EPIK tregon pse liberalizimi i vizave s’mund të jetë në agjendën e Këshillit të BE-së
Instituti EPIK ka bërë me dije se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka gjasa të bëhet pjesë agjendës së Këshillit të BE-së më 6 dhe 7 dhjetor.
Përmes një komunikate për medie, ky institut ka sqaruar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave, duke treguar se çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian.
“Sot, Instituti EPIK dëshiron të sqaroj se duke marr për bazë Traktatin për Funksionimin e BE-së, neni 294, çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hy në agjendë të Këshillit të BE-së më 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian. Në këtë drejtim, neni 294 specifikon se në leximin e parë Parlamenti Evropian do të miratojë qëndrimin e tij me shumicë të thjeshtë dhe do t’ia komunikojë atë Këshillit. Më pastaj, Këshilli miraton qëndrimin e tij me shumicën e dyfishtë që nënkupton 55 për qind të vendeve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë, dhe akti legjislativ në fjalë miratohet në formën që korrespondon me pozitën e Parlamentit Evropian. Akti legjislativ hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së”, është thënë në komunikatën e EPIK-ut, duke shtuar se votimi i PE-së në këtë javë është i pamundshëm.
“Prandaj, duke marr për bazë Traktatin për Funksionimin e BE-së, neni 294, Instituti EPIK konfirmon se çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hy në agjendë të Këshillit të BE-së më 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian – gjë që është e pamundur të ndodh gjatë kësaj jave”, është vlerësuar në këtë komunikatë.
EPIK-u ka ftuar zyrtarët qeveritar të jenë të kujdesshëm në deklarimet e tyre rreth kësaj çështje. “Duke marr për bazë agjendën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, Instituti EPIK konfirmon se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve. Në këtë kontekst, duke pas parasysh rëndësinë publike të çështjes së liberalizimit të vizave, Instituti EPIK fton të gjithë përfaqësues të institucioneve që të janë të matur dhe të saktë në aspektin procedural të vendimmarrjes në procesin e liberalizimit të vizave”, është theksuar në komunikatën për media të EPIK-ut.
/Epoka e re/