Enver Hasani: Asnjë marrëveshje nuk lejon formimin e njëanshëm të Asociacionit

20 qershor 2023 | 15:01

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, ka thënë se asnjë marrëveshje nuk lejon formimin e njëanshëm të Asociacionit.

Por, sipas tij, e sigurt është se pa një dekret nga ana e Qeverisë së Kosovës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të formohet, madje as në mënyrë të njëanshme.

“Statuti, i cili është akti themeltar i Asociacionit ose struktura normative më e lartë brenda tij, merr jetë ose frymë me një vendim të Qeverisë. Pastaj, shkon në Gjykatë Kushtetuese për t’u konfirmuar nëse është në pajtim me Kushtetutën. Kjo procedurë figuron në të gjitha marrëveshjet – edhe në atë të fundit në Ohër, në atë të Brukselit të vitit 2013 dhe atë 2015 – dhe nuk ka alternativë tjetër”, thotë Hasani, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Ai shton se strukturat që e përbëjnë Asociacionin, nuk mund të formohen pa marrë fuqi juridike statuti.

Fuqia juridike e statutit të Asociacionit, siç thotë Hasani, mund të sigurohet vetëm me një akt të Qeverisë dhe me “lejen” nga Gjykata Kushtetuese, “e cila do të nënkuptonte se statuti dhe akti, me të cilin ai hyn në fuqi, nuk janë kundërkushtetuese”.
Në të kundërtën, siç thotë profesor Hasani, në rast se serbët e shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit, kriza do të thellohej edhe më tej.

“Pastaj nuk bëhet më fjalë për strukturë normative vetë-organizuese, por bëhet fjalë për prodhim të një krize, e cila e ka një dimension tjetër prej kësaj që e shohim sot dhe me të cilën duhet të merret Brukseli (BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi) dhe palët”, ka theksuar Hasani, duke shtuar se megjithatë, nuk beson që pala serbë do të hyjë, siç e quan ai, në “një aventurë të tillë”.

Zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë edhe formimin e Asociacionit, e parasheh edhe marrëveshja e fundit drejt normalizimit të marrëdhënieve mes palëve, e arritur më 27 shkurt në Bruksel, si dhe pajtimi për aneksin e zbatimit të saj, që u arrit më 18 mars në Ohër.

Bashkimi Evropian ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

Presidenti i Serbisë tashmë ka deklaruar se refuzon të takohet me Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

Shkrimi i plotë:

https://www.evropaelire.org/a/asociacion-dekret-qeveri-serbet-/32467446.html

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që në orët e para të mëngjesit të 20 qershorit,…