Enver Hoxha ka qenë njeri i aftë
Bisedë me Ali Kelmendin (3)
Prej nga?
– Së pari kam qenë te Heta i Seferëve!
Së pari kam shkuar në Marecin e Lypjanit. Prej Marecit në Tërrn të Ferizajt. Në Marec kam ndenjur një javë. Në Tërrn na ka marrë njëri e na ka çuar në Budakovë. Ai njeri ka qenë Bajram Kokollari. Aty kemi bërë përpjekje të vëmë lidhje për të kaluar kufirin për Shqipëri. Na ka ardhur lajmi që është e pamundur. Borë e madhe ka rënë. Atëherë biem në Reçan. Muhamet Reçani, si shkuam në shtëpi, se ai i ka pasur miqtë afër kufirit, na priti mirë. Mirëpo, edhe aty pa sukses. U kthyem prapë në Budakovë. Prej Budakove në Tërrn, e prapë në Marec. Prej aty, natën kemi ardhur në një katund afër Zhegrës, në Lladovë. Ai i zoti i shtëpisë na ka përcjellë nëpër borë krejt të lagur qull, për në Preshevë, te vëllezërit e mi.
Kemi qenë unë e Ramadani. Atë natë, natën kemi shkuar në katundin Golinidar dhe Derat. Kur ka lindur dielli, kemi qenë në Derat. Prej aty kemi ardhur në Rahovicë. Kam shkuar të Seferët dhe aty kam ndenjur 20 ditë. Kemi shkuar në Maxherë, aty kemi ndenjur te hoxha nja një muaj e gjysmë. Kur i kanë zënë këto grupet, i kanë thënë një hoxhe, shko merri në besë të hoxhës. Hoxha te hoxha! Ai vjen, Ramadani nuk pranon (ishte muaji prill, po hala nuk ishte ardhur pranvera). Milicia vijnë te hoxha. I marrin gra e fëmijë para pushkëve. Dikush u thotë, qe ku janë, poshtë, në pyll. Na kanë rrethuar. Ramadani deshi të hidhte bomba. I thashë, lëre këtë punë, se mund të mbyten gra e fëmijë.
Na morën e na çuan aty. Kur na prunë, thanë deshën të iknin. UDB-ash kishin qenë krejt. Njërit ia kishin pas mbytur babën në kohën e luftës. Ai deshi të na rrihte, të na shkelmonte, por nuk e lanë.
Po më thotë, së pari: Ali Aliu; a e di ti se peshku i madh e ha gjithmonë të voglin. Nuk e paske mësuar mirë konkurrencën në kapitalizëm (serbisht me tha). Keni dështuar të bëni lidhje me kapitalizmin! E ti nuk e di që njeriu për njeriun është ujk? A e sheh që ky është jurist i mirë. I thashë që kjo është një parullë e vjetër për pronarët, për të likuiduar njerëzit. Po i thotë shefit të tij, dëgjoje çka flet. Ramadani po më thotë; hesht, pashë Zotin!
Na morën në xhipa. Të lidhur mbrapa. Nga Maxhera në Rahovicë. Në Rahovicë kishin dalë të faleshin njerëzit. Një dajë imi, Sadriu, ai që e ka pasur motra e vet në krah, kur e kanë plagosur, më ka parë, e unë i thash: bëju të fala dajave, të gjithëve, hiq mos keni gajle për mua. Kur erdhëm në Preshevë, aty qytetarët kanë bërë burrni. Kishin qenë dy dasma. I kanë ndalur dasmat, stop, e paskan zënë Aliun. Duke kaluar rrugës, doli një shkinë e po më thotë serbisht: “E, more Alia, hteo si Albaniju da nam dovedesh ovde”(E, more Ali, ke dashur të na e sjellësh Shqipërinë këtu). I thashë serbisht: “Ovo je allbanska zemla (Kjo është tokë shqiptare). Ako hoqete ostanite, ako neçete idite (Nëse doni, rrini, nëse jo, ikni prej këtu). Mi ne mërzimo nikoga (Ne nuk e urrejmë askënd). Kur hyra brenda, atë Nuredinin e kishin rrahur fort, sepse nuk kishte thënë asgjë. Atë e kishin përgjakur, e po më fusin tash mua aty, kinse gabimisht, veç për ta parë. Prej aty na çuan në Bujanoc e na futën në do biruca. Prej aty, na kanë pru në Gjilan. Aty, ata kanë hëngër e kanë pirë, e neve na kanë pru në Prishtinë dhe pastaj na kanë dërguar në Podujevë dhe aty i kam kaluar hetimet.
Sa keni qëndruar aty nën hetime?
– Pesë muaj.
Sa kohë zgjati kalimi juaj nëpër baza ilegale?
– Dy muaj!
Kur ju nuhatën ju, e patën arrestuar dikën përpara?
– Po, po!
A pati keqtrajtime nën hetime?
– Më së pari e kanë bërë një gabim me mua. Më thanë, të na e tregosh marshrutën.
