EPIK: Vetëm 4 prioritete të ERA-së janë përmbushur
Instituti EPIK ka bërë me dije se institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e prioriteteve që dalin nga Agjenda Evropiane e Reformave (ERA).
Përmes një komunikate për medie, ky institut ka vlerësuar se nga gjithsej 22 prioritete, vetëm 4 prioritete janë përmbushur plotësisht. “Sot në dy-vjetorin e lansimit të ERA-s, Instituti EPIK konfirmon se përkundër vonesës prej një viti,institucionet nuk kanë arritur të zbatojnë pjesën dërrmuese të prioriteteve që dalin nga Agjenda Evropiane e Reformave. Sipas vlerësimit të Institutit EPIK, nga gjithsej 22 prioritete, vetëm 4 prioritete janë përmbushur plotësisht. Ndërsa, në të gjitha 18 prioritete të tjera ka pasur progres, mirëpo asnjë nga to nuk është përmbushur në tërësi”, është thënë në komunikatën për medie të EPIK.
Sipas këtij instituti, katër prioritetet e përmbushura plotësisht janë: Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit; Lansimi i prokurimit elektronik; Zbatimi i Strategjisë dhe Planit Veprimit për luftimin e ekonomisë joformale; dhe Përmirësimi i prodhimit të statistikave zyrtare, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
“Përkundër miratimit të Kodit Penal, institucionet nuk kanë arritur të miratojnë edhe Kodin e Procedurës Penale për të siguruar pezullimin/largimin e zyrtarëve publik të akuzuar/dënuar për korrupsion. Institucionet nuk kanë marr masa për të siguruar transparencën e financimit të partive politike. Po ashtu, ka vazhduar politizimi në emërimet e larta në institucionet publike, duke përfshirë institucionet e pavarura, bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencitë rregullatorë. Institucionet nuk kanë treguar vullnet që të ndërmarrin një reformë gjithëpërfshirëse të administratës publike”, është thënë në komunikatë.
/Epoka e re/