Enver Hasani: Opozita gaboi politikisht

15 prill 2025 | 15:14

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, ka thënë Kuvendi i Kosovës nuk është bllokuar dhe mund të mblidhet çdo 48 orë, pasi deputetët dështuan ta konstituojnë këtë institucion.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Hasani e ka cilësuar si gabim mosvotimin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

Për shkak të mosvotimit të këtij raporti, seanca e së martës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u ndërpre dhe kryesuesi i saj, tha se do t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për hapat që do të merren në të ardhmen.

Këto parti, kanë vënë në dyshim dorëheqjen e paraqitur nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Por, Hasani ka thënë se me betimin e tyre si deputetë, ata nuk do të mund të ushtronin asnjë funksion ekzekutiv.

“Në aspektin formal, opozita ka të drejtë. Por, mendoj se opozita ka gabuar politikisht, për një arsye, sepse është dashur të lejojnë të japë betimin (Kurti) dhe më pas ai nuk do të mundte në asnjë rrethanë (të ushtronte funksionin e kryeministrit), sepse do të përfundonte në Gjykatë Kushtetuese. Tash nuk mund ta dërgojë askush as në Gjykata Kushtetuese dhe as në Presidencë, sepse nuk ka vendim të Kuvendit – s’ka Kuvend akoma, ai nuk ekziston për qëllimet e funksionit të vet, si përfaqësues i popullit dhe ligjvënës”, ka thënë Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka bërë thirrje për vendosjen…