Marshruta jonë është Marec – Preshevë! Ata të tjerët e kishin pas zbuluar marshrutën. Ah, tha, nënën ty, e të më lëshohen përmbi mua. Më ra njëri diku në qafë dhe filloi gjakderdhja. Tjetri i tha, e mbyte njeriun! Më marrin ashtu dhe më çojnë në çeli. Atë natë nuk pati më hetime. E pashë që, kur më rridhte hunda gjak, ndieja një lehtësim. Ai qypi ishte nga dheu, aty e derdha gjakun, po dikur më lëshoi fuqia. Rashë në dërrasa. Në mëngjes po thonë serbisht: Hajde uzmi KIBLU (eja merre KIBLËN). Unë e marr atë KIBLËN në katin e dytë e shkoj teposhtë. Nuk di si më bie nga dora në shkallë dhe, pasi ishte plot gjak, i bëri shkallet adalet kur u thye copash. Atëherë njëri më tha se më nuk do të të japim kibël hiç. Mirëpo, ma prunë sërish qypin. Më nuk mund të ecja. Ushqim pak. Por, as nuk më hahej. Më merrnin për krahu kudo dhe më nuk më kanë rrahur. Ramadanin e kishin torturuar tepër. Zenel Hajrizin e kishin rrahur shumë.
Gjatë asaj kohe, a ju morën në pyetje shumë herë?
– Po! Thuaja çdo ditë. Ndonjë shqelm apo grusht ma jepnin. Unë bija në tokë menjëherë. Edhe teshat kur i kam çuar në shtëpi, kanë qenë ashtu me gjak. Ndoshta e bënin me qellim për frikësim, ku ta di? Nana ish trenuar krejt, kur i kishte parë teshat ashtu.
Mbas hetimeve, gjykimin jua bënë bashkë, apo?
– Po! Na dërguan në Gjilan! Në Gjilan ishin Ramiz Cerrnica, Enver Tali, baba Sheh i Preshevës, Haki Agushi (ka vdekur), do të jatakëve që na kishin mbajtur, këta të Lladovës.
Nga sa vjet ju dënuan?
– Enverin e kanë dënuar katër vjet, dikë dy e tre vjet…
Ky gjykimi tjetër?
– Mua dhe Ramadanin na dënuan me nga tetë vjet. Kemi qenë 19 veta. E kanë liruar Xhevatin, e kanë dënuar atë Ramadan Rexhën e Mitrovicës. Do që kanë qenë nën hetime i kanë liruar, edhe dy të Marecit.
Sa veta u dënuan?
– U dënuan 12 veta. Unë e Ramadani me nga 8 vjet burg, Kadriu – 7 vjet e gjysmë burg. Të tjerët nga 5 e më poshtë. Hasan Dumani, Zenel Hajrizi, edhe një Hajrizi tjetër, po ashtu, një shoq i tij, pastaj Beqë Varoshi, dhëndri i Kadri Halimit.
Gjatë hetimeve, a keni ndenjur së bashku në dhoma?
– Krejt nëpër qelia.
Ushqimi, si ishte gjatë hetimeve?
– Shumë i dobët. Nga 200 gramë bukë, gjellë, ndonjë kokërr fasule.
Ndër rojat kujdestare dhe të policëve, a kishte shqiptarë, apo vetëm serbë?
– Krejt kanë qenë vetëm serbë.
Pasi ju dënuan, ku ju dërguan?
– Së pari na ndalën këtu. Ne jemi dënuar kur u mbajt konferenca e parë e vendeve të painkuadruara në Beograd. Për të mos lënë përshtypje se këtu po dënojnë shumë njerëz, pas një kohe, na kanë shpërndarë nëpër burgje. Ky Çedo Popoviqi pat thënë se ty është dashur të të dënojnë 15 vjet. Ti ke dalë në mal për të bërë kryengritje. Në ato vendet ku i kam çuar njerëzit, i kam njohur unë vetë përpara. Edhe gjatë luftës kisha qenë unë në ato terrene. Erdhi urdhri dhe thanë falënderojeni udhëheqjen e Beogradit, e po ju çojmë në Mitrovicë të Sremit. Aty burgu i ka pasur kushtet më të mira në atë kohë. Edhe kur ke qenë i dënuar në qeli, ke pasur kushte, bile për të fjetur në shtrat. Ka pasur edhe bibliotekë. Aty i kam lexuar krejt veprat e Mao Ce Dunit. Kishte qenë një oficer i dënuar, e punonte në bibliotekë. Ai na jepte librat edhe nën dorë.
A ju kanë angazhuar të punoni?
– Po, mua e Kadriun na çuan në administratë. Në Nish me kanë çuar të punoja menjëherë në lavanteri. Një vit më kanë çuar në vetmi. Në ngjitjen e pllakave kam punuar një vit e gjysmë. Gjatë qëndrimit në vetmi, na merrnin në hetime për ato vepra që nuk i kishim pranuar. Një herë në ditë dilnim të shëtisnim, pas asaj që quhej Shtëpia e bardhë. Isha i detyruar të mbaja kryet teposhtë dhe duart mbrapa shpine. Një ditë, unë i hoqa duart dhe po këqyrja qiellin. Ata e kishin vërejtur dhe vrapuan menjëherë. Po më thonë, pse nuk i përmbahesh disiplinës? U thash, për mosdisiplinë më keni sjellë në vetmi, çka po doni tash?
