Enver Hasanit, babai ia vendosi emrin shkaku i respektit për Enver Hoxhën (video)
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori dhe veprimtari i njohur Enver Hasani ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “FAKTE me Adnan Merovcin” në “Klan Kosova”, ku ndër tjera ka folur edhe për disa figura kyçe të historisë e politikes në trojet shqiptare.
Në mesin e këtyre figurave, Hasani ka folur edhe për diktatorin komunist i cili drejtoi Shqipërinë për shumë vite, Enver Hoxha.
Madje, Hasani zbuloi se babai i tij ia vendosi këtë emër pikërisht për shkak të respektit të madh që kishte për diktatorin Hoxha.
“Në Shqipëri shpesh më kanë pyet, iu thosha që kur kam lindë unë i kam thanë babës mos ma ngjit, por s’më dëgjoi. Kur kam lind unë më 1962, shqiptarët kanë besuar që personifikimi i Shqipërisë me Enver Hoxhën është zgjidhja e vetme dhe absolute. Shqiptarët e kanë pa në atë kohë si për krenari. Do të thotë, konteksti i përgjithshëm i emrit lidhet me diktatorin komunist shqiptar, Enver Hoxha për të cilin baba im ka pas jashtëzakonisht respekt deri më 1976”, ka thënë Hasani.