EPIK-u: Kosova s’ka treguar vullnet politik për avancimin e rrugës së saj integruese
Instituti EPIK ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Ky institut nëpërmjet një komunikate për medie, duke iu referuar këtij raporti, ka theksuar se Kosova nuk ka treguar vullnet politik për avancimin e rrugës së saj integruese
Komunikata e plotë e Institutit EPIK:
Raporti i Vendit 2019: Kosova nuk ka treguar vullnet politik për avancimin e rrugës së saj integruese
Sot Komisioni Evropian publikoj Pakon e Zgjerimit të përbërë nga Strategjia e Zgjerimit 2019, si dhe gjashtë raporte vlerësuese për secilin vend të Ballkanit Perëndimorë.
Sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriut, Komisioni Evropian rekomandoj nisjen e negociatave. Tani është mbi 28 Shtetet Anëtare të vendosin pra ose kundër këtij rekomandimi.
Sa i përket aplikimit të Bosnjës de Hercegovinës për statusin e kandidatit, Komisioni Evropian nuk rekomandoj dhënien e statusit kandidat, por vendosi 14 kritere që duhet të përmbushen paraprakisht në fushën e zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe reformës së administratës publike.
Sa i përket Kosovës, në përgjithësi vlerësohet se Kosova nuk ka treguar vullnet politik për avancimin e rrugës së saj integruese. Është bërë progres i kufizuar në zbatimin e reformave Evropiane, por ky progres ka mbetur nën hijen e vendosjes së tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. Tarifa është vendosur në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe frymën e Marrëveshjes Stabilizim Asocimi.
Kosova duhet të ndërtojë konsensus politik për të avancuar rrugëtimin e saj integrues, në veçanti duke u angazhuar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, largimin e tarifës 100 për qind dhe intensifikimin e zbatimit të MSA-së.
Sa i përket institucioneve të sundimit të ligjit dhe prokurorisë, duhet të ndermirën masa për të siguruar se këto institucione nuk ndërmarrin veprimet nën ndikimin politik. Korrupsioni është i përhapur në gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik. Kredibilitetit i Qeverisë është dëmtuar nga numri i lartë i zëvendës ministrave.
Emërimet e personave të gjykuar për krime të luftës dhe korrupsion apo krim të organizuar në pozitat publike janë në kundërshtim me vlerat Evropiane.
Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, vendosja e tarifës 100 për qind ka dëmtuar bashkëpunimin rajonal. Institucionet e Kosovës duhet të tërheqin vendimin për tarifën 100 për qind dhe të ndërmarrin masat konkrete drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është urgjente dhe e rëndësisë kyçe për avancimin e rrugës integruese të dy vendeve.
Gjatë konferencës për medie, komisionari Hahn bëri publike se gjatë muajit qershor do të ndërmerr një iniciative të radhës për të ri-aktivizuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me shpresë të arritjes së ndonjë progresi në muajin korrik.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Evropian ka ripërsëritur qëndrimin e tij se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, raporti fton institucionet e Kosovës të vazhdojnë përmbushjen e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe migrimin.
/Epoka e re/