Mandej vazhdova të flisja: A po doni të dini? Është dashur të vijë sot helikopteri! Mbasi po e dini që unë kam lidhje me Shqipëri, sot e kam caktuar ditën të vijnë ata, për të më marrë e për të ikur me helikopter. Edhe unë qeshë humbur krejt! Ata u habitën. Nga e qysh të ikë ky me helikopter? E unë s’kisha çka të thosha tjetër. Më shau dhe më tha se nuk do të dal i gjallë prej këtu.
Atëherë cofi Rankoviqi! Jeta është e çuditshme! Ndërroi situata krejt.
Ishte viti 1966?
– Po na thonë, bëni lutje për falje, do t’ju lirojmë.
Dëgjojmë tek thonë se ka ardhur Adem Demaçi këtu!
Thashë çka u bë? Serbisht u thashë: “Pa to je jedini pisac koga imamo i njega ste doveli u zatvor”!? (Po ai është shkrimtari i vetëm që e kemi, edhe atë e keni sjellë në burg?) Kako je moguqe? (Si është e mundur?), mbeti i habitur. Po më thotë serbisht: Taj je veliki çovek (Ai është njeri i madh).
Po thonë, Tito është kroat, e kroatët për ne kanë shkruar mirë. Pyesja veten: a thua nuk ka mundur t’i lexojë ata libra Tito? Edhe kroatët e kanë quajtur veten ilirë. A thua nuk kanë mundur edhe ata të lexojnë këtë libër? Hajde këta dreqër, ndoshta nuk i kanë lexuar, por Tita ka mundur t’i lexojë. Ai po thotë: Ky asht baba i dreqërve.
Në shoqëri, brenda gjithë këtyre trimave të Malësisë, kishte edhe njerëz të dobët ndër ta, dhe ashtu formohet edhe një psikologji e tillë.
Gjatë kohës së luftës ka qenë e ndaluar të pihet duhan e raki. Edhe duhani e ka atë psikologjinë e vet.
Kur mendoj çfarë gjenerate të luftës ka pasur Shqipëria?
Kur me kujtohet ushtria e Shqipërisë! Çfarë njerëzish, çfarë trimash, sa të ndershëm! Kurrë nuk më kanë lënë mua të shkoja përpara, por ata vetë shkonin përpara. Më thoshin: Ti duhet të shkosh në Kosovë, atje të kryesh punë. A mund të jenë tash ashtu? Çka u bë tek u bë nuk di! Ndoshta iu kthyem ndonjë tradite të huaj, apo nuk e di.
Për shembull, mua edhe po të më jepnin milionat e botës, nuk më interesojnë. Të më thonë, je njeri i madh, më duket fyerje. Nuk kemi mbërritur askund hala, e dikush po do të fryhet që është dikushi. Kur krekosen disa, unë çuditem. Ne jemi edukuar në frymën e barazisë dhe nuk mund e mendojmë pabarazinë. Për të bërë ndonjë plan a program dhe për të prirë, duhet të jesh i ditur. Duhet të jesh shembull.
Kur punonim, në një rast, ma mirë se unë e kishte bërë projektin Bedri Pula. Ai ka qenë gjeni! Plani ishte si frymëzim. Secili kemi bërë luftë për të ecur përpara. Ajo ishte një garë mes nesh. Shqipëria ka qenë shtet i vogël. T’i rezistonte Italisë e Gjermanisë, ishte punë e madhe. Atë luftë që e ka bërë Shqipëria, nuk e ka bërë as Jugosllavia, as Greqia, e bullgari, hiç se hiç. Aty në Shqipëri ka qenë krejt flakë. Edhe këta që e kanë pasur pushtetin, shqiptarë, bre, kanë qenë. Na kanë mbrojtur, na kanë ushqyer.
Si ka thënë Abdullah Prapashtica, më mirë kështu se të na kishin qitur fare?
– Na këqyrshin dhe e dinin mirë që ne jemi ngucakeqa! Ministria e arsimit na donin e na jepnin edhe të holla. Populli, kuku nëna ime, sa mirë na ka këqyrur në Shqipëri, më mirë se në shtëpinë tonë.
Po për këto vrasjet në Tivar dhe kalimin e kolonave nëpër Shqipëri, si ndodhi likuidimi i këtyre njerëzve atje?
– Po, ka pasur vrasje dhe aty nuk ka dyshim! Ata i kanë besuar Jugosllavisë. Po ky sllavi e ka shfrytëzuar besimin.
Enver Hoxha ka qenë një njeri i aftë. I ka ditur krejt qysh po shkojnë ngjarjet. Në Paris, kur shkuan, e sulmoi Greqinë! Aty ministri grek kërkoi me ngulm të ndahej Shqipëria. Enveri e sulmoi Greqinë për krimet ndaj çamëve. Në konferencën e Parisit nuk u fol kurrgjë. Aty u kap me ta, fyt për fyt. Gjatë gjithë kohës: tash thonë se Enveri i mbyti tre mijë, për 45 a 50 vjet, por kur vdiq ai, për një muaj u mbytën në Shqipëri tre mijë veta. Këto nuk po duan t’i shohin këta që kanë rrokur sot pushtetin. Sot merren me problemet e dhunës. Merren kinse me probleme të së kaluarës. Bëjnë pallate për vete, e nuk e qesin të vërtetën në shesh.
