Enver Peci premton dënime me burg për korrupsion
Në një intervistë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, ka shprehur pakënaqësinë e tij për dënimet e ulëta për korrupsion.
Për këtë qëllim sipas tij Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një udhëzues për politikën ndëshkimore me të cilin synohet që dënimet për korrupsion të jenë sipas ligjit e jo nënë minimumin ligjor.
“Janë bërë disa aktivitete sa i përket zgjidhjes së rasteve, ka një progres pasi do ta quaja jemi forcuar edhe me dy gjyqtarë të rinj në lëmin penale. Dhe rastet që i kemi në punë faktikisht janë të vitit 2017 që kanë arritur në gjykatë. Në të njëjtën kohë kemi bërë edhe një analizë më konkrete për shkak se përveç lëndëve që i kemi ne si gjykatë, kemi edhe mandat edhe kompetencë për unifikimin e praktikës gjyqësore. Kemi një aktivitet rreth pesë muajsh sa i përket politikës ndëshkimore në Kosovë. Kemi bërë një analizë se si janë dënimet në Kosovë”, ka thënë Peci.
Ai ka deklaruar se bashkë me Ambasadën amerikane dhe Departamentin e Drejtësisë amerikane, me ekspertë të tyre dhe vendorë kanë arritur të nxjerrin si përfundim një udhëzues për politikën ndëshkimore.
“Kemi ardhur në përfundim se me të vërtetë ka probleme serioze në kuptimin e politikës ndëshkimore për shkak se për raste edhe me rrethana të ngjashme të kryerësve të veprave penale janë shqiptuar dënime të ndryshme. Dhe kjo në opinion ka krijuar një mosbesim të qytetarëve në sistemin gjyqësor në përgjithësi dhe me 15 shkurt të këtij viti është miratuar udhëzuesi për politikë ndëshkimore, i cili në ndërkohë do të vazhdojë në kuptimin e trajnimit të gjyqtarëve edhe hap pas hapi do me thënë të unifikohet kjo praktikë në mënyrë që besimi i qytetarëve të rritet”, ka deklaruar kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.