Enver Zymberi është heroi i Kosovës së pavarur
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar në 12-vjetorin e rënies në detyrë policin, heroin, Enver Zymberi.
“12 vjet më parë, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit, Enver Zymberi sakrifikoi edhe jetën e tij. Me të drejtë, sot ai është heroi i Kosovës së pavarur, guximi dhe vepra e të cilit do të kujtohet ndër breza – si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit. Enver Zymberi nuk ishte aksidentalisht polic. Për të, uniforma e policisë ishte vetëm mënyra e tij për t’i shërbyer Kosovës me nder e krenari – gjë të cilën e bëri deri në frymën e fundit”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka shtuar se sot në këtë Ditë Memoriale, kujtojnë dhe nderojnë jetën dhe veprën e heroit Enver Zymberi dhe të gjithë policëve të rënë në detyrë.