Çfarë politike ka e ashtuquajtura udhëheqje e demokratëve, që e shkatërroi ekonominë edhe në Shqipëri edhe në Kosovë?
Arsimi e kultura?
– Kanë shkatërruar çdo gjë, jo veç ekonominë. Ajo pasuri është e djersës së popullit. Ashtu nuk bënë sllovenët. Ashtu nuk bënë as rumunët. S’po më intereson për maqedonas.
Po pse të jemi aq inatçinj ndaj njëri-tjetrit?
– Po shoh tash se si ia jep dorën Thaçi. Kush a ky afër Thaçit, bre? Thaçi ka rrezikuar me jetë. Ai ka rrezikuar jetën, e ky ka burgosur njerëz. Ka këqyrur bythën e vet dhe ka lejuar që të bëjë Serbia çka t’i teket. Këto gjëra i kanë denoncuar edhe vetë demokratët. Edhe ato të Sali Berishës do të dalin sot a nesër. Burgosja e Liburnit dhe e këtyre shokëve të tij është e Shqipërisë, është e këtij Sali Berishës, dhe do të dalë sot a nesër. Habitem, dy muaj para se të burgosej Liburni, të shkruante Zëri i Kosovës! Këtë qëndrim nuk e kemi pasur as kur kemi qenë nëpër burgje, e këtë e paskan zbuluar Liburni me shokë!?
Këta demokratët i kanë sakatosur të burgosurit. Është e vërtetë se luftëtarë janë. Të formohet një sistem e të hapen dosjet – duhet, por edhe duhet të mbyllen menjëherë. Të sqarohen gjërat. Jo të formohen dosje të tjera. Ato dosje të hapen e të mbyllen menjëherë. Të pastrohen gjërat. Të tregohet se kemi qenë kështu e kështu, e nuk kemi qenë kështu e ashtu. Ja, njëherë thotë ia mora dosjen, e mbasandaj me shantazhe i godet njerëzit, për t’i bërë majmunë e për t’i bërë spiunë. Kur e shkatërron sot ti atë njeri, ai nesër bëhet spiun i tjetrit. Ai që ka qenë spiun i Serbisë, ka qenë edhe i bullgarit, e nesër bëhet edhe i këtyre të tjerëve. Ka pasur njeri që ka ardhur tel unë e ka thënë, i kam do informata. I kam thënë, ti mbaji ato për vete, se unë nuk kam nevojë për to. Luftoj të padrejtën, se mua nuk me duhen informatat. Pushtetit i duhen ato, e le t’i marrë e t’i pastrojë ato sende. S’mund t’i bëjnë tash ato! Tash ka shumë idiotë, që kërkojnë informata për të bërë shantazhe ndaj tjetrit.
Të njëjtat gjëra, të njëjtat shantazhe, spiunazhe po ndodhin sikur në luftë? Si u bë kjo, që shqiptari shqiptarit do t’ia nxjerrë sytë?
– A bëhet kjo, hej? Lufta po zhvillohet, ky po del në votime. Edhe populli duhet të shohë që nuk është në rregull. Më kujtohet Slloba, kur luftonte në Bosnjë, e mbante votime për ta mbajtur pushtetin. Perëndimi i thotë, çka është kjo? Për ta mbajtur pushtetin, po dihet. U bë kërdi te Jasharët, e ky qeshte! Paj, pasha Zotin, veç te na kjo mund të ndodhë!
Ky është fenomen i tillë. Asnjëherë nuk i del përballë popullit që të prononcohet? Nuk është parë diku në ndonjë tubim a miting. I ka përbuzur të gjithë dhe nuk di si shpjegohet kjo aureolë e tij. Si të jetë zot në atë tunelin e errësirës duke mbetur enigmatik. Për çka?
Sepse ne shumë kohë kemi kaluar nëpër errësirë. Jemi mësuar me errësirën.
Si lakuriqët e natës?
– Kanë luajtur me psiken e popullit. Pjesa e madhe kishte dobësi. Kështu nuk mund të dilte në mënyrë masive UÇK-ja. Kur doli UÇK-ja, krejt është dashur të shuhen këto partitë që i kishim pasur deri atëherë. Këta të shkonin në Tiranë, ku ishin ata të LKÇK-së, e t’u thoshin, lërini të gjitha ndarjet. UÇK-së i ka dalë zëri. Ai e bëri namin te Jasharët. Atëherë u vra edhe Ilir Konushevci. Duhet të shuhen të gjitha partitë e tjera dhe prej kësaj të dalin forcat e udhëheqjes politike e ushtarake. Ata të LKÇK-së thanë me kohë, kemi ardhur për ta pranuar udhëheqjen e UÇK-së. Atëherë u thashë, po më vjen mirë. Tash kishte ardhur një nga Shqipëria, këtu. Po donte ta formonte një parti Liberale – Demokrate këtu. Ish njëfarë Adem Gjakova.
A ke biseduar me të?
– Jo! Liberal-demokratike! Këtu nuk funksionon kurrgjë. Ai po donte të shkonte në Pejë e në Gjakovë, në Ferizaj. Agjent i Sigurimit të Shqipërisë. Partitë këtu, a e dinë atë?
