Enver Hoxhaj takon mësimdhënës në Vushtrri: Rritja e pagave për 50% do të ndodhë gjatë vitin 2025
Gjatë një takimi me mësimdhënësit në Vushtrri, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka prezantuar prioritetet e PDK-së për zhvillimin e arsimit dhe rritjen e mirëqenies së mësimdhënësve.
Hoxhaj tha se PDK, në krye me Bedri Hamzën si kryeministër, që në mandatin e parë dhe në vitin e parë të qeverisjes së tij, pagat e mësimdhënësve do të rriten me 50%.
“Që në mandatin e parë, në vitin e parë, pra që nga viti 2025, do të sigurojmë rritje të pagave për mësimdhënësit me 50%,” deklaroi Hoxhaj.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e arsimit si shtyllë kryesore për të ardhmen e Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat ndërkombëtare.
“Roli i shkollave tona, i arsimit fillor, i arsimit të mesëm, i shkollave profesionale, i arsimit të lartë, është roli më i rëndësishëm që mund të ketë ndonjë pjesë e shoqërisë, për ta integruar Kosovën në Bashkim Evropian në NATO dhe në OKB” u shpreh Hoxhaj.
PDK vazhdon të theksojë se arsimi është një ndër prioritetet kryesore të programit të saj qeverisës.