EPIK-u numëron shtatë hapat drejt institucioneve të reja të BE-së
Instituti EPIK nëpërmjet ka bërë me dije se më 2 korrik do të mbahet seanca inauguruese e Parlamentit të ri Evropian.
Ky institut nëpërmjet një komunikate për medie ka numëruar disa nga hapat në raport me institucionet e reja të Bashkimit Evropian (BE), të cilat kanë dalë nga zgjedhjet e mbajtura në vendet e BE-së në muajin qershor.
Komunikatë e plotë e EPIK-ut:
7 hapat drejt institucioneve të reja të BE-së
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian 2019 përfunduan. Pyetja është: çfarë tash?
Pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian 2019, tani do të fillon procedura e konstituimit të institucioneve të reja të BE-së.
Duke marr për bazë nenin 17.7 të versionit të konsoliduar të Traktatit për Bashkimin Evropian, Deklaratën 11, shtojcë e traktatit, si dhe afatet kohore të konstituimit të institucioneve të BE-së të dala nga zgjedhjet 2014, janë gjithsej 7 hapat drejt konstituimit të institucioneve të reja:
1. 20-21 qershor: Duke marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve, Këshilli Evropian, me shumicë të kualifikuar, propozon Presidentin e Komisionit Evropian;
2. 2 korrik: Mbahet seanca plenare dhe inauguruese e Parlamentit të ri Evropian dhe bëhet zgjedhja e Presidentit të ri të Parlamentit Evropian;
3. Korrik: Parlamenti Evropian voton presidentin e ri të Komisionit Evropian, me shumicën e votave (të paktën 376);
4. Gusht/shtator: Shtetet anëtare propozojnë komisionarë të tyre, në konsultim me presidentin e Komisionit;
5. Shtator/tetor: Mbahen intervistat e komisionarëve në komisionet parlamentare të Parlamentit Evropian;
6. Tetor/nëntor: Votimi i përbërjes së plotë të Komisionit Evropian nga ana e Parlamentit, me shumicën e votave. Këshilli Evropian, me shumicë të kualifikuar, emëron Komisionin e ri Evropian;
7. Nëntor: Inaugurimi i Komisionit të ri Evropian.
Këto afate kohore mund të tejkalohen në rast të prolongimit të negociatave për ndërtimin e koalicioneve pas-zgjedhore dhe dakordimin e tyre për emërimet e reja, në veçanti për pozitat kyçe: presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Parlamentit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe presidenti i Bankës Qendrore Evropiane.
/Epoka e re/