Kush e akuzon atë dhe Adem Istrefin, më duket Kapllani. Kapllani ka mbaruar krejt?
Kapllani e akuzon. Ata e dinë që ky i vetmi atje ka mundur të zërë pozita, kurrë nuk është marrë në pyetje. Sigurimi nuk ka lejuar të vije ti atje prej këtu, e të mos kaloje nëpër sitë e në shoshë të tyre. Ata e kanë keqpërdorur atë. Sigurimi ka qenë pavarësuar, ka qenë bërë gati shtet më vete. Shqipëria nuk ka pasur çare pa e bërë këtë shërbim, se ka qenë e sulmuar në të katër anët. S’ka pasur qysh mbahet ndryshe një Shqipëri e vogël.
Baca Ali! Edhe këta të huajt janë duke e përgatitur një skenar. Janë shumë indiferentë, as nuk reagojnë?
– Po këqyrin sa ke ti aftësi? Ta bëjnë punën llugë, që të mos mund të çohesh në këmbë kurrë. Kur je i paaftë, normal që ta bëjnë llugë! Ai i huaji s’ka kohë të të formojë ty, kur ti nuk je i formuar! Aty është krejt puna. Njerëzit më të zot në Kosovë, veç rrinë e këqyrin. Ata i kanë lënë anash krejt. Mund të jesh luftëtar e trim, por kur nuk di, është e kotë. Çka di Rugova të ndërtojë shtet?
Ai që ka ditur të luftojë, di të bëjë edhe shtetin.
– Shumë tutem që do të komprometohemi. Janë munduar këtu të më komprometojnë, të më vënë kurthe. Kanë dashur të më bëjnë deputet, e ku ta di unë.
Kur e pyetën atë francezin, atë që shkoi në Francë, se cilat janë përshtypjet e tua, ai tha: “Ju veç po flisnit blla blla blla. Ato që jua kanë bërë shkiet juve, nuk harrohen kurrë. Edhe po deshi t’i harrojë dikush, ato nuk harrohen. Si neve që na e kanë bërë gjermanët. Duhet të dihet, se për këto gjëra s’ka flitet, por duhet t’i përvishesh punës. Mbas luftës tha; nuk kanë bërë asgjë, vetëm kanë bërë parulla. A sot ka forca që po i konkurrojnë Amerikës. Ju po ju shoh veç me fjalë, si në punë, si në kafe”.
Në kafe nuk duhet të paraqiten shqiptarët, kurrkund. Shqiptarët duhet ta mbajnë kokën ulët. Të përkrahin njëri-tjetrin. Talentet të favorizohen. Të harrohen inatet ndaj njëri-tjetrit. Këta që kanë pasur pozita, nuk kanë ardhur me merita intelektuale, ose punëtore, por kanë ardhur si vegla. Këta nuk mund të mbajnë ato pozita pa bërë asgjë hiç. Ne kemi shumë probleme. Jemi një popull i vogël. Çfarë presioni ka mbi ne? Shumë zor është me shkaun. Duhet të punohet shumë e këta që janë luftëtarë, duhet të angazhohen shumë, e të jenë korrektë me shokët e tyre që kanë humbur jetën. Duhet të jenë shumë të ndërgjegjshëm. E kanë krijuar një gjendje kaotike.
Këtë gjendje as shkau nuk di të ta bëjë! As Rankoviqi të kish qenë, nuk kishte ditur të bënte kështu tollovi!?
– Këta shokët që kanë qenë nëpër burgje, nuk mund të bëhen partner i tyre e t’i kundërshtojnë. Këto bisedat që duhet të bëhen tash, duhet të synojnë afrimin e bashkimin e tyre për zgjidhjen e problemeve. Në çdo takim, të mos merren me intriga kush i tha kujt, e çka i tha, por duhet të merren me zgjidhjen e problemeve konkrete.
Ai francezi tha: duhet të filloni me projekte! Jo, a është i mirë a i keq ai projekt, por kryesore t’ia nisni punës. Është me rëndësi të punohet. Nëse është i keq projekti, përmirësohet. Mafia e ka në dorë pasurinë. Kush ka pare, e ka fuqinë.
E kam mbajtur një fjalim në Preshevë, kur më ka pas dhanë detyrë Abdullahu. Kur u ktheva prej Malësisë, i thashë: Abdullah, more! Atëherë ka pasur spiunë bullgarë. Çka u bë gjithë këta të vrarë? Qysh bëhet shqiptari të shkojë e t’i zërë ata që kanë ikur në mal? Ai tha, po të tregoj: Janë tre lloj shqiptarësh: shqiptar i besës, shqiptar njeri dhe shqiptarziu. Këta të zinjtë janë farë e huaj. Këta aktivizohen në çdo shërbim të huaj dhe prej këtyre na vijnë të zezat. Abdullahu më tha të dilja të flisja. Të dilja të flisja, se të njohin Malësia dhe të besojnë, më tha. T’u thuash se do të vijë dita kur do të përgjigjen për bëmat e tyre. Ne kemi mendua se vendimet e Kuvendit të Prizrenit do të zbatohen.
Idealistë keni qenë?
