Enver Hoxhaj tërhiqet nga kryesia e PDK-së
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka njoftuar se ka vendosur që të mos jetë pjesë e kryesisë së re të kësaj partie, ku të enjten ishte zgjedhur nënkryetar i PDK-së.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Hoxhaj ka thënë se është koha që ekipi i ri e kryesia e sapo votuar të punojë dhe angazhohet për ta rikthyer PDK-në si forca e parë politike.
“Faleminderit kryetarit Krasniqi dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së për besimin e dhënë që të jem pjesë e kryesisë së re të partisë dhe njëri nga nënkryetarët e saj. Me të drejt u diskutua dje dhe sot nëse po shmangej me përfshirjen time një parim i vendosur që deputetët të mos përfshihen në kryesinë e re”, ka shkruar Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se pavarësisht se është tërhequr nga kryesia, do të ndihmojë partinë dhe kandidatët e saj në zgjedhjet lokale.
“Në vijimësi të qëndrimit të shprehur edhe në Konventën e zgjedhjes së kryetarit të ri që PDK ka nevojë të hapet, të afrojë njerëz ti ri dhe reformohet, unë do ta respektoj këtë parim dhe do të mbetem vetëm deputet. Është koha që ekipi i ri e kryesia e sapo votuar të punoj dhe angazhohet për ta rikthyer PDK-në si forca e parë politike. Do të angazhohen me tërë qenien time për ta ndihmuar partinë si dhe kandidatët tonë në zgjedhjet lokale”, ka shkruar Hoxhaj.