Epilogu për krimet ndaj shqiptarëve është dënimi i atyre që i kryen krimet!

02 maj 2020 | 11:48

21 vjet më parë, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

Viktimat u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, por një përkujtim kolektiv, institucional dhe shtetëror si në vitet e kaluara, nuk do të bëhet këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19.

Këtë gjenocid e ka përkujtuar sot edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani:

“21 vjet më parë në Studime të Vushtrrisë nga forcat serbe u vranë 116 shqiptarë.

Brenda dy orësh, teksa po dëboheshin me dhunë për në Shqipëri nga forcat paramilitare serbe, u vranë mizorisht 116 civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra, burra e pleq. Kjo tregon qartazi përpjekjet e regjimit të asaj kohe për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve.

Në këtë ditë, bashkëndjejë me familjet e tyre në këtë përvjetor dhe ua rikujtoj se misioni ynë i vazhdueshëm do të jetë që kryesit e veprës të marrin dënimin e merituar.

Sot, shkaku i pandemisë Covid-19, familjet nuk do të mund të jenë te varrezat e të familjarëve të tyre për t`i kujtuar, por do t`i kujtojmë bashkërisht në secilën familje, sepse ata janë edhe familjarë tanë që dhanë jetën për shtetin dhe lirinë tonë!

Përveç se do t`i rikujtojmë për çdo 2 maj, do ta përsërisim se nuk ka paqe të qëndrueshme pa zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës të bëra nga Serbia.

Ndaj, çfarëdo procesi negociatash nuk ka kuptim nëse drejtësia nuk shkon në vend.

Për krimet ndaj shqiptarëve nuk duhet të ketë aministi. Duhet të ketë vetëm një epilog. E ky epilog është dënimi i atyre që i kryen këto krime!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për 116 civilët e vrarë të Studimes!”

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket sikur koha kur merreshim me Loredanën dhe Mozzik ishte…