– Dal, unë para popullit dhe them se ata që u kanë shërbyer osmanlinjve, Serbisë së parë, Bullgarisë së parë dhe Serbisë së dytë, dhe që po vazhdojnë, le ta dinë se do të vijë dita që do të japin përgjegjësi. Se ne shqiptarët do të bashkohemi. Ajo ditë nuk është e largët. Edhe për këtë më kanë akuzuar shkiet hapur. Mos të përmend kurrë emra. Dhe ashtu kam vepruar. Aty e kemi pasur një oficer të shtabit kryesor, Shefqet Kapetani. Ai e ka pas organizuar krejt mbrojtjen e Preshevës. Abdullahu na ka thënë mos jepni deklarata për kurrkënd. Shqiptarët nuk duhet ta hanë njëri-tjetrin. Thonë ndonjëherë për mua, ai komunisti, internacionalisti etj. Ai njeri s’ka pasur urrejtje ndaj serbit, ndaj bullgarit e ndaj gjermanit, por ka pasur dashuri për lirinë e popullit të vet. Kjo asht diçka shumë madhore. Jo të urresh të tjerët në emër të asaj që po e do për popullin tënd. Ti popullin tënd mund ta duash vetëm kur nuk i urren të tjerët. Kur e mbron popullin tënd dhe sakrifikohesh për mbrojtjen e tij, kur dikush do ta rrezikojë e ta vrasë atë.
Kam dëgjuar se ideologjia komuniste ka qenë parullë pansllaviste dhe nën emër të saj është fshehur pansllavizimi. Edhe rusët kanë dorë në këtë parullë. Pse nuk e keni kuptuar?
S’kemi pasur shkollë. Këtë e kishin ditur Abdullahu dhe Çerkezi. Nuk kemi qenë të informuar. Më akuzojnë si eksponent të Shqipërisë. E di që nuk e thotë Abdullahu, Kur të shkosh në Shqipëri thuaj Enver Hoxhës, mbrapa këtyre parullave internacionaliste qëndron pansllavizmi. E kishte pas kuptuar mbasandaj edhe Enveri dhe i përzuri krejt prej atje. Është puna që: kur nuk ke fuqi, nuk ke kurrgjë. Në gjithmonë jemi vonuar. Besoj se tash pansllavizmit i ka ardhur koha të dështojë. Këta serbët me mendjemadhësi, me arrogancë vazhdojnë të thonë; kjo është tokë jona. Në shekullin XXI ky turp do t’i hakmerret edhe Rusisë.
A di çka thoshin kroatët në burg? Ju jeni pasardhës të një populli të vjetër. Në psikikën tuaj nuk keni asnjë pretendim për të vrarë e për të uzurpuar. Ju nuk e keni kuptuar se me serbë, me bullgarë e me grekë, nuk shkon ashtu. E ne kroatët jemi të tillë, që i vrasim serbët, serbët ju vrasin juve e pastaj heshtin një kohë dhe prapë ju vrasin, e ju nuk hakmerreni kurrë. Ne kroatët ua bëjmë serbëve krejt ato të zezat që na i ka bërë. I thashë se ne nuk mund ta ndryshojmë psikologjinë tonë. Po më duket se ka ardhur një epokë e formimit të njeriut më fisnik. Bota po vjen duke u fisnikëruar. Ka ndryshuar edhe bota. Kolonializmi u zhduk. Tash edhe Britania nuk është ajo e vjetra, as Franca.
Amerika është kolonizuar dhe është fisnikëruar, e po ashtu edhe gjithë popujt e botës. Ajo më nuk është raciste. Nuk kanë urrejtje të dukshme fetare, as racore e as nacionale. Pansllavizmin më së miri e njeh Anglia.
Kur e burgosën Liburnin në Shqipëri, e akuzuan për terrorizëm. Ai, pos kalemit dhe vizatimit, nuk di të përdorë diçka tjetër. Gjenin dhe edukatën i ka ashtu. Ai nuk mund të mendojë që të shkojë të vrasë njerëz, veç ashtu. Më ka treguar si e kanë rrahur Enver Dugollin. Unë nuk kam çka i them dhe çka duhet të përmirësohet. Prandaj, sot po dua të pëlcas nga ish-udhëheqësit e Lidhjes Demokratike. Ata kishin pas formuar e aktivizuar bodigardë e roja. Domethënë, ata nuk kanë besim te populli. Pse të mos i besojnë popullit të vet? Pse nuk po mbrohen këta që kanë ardhur nga UÇK-ja? Sepse ata nuk i kanë bërë keq askujt.
Kush nuk e mëson historinë, është i dënuar ta përsërisë!? Gjithmonë na kanë thënë të vjetrit që shkaut mos i beso! Dihet ku kanë jetuar shqiptarët në Toplicë. Dihet ku jetojnë sot. Sa është tkurrur toka shqiptare!? Pse nuk u mbushëm mend? Bullgarët thonë se ne dimë të luftojmë sikur serbët. Ata bëjnë krime. Ata mbysin fëmijë edhe ne ua mbysim fëmijët. Kështu duhet të silleni me ta. Edhe kur na e kanë rrezikuar qenien kombëtare, ne nuk kemi bërë aso krimesh kundër tyre. Nuk u jemi përgjigj dhëmbë për dhëmbë!?
