EPIK-u: Emërimi i Lajçakut, momentum i ri për të jetësuar vullnetin e 90 për qind të qytetarëve
Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar Miroslav Lajçak në pozitën e përfaqësuesit special të veçantë të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd.
Me këtë rast, Instituti EPIK e ka mirëpritur emërimin e Lajçakut dhe vullnetin e unifikuar politik të 27 vendeve anëtare të BE-së për të avancuar perspektiven evropiane të Kosovës, dhe gjithë rajonit.
“Ky është një momentum i ri në procesin integrues të Kosovës i cili duhet të jetë bazë për avancimin e rrugës integruese të Kosovës dhe jetësimit të vullnetit të 90% të qytetarëve”.
“Emërimi i sotëm i z. Lajçak përfaqëson unifikimin dhe intensifikimin e vëmendjes politike të BE-së për të përkrahur arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të hap rrugë për anëtarësim në BE”.
“Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka hequr në tërësi tarifë 100% ndaj produkteve të Serbisë. Vendimi i Qeverisë për heqjen e tarifës 100 për qind siguron që Kosova të respektoj obligimet që burojnë nga procesi integrues, avancon bashkëpunimin rajonal dhe krijon mjedis të nevojshëm politik për avancimin e perspektives Evropiane të Kosovës”, është thënë në komunikatën e EPIK-ut.
Sipas kësaj komunikate, Instituti EPIK i ka bërë thirrje spektrit politikë të Kosovës të bashkëngjiten suksesit të vendeve të rajonit në ndërmarrjen e reformave të kërkuara nga BE-ja me qëllim të avancimit të rrugës integruese të Kosovës.
“Rrjedhimisht, dëshirojmë të nënvizojmë rendësin jetike që BE-ja ka në udhëheqjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në me Kosovës dhe Serbisë”.
“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. BE mbetet larg mbështetës më i madh financiar dhe ekonomik i Kosovës dhe rajonit. Anëtarësimi në BE është konsensus më sublim i qytetarëve të vendit, me ç’rast 90 për qind e qytetarëve dëshirojnë anëtarësimin në BE”, është thënë në këtë komunikatë.