EPISTOMOLOGJIA E BURGUT

15 janar 2020 | 12:13

Mergim Bekteshi –

Janari i 2020-së solli në dritë librin e radhës ‘’Burg pas Burgu’’ të autorit tashmë të ndjerë Gani Sylaj. Isha vetëm 13 vjeç kur Gani Syalaj ishte liruar nga burgu, ai ishte edhe më shumë i fuqizuar për të mirën e këtij vendi gjatë qëndrimit në burg, duke i lënë me gishta në gojë e të stepur grupet e caktuar njerëzish të cilët e kishin menduar bashkim vëllazërimin, e Jugosllavinë duke e quajtur si atdheun e tyre. Shumë nga njohësit e historisë, letërsisë dhe filozofisë do të hedhin mendimet sheshazi për këtë libër, por mbi të gjitha ky libër kishte vend për të gjithë.

Nata e mugët e dhjetorit e kishte shoqëruar Gani Sylajn në shtëpinë e tij të lindjes i shoqëruar nga një sërë udbashës (sigurimi jugosllavë) dhe milic të cilët ruanin vetëm perimetrin e vendit të ngjarjes. Përplasja e librave për të kërkuar fjalët plot xhevahir e që në ditët e sotme mund të quhet absurditet, Ganiu e kishte shikuar me kujdes këtë ngjarje. Por mbi të gjitha UDB-ja nuk kishte arritur të gjente muzën e tij, frymëzimin epistiemilogjik për atdheun që e kishte ndërtuar për vite e vite me radhë. Përkundër se Ganiu përcillej me pranga nga shtëpia e që babi i tij e dinte mirë se kthimi i tij ishte tejet i vështirë, ai kërkon nga biri i tij se çfarë të bënte me kushëririn e tij të cilit i kishte premtuar se do t’ia lëshonte shtëpinë për dasmë. Ai së bashku me familjen mbanë dhembjen për vet por i thotë babait se le ta mbaj premtimin, Sheqa duhet të vazhdojë me gazmendin e tij.

Burgosja e tij po e hapte një periudhë të fuqizimit të çështjes shqiptare, kur robëria dhe jugosllavizmi po depërtonte si ushunjëzat. Ai në libër nuk vë vetëm konceptet historike të zhvillimit por ka një kujdes të shquar edhe për gjuhën artistike. Kujtimet e tij hapërojnë lirshëm që kur leximi merr trajtë kënaqësie me ngjanë me Gabon e kur shqyrton detajet me ngjan me Umberton. Tiparizimi dhe heqja e maskës së puthadorëve shqiptarë më ka bërë një përshtypje tejet të mirë, e guximshme dhe pa hatër mbetje kështu ishte drama e vërtetë.

Pas kësaj fillojnë hetimet dhe mizorit e pa para, që gjeneratat e sotme mund ti shohin vetëm nëpër filmat artistik e që pas leximit të librit ato janë një dramë e vërtet. Pjesa e hetimeve ishte pjesa më e vështirë, aty shpirti pluskonte dhe shpesh ikte edhe për tej grilave dhe trupi binte pa ndjenja. Por ai kthehej lehtazi dhe vazhdonte me të njëjtin konstruktivitet; Kosova Republikë, Jugosllavia është armik i shqiptarëve.

Po çfarë kërkonte Ganiu dhe shokët e tij të cilët u gozhduan nga aparati shtetëror jugosllavë? Pyetje e njëmend e përgjigje shumë e thjeshtë, kthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur të shqiptarit e më e pakta Liria. Gjykimi dhe marrja e dënimit e bënte Ganiun edhe më të fortë, kur ai merrte dënimin iu dukej se dënonte gjyqtarin shqiptar për injorancën e paskrupullt, mediokritetin që shkolla juridike e kishte bërë miop.

Pas kalimit të pjesës së parë të hetimeve Ganiu e ndjente nga brenda se ajo nuk do të mbaronte me aq, tortura e dytë përbënë atë pjesën e fudullëkut shqiptar, hetuesi shqiptar qante para dorëzimit kur nuk nxjerrë as një provë relevante nga Ganiu duke ju ankuar se ishte i mishëruar me Jugosllavinë dhe ishte rridhte nga familja e heronjve të LNÇ-së. Por Ganiu vazhdonte po me të njëjtën përgjigje, nuk e njihte aparatin shtetëror dhe fytyrat e damkosura të LKJ-së që gjaku i tyre ishte jugosllav, hetuesit bëheshin edhe më bishë.

Në burg ai shpërfaq identitetin e shqiptarit, me humanizmin dhe lartësinë intelektuale aq sa bëhen edhe kureshtar edhe grupet tjera të kombeve në burg duke mos përjashtuar edhe drejtorin e burgut. Heqja e nën këmishës nga trupi për t’ia afruar një të dënuari me nacionalitet tjetër, ishte shëmbëlltyrë se Ganiu ishte kundër aparatit të dhunës, sistemit të imponuar duke u bazuar vetëqeverisjen socialiste, oligark të cilët e kishin interpretuar Marksin për teket e Jugosllavisë të cilës dal ngadalë po i oksidohej baza tyre, nga grupet tjera, student e shqiptarë të denjë që mbledhshin si atome të veçuara për të krijuar lëndën e penguar për dekada me radhë edhe shekuj.

Janë edhe ngjarje e ngjarje të tjera të rrëfyera nga autori, secila më e bukur se tjetra kur flasim për gjuhën artistike, por me plot tmerre të përjetuara apo siç thotë autori ‘’ hetime, torturat, gjykime, nga njëra anë, qëndresë, shpresë dhe ngadhënjim në anën tjetër’’. Pastaj duke vazhduar:’’ Në mes jeta e përditshme në burg: ditë, natë, javë muaj, vite dhe decenie’’.

Daljen nga burgu dhe kthimin në shtëpi autori e kishte bërë natën ashtu siç ishte larguar nga shtëpia i prangosur në natën e pabesë i shoqëruar me makinën e UDB-së e që padyshim kishte kaluar përmes rrugës me ujë*për të humbur gjurmët e një shqiptari , kjo është ajo pjesë kur kuptohet me së miri nga autori zgjedhja e imponuar për tu larguar natën nga shtëpia dhe kthimi i tij me dëshirë po natën. Rrëfimi i tij i përsosur kurrë nuk lartëson vetveten, por shokët e idealit dhe dritë diellin i cili ishte zënë nga Jugosllavia e Titos e aq më shumë nga Fadil Hoxha e disa e disa të tjerë.

Autori iku herët nga kjo botë duke i mbetur borxh lexueseve për rrëfimet edhe të dy decenieve të tjera nga 1990-1999 dhe nga 2000 deri në 2010. Por sido që të jetë ai solli një libër me kujtime nga burgu e veçanta për nga rrëfimi, e mjaftueshme edhe për citim shkencor por mbi të gjitha kushdo që e ka njohur apo ka dëgjuar për Ganiun në këtë libër ju do të bisedoni me të, ju me pyetje dhe ai më përgjigjet mbresëlënëse.

*Një pjesë e rrugës në hyrje të fshatit Kishnarek kalohej për mes rrjedhës së ujit që gjatë vjeshtës ngrihej niveli i tij, tani rruga është e asfaltuar dhe rrjedha e ujit kalon përmes gypave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Florian Loshaj është prezantuar të klubi polak, Craiova. Mesfushori nga…