Ne duhet së pari ta rregullojmë veten. Nuk duhet të vazhdojmë me ato intrigat; ma bëre, ta bëra. Duhet një front unik, që do ta luftojë të keqen. Ambasadori amerikan Wiliams, kishte folur me kohë për punën tonë. E kanë shkarkuar vetëm pse ka folur hapur. Ai kishte pasur dije edhe për origjinën tonë pellazge. Ai kishte treguar drejt; se Evropa po lejon zhdukjen e një populli të vjetër fisnik, pra për zhdukjen e shqiptarëve. Ne nuk kemi as njohuritë themelore për vetveten. Perëndimi edhe të krishterët e përdorin Moisiun (Krishtin) për ta mbajtur unitetin, jo që mund të ngjallet ai Moisiu (Krshti). Ashtu duhet edhe ne. Gjenocidi i parë kundër hebrenjve është bërë në Spanjë, pastaj në Itali. Në Rusi shumë më herët është bërë gjenocid mbi hebrenjtë. Edhe kishat janë përgatitur me kohë për këtë. Libri për shfarosjen e hebrenjve ka ardhur nga rusët dhe Hitleri e ka marr prej tyre. Me Turqinë duhet të mbajmë marrëdhënie të mira. Greku çmendet nga turku. Greku kishte bërë gjenocid kundër hebrenjve në Korfuz e në Janinë, në vitin ’41 deri në vitin ’45.
Gjatë luftës e pas luftës, dihet mirë se shqiptarët i kanë marrë në mbrojtje hebrenjtë. Ky tipar i lartëson shqiptarët si popull më fisnik se të tjerët. Kështu duhet të sillemi edhe mes vete e të punojmë së bashku. Ne nuk duhet kurrë të biem në pozitat e shkaut, të vriten fëmijë e gra, kurrë.
Sa fëmijë ka vrarë Serbia në Kosovë e nuk kërkon falje.
Sa vjet keni vuajtur në burgun e Goli Otokut?
– Dy vjet e gjysmë.
Pastaj të dërguan në Nish?
– Jo! Prej Goli Otokut kam dalë e kam ardhur në Preshevë. Pas atij burgu, jam kthyer në Preshevë! Kam punuar një kohë në Bujanoc.
Dënimi i dytë?
– Prej Nishit kam ardhur dhe menjëherë jam punësuar këtu në Prishtinë. Jam punësuar në spital.
Po kanë folur për disa inskenime që janë bërë me ty? Të kanë helmuar?
– Në vetmi, mua ma kanë pas lëshuar një zhurmë, sikur që bën kur pret hekur.
Prej nga vinte, a ke kuptuar?
– Më dukej sikur përfund, apo nga zyra e policisë, që ishte afër. Gati gjashtë muaj ka zgjatur. Qeshë lodhur shumë. Merrja kantën me ujë për të pirë, e bëja vetë njëfarë cope “pambuku” me pak bukë dhe i mbyllja veshët. Nuk i kam lënë të më rruanin asnjëherë. Çdo herë jam rruar vetë. Ne nuk e mbysim veten, u thosha atyre. Ju keni qejf të na mbytni. Pas nja shtatë muajsh, sa s’u çmenda. Një ditë, pasdite, mbërrin Adem Demaçi. U bë njëfarë tollovie. Ma hapnin derën. Më thoshin serbisht: “Nisi josh polludeo, mamu ti… (a nuk je çmend akoma, he nanën…) Pasi u bë tollovi, më hoqën prej Dyshit e më qitën në Pesëshin. Mu ngjante që prej xhehenemit dola në xhenet. U lehtësova. Më dukej tepër mirë aty. Në shtëpinë e bardhë mësonin zanate. Kadriun e do i kishin lëshuar. Kur dola në dritare, po e këqyri Ademin. Mu duk u rrit, u bë ma i madh se ata të tjerët. Psikika, more, kishte luajtur. Më dukej si pengamber. Është interesant psikika e njeriut. Ka pasur edhe njerëz të tjerë, por nuk më kanë thënë që kanë përjetuar diçka ashtu. Dikur u bëra njëjtë. Më kanë kontrolluar shumë herë, por kurrgjë. Dikush mendonte se do të më vrisnin, por unë nuk jam frikuar. Po të bëhej jeta rrafsh. Ashtu më qe bërë jeta edhe në Goli Otok. Kur i tregojmë tash, këto duken si përralla, por nuk ishin përralla.
A mban mend kush ka qenë në Nish? A ishin gjysma e të burgosurve shqiptar në Nish?
– Po, më shumë se gjysma! Mes nesh aty nuk ka pasur ngatërresa.
Me Ademin, a ke ndenjur?
– Jo, vetëm e kam parë! Unë kam qenë më i vjetri aty. Flitej çmos për mua. Ka bërë plane. I ka mbytur 3 mijë partizanë. Ka plan të mbysë edhe më shumë. Njerëzit mendonin që ashtu është përnjëmend. Të flisje e të thoshe se këto janë rrena, njerëzit të hipnin në qafë edhe më shumë. Gjithmonë nën vëzhgim ishim aty në burg. Ka qenë një njeri i vogël, Osman Karabegoviq. I them, sa i ke vrarë ti? Tha: e kam vra një.
