë burgje si rezultat i angazhimeve të mia për demonstrate 1981 u burgosa dhe u dënova me një dënim kapital, edhe gjyqtarët si mund të arsyetoheshin një dënim prej 11 vitesh”, vijoi ai.
Isak Nishevci ka qenë gjyqtari kryesor i shqiptimit të dënimit ndaj Enver Dugollit ndërsa prokuror ka qenë Njazi Burgodeva.
“Kam hipur mbi veturën e një profesori, kam lexuar një letër që qarkullonte si apel për thirrje për demonstrate. Nuk e dija se kush e kishte shkruar atë letër por parulla dhe udhëzimet ishin aty”, deklaroi Dugolli.
Ai theksoi se pavarësisht vështirësive dhe mohimit të fjalës përfundimtare në ditën e gjykimit, ai kishte arritur të fliste në sallën e gjykimit.
Ai ka thënë se aty tha se “nuk ishte penduar për veprimet e tij, dhe se i kishte bërë me vetëdije të plotë”.
Ai shtoi se ky deklarim i tij para trupit gjykues ishte “befasi”për ta.
“Të gjitha veprimet e mia i kam bërë me vetëdije të plotë, nuk më ka shtyrë askush. Jam tejet i lumtur që kjo punë e imja sado pak do e ndihmojë që Kosova të bëhet Republike”, u kishte thënë Dugolli trupit gjykues në fjalën e tij përfundimtare.
Dugolli u shpreh se pas arrestimit të tij jo të gjithë njerëzit e sistemit kanë qenë UDB-ashë apo të “egër”, teksa shton se ka pasur edhe momente kur personeli me uniformë, police e gardianë i “adhuronin” për guximin e tij.
“Thellësisht të prishtë në shpirt kanë qenë UDB-ash dhe kanë qenë sadista. U shndërruan në makina tortura. Makina nuk ndjen asgjë. Nuk ndjen kënaqësi. Janë më shumë se makina. Shndërrohen në personalitetin e tyre, dhe kënaqësia në momentin e dhimbjes. Ka qenë e tmerrshme”, vijoi ai.