EPIK-u: Kosova vend i fundit në Ballkan për sundimin e ligjit

19 korrik 2019 | 12:55

Instituti EPIK ka realizuar hulumtimin e radhës lidhur me raportin e fundit për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit nga ana e Komisionit Evropian që është  publikua më 29 maj 2019.

Sipas të dhënave të këtij hulumtimi, në vitin 2019 Kosova është vlerësuar se ka “nivel të kufizuar të përgatitjes për anëtarësim në BE” me numrin total të pikëve prej 1.8 nga gjithsej 5 pikë të mundshme. Rrjedhimisht Kosova ishte në vendin e parafundit duke lënë mbrapa vetëm Bosnjën me 1.6 pikë.

Sa i përket sundimit të ligjit, respektivisht kapitulli 23: gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kapitulli 24: drejtësia, liria dhe siguria, Kosova është vend i fundit në Ballkan sa i përket gatishmërisë për tu anëtarësuar në BE.

Po ashtu nga aspekti ekonomik Kosova është vend i fundit në Ballkan në kapitullin 8: politikat e konkurrencës dhe kapitullin 19: politikat sociale dhe punësimi.

Bazuar në gjetjet e hulumtimit të EPIK-ut, Kosova e ndan vendin e fundit në Ballkan me Bosnjën në fushat e mjedisit dhe arsimit.

“Nga viti 2016 Kosova ka bërë relativisht progres më të madh se sa vende të tjera të Ballkanit drejt marrjes së obligimeve që burojnë nga anëtarësimi në BE. Sidoqoftë, ky progres ishte vetëm 0.2 pikë në shkallë prej 5 pikëve. Ky progres i kufizuar  u shënua fal progresit të kufizuar në kapitullin 1: lëvizja e lirë e mallrave, kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 15: energjia, kapitullin 16: tatimi dhe kapitullin 32 kontrolli financiar. Ky progres nuk duhet kuptuar si punë e shkëlqyeshme e institucioneve të Kosovës, por punë e dobët e vendeve të tjera në Ballkan – cilat efektivisht kanë pezulluar agjendën reformuese”, është thënë në hulumtimin e këtij instituti.

Ndërkohë sa i përket progresit në baza vjetore, krahasuar me vitin 2018 Kosova ka shënuar progres të kufizuar në kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 25: shkenca dhe hulumtimi, kapitulli 25: arsimi dhe kultura, kapitulli 28: mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit dhe kapitullin 32: kontrolli financiar.

Ndërsa fushat brenda cilës Kosova ka shënuar regres krahasuar me vitin 2018, janë kapitulli 11: bujqësia dhe zhvillimi rural, kapitulli 17: politikat ekonomike dhe monetare, kapitulli 19: politikat sociale dhe punësimi.

Raporti i fundit për Kosovën dhe vende të tjera të Ballkanit nga ana e Komisionit Evropian ka për qëllim të vlerësoj gatishmërinë e vendit për tu anëtarësuar në BE si dhe  të vlerësoj progresin e bërë brenda vitit të kaluar.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka diskutuar…