Ishte një nip aty, i dënuar tre vjet. Ai nuk mund i duronte hiç. Bëja edhe shaka me shokë për ta mbajtur gjendjen normale. I thosha po më duket shpejt po kalojnë këto vite, e ata donin të trenoheshin. Edhe atyre eprorëve të burgut u kanë treguar çka po them unë. Ata e kanë ditur që kjo nuk ishte përnjëmend. Ai nuk është normal, kanë thënë.
Një inskenim, a të kujtohet, ai shkau me një hekur?
– Ai shkau e kishte mbytur nënën e vet. Duke ngrënë, nuk i ka pëlqyer diçka në ushqim dhe i ka rënë në krye dhe e ka mbytur nënën. Një tjetër serb, që punonte me mua, e kishte pasur një konflikt me këtë serbin që e kishte vrarë nënën e vet. Ai shkau e ka pasur emrin Çedo. Dilnim në një plate. Ai e kishte marr një hekur, e kishte lidhur për dore me një beze, që të mos rrëshqiste. Ka menduar ai shkau tjetër që ky e ka marrë atë hekur të mprehtë për ta vrarë atë serbin që e kishte mbytur nënën e vet, kur ky po i thotë, jo ky hekur është bërë për Ali Aliun. Ai është i Senikut, e ka njohur edhe Hakif Sheholli, ai e ka gjetur atje. Ka qenë një nga Ujëmiri dhe e rrok këtë shkaun të tregojë kush i ka dhënë urdhër ta vrasë Aliun. Ai thotë uprava – ndadzorniku (Drejtoria-mbikëqyrësi). Më thirrën mua në drejtori, po më thonë kush të ka rrejt që kemi urdhëruar Çedon të të vrasë? Ai e ka mbytur nënën e vet, ai nuk është normal. U thash se e kam njoftuar edhe familjen edhe jashtë burgut. U bë njëfarë alarmi.
Ndërkohë, ka qenë një i Llapit, e kishte pas mbytur gruan. Duke u kthyer mbas shëtitjes, ai nuk po hyn brenda. E rrahin milicia. Shkova unë aty dhe ata me thonë çka po do? U thashë se na i mbysim krejt këta që vrasin familjen e vet. Ata shokët më thoshin, hajde largohu, edhe ashtu përfundoi kjo.
Më Kërcënuan! Më thanë se shpejt ke për të ardhur prapë këtu. Erdhën këta të tjerët se unë duhej të dilja.
Në cilin vit ishte?
– Në prill 1981.
Rexhep Mala ka qenë atje?
– Jo, nuk e kam ditur.
Kush erdhi t’ju merrte atje?
– Kanë qenë 20 vetura.
Si ambasador ju, a? Sa vjeçar ishit atëherë?
– Isha 43-44 vjeçar. Kur kemi ardhur në atë rrugën për t’u kthyer për Preshevë, kishin dalë populli. Tash po vjen edhe një provokator i Preshevës. Po na thotë neve: milicia ka bllokuar rrugën, për të mos me ndodhur ndonjë send, hajde kalo në veturën time. Mua më ka pas marr Ekrem Gjinolli. I thashë, Ekrem, mos po na ndodh diçka? Populli është lodhur me këto punë. Ai Ekremi po më thotë: Baca Ali, çka të më gjejë mua, të gjen edhe ty. Hymë në kafe. Një djalë i mixhës ka qenë i gjatë dy metra, Muharremi, ishte pirë, e t’i afrohet një milici, që ishte rojtar, i thotë, lëshoje rrugën.
Kur e kaluam hekurudhën, te shkolla, aty, dolën njerëz. Njëri po thotë, dil prej veture, se populli duan të të bartin në krah. Thashë, jo, jo. I bëjmë sherr shkollës, e mbyllin. Jo, do të dalësh patjetër! Ma ngjiti për krahu. Ai po, unë jo. Ashtu, duke më tërhequr, me vrau në xhamin e dritares. Doli edhe gjak. Kështu përfundoi ajo punë. Shumë më vonë e kam takuar atë njeri dhe po më thotë; unë jam ai që të përgjaka atë ditë te shkolla. Kam kujtuar që je i madh, e kishe qenë i vogël.
A erdhën të të shihnin shumë njerëz mbasandaj?
– Po, nga kahmos kanë ardhur njerëz! Ndryshoi situata krejt. Kanë ardhur turlifare. Edhe prej Kosovës. Më nuk më kanë interesuar as paratë, as kurrgjë. Duhet populli të vetëdijesohet. Nuk kam bërë gafa politike. Ato populli nuk i do. Zhvillimet në Shqipëri nuk shkuan mirë. Shumë kaos u bë aty nga ky Berisha.
Po, në Prishtinë, fillove të punoje në spital? Ku banoje? A të dhanë banesë?
– Jo! Banoja privatisht. Mbasi punësova në spital, më dërguan në ndërmarrjen “Put”. Më kanë çuar nëpër seminare dhe kam vazhduar të mësoja edhe shumëçka. Më kanë dashur e më kanë respektuar shumë.
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës.) /Epoka e re/