Epitafet e njerëzve të famshëm
E vështirë për t’u menduar, por ka edhe nga ata që vdekjen e kanë pranuar lehtësisht dhe e kanë shfrytëzuar varrin e tyre jo vetëm për të dhënë mesazhe të forta, por edhe për të bërë ironi.
“Jezus, mëshirë”, është epitafi i Al Kapones, gangsteri amerikan me origjinë italiane, që u bë i njohur në të gjithë botën nëpërmjet punëve të paligjshme, por edhe nëpërmjet karakterit të fortë e zemrës së mirë.
“Më e mira është akoma duke ardhur”, shkruhet mbi varrin e këngëtarit dhe aktorit të njohur Frenk Sinatra, i cili me këngët e tij përcolli më së miri frymën amerikane kudo në botë.
“Ky është fundi i Tokës! Unë jam i lumtur”, janë fjalët që gjenden në gurin e varrit të Xhon Kuinci Adams, presidenti i gjashtë të SHBA-së. Sipas historianëve ai ishte diplomati dhe sekretari më i mirë i Shtetit që ka pasur ndonjëherë politika amerikane.
“Një varr i mjafton atij, për të cilin bota nuk ishte e mjaftueshme”, është epitafi i Aleksandrit të Madh, mbretit të Maqedonisë dhe pushtuesit të madh që sundoi botën.
“Kjo është e gjitha, njerëz!”. Këto ka menduar t’i lërë botës mbi varrin e tij, Mel Blank, aktori amerikan, zëri i të cilit është dëgjuar përgjatë gjithë karrierës së tij në dublimin e filmave vizatimorë dhe në reklamat e kohës.
“Mos provo”, paralajmërimi shumë provokues i Çarls Bukovskit, poeti madhështor realist, poezitë e të cilit përshkohen prej notave të forta të vërtetësisë, të shoqëruara me mesazhe të thella për njerëzimin.
“Jam gati të takoj Krijuesin tim. Nëse Krijuesi im është përgatitur për përvojën e hidhur të takimit me mua, kjo është punë tjetër”, thotë politikani legjendar britanik Uillson Çërçill, që e udhëhoqi Britaninë e Madhe suksesshëm përgjatë Luftës së Dytë Botërore.
“I palindur, i pavdekur: e vizitoi planetin Tokë midis 11 dhjetorit 1931 dhe 19 janarit të 1990-s”, epitafi i Osho-s, gurusë së famshëm indian me miliona ndjekës shpirtërorë, që i mësoi botës urtësinë e të jetuarit thjeshtë dhe me shumë dashuri e mençuri.
“Ajo veproi sipas mënyrës së vështirë”, shkruhet në varrin e Bette Davis, aktores së njohur amerikane të shekullit të shkuar, e cila përmendet kudo për rolet e saj të luajtura thellësisht bukur në skenat e teatrove dhe në shesh-xhirimet e filmave.
“Unë pata një grindje dashurie me botën”, ky është epitafi i poetit Robert Frost, vepra e të cilit i ka dhënë botës një tjetër këndvështrim për jetën dhe dashurinë.
“Përshëndetje Zot”, janë fjalët që Mahatma Gandi donte që bota t’i lexonte në varrin e tij. Ai është udhëheqësi i Indisë për pavarësi dhe frymëzuesi i lëvizjeve paqësore për të drejtat civile dhe liri në botë.
“E vërteta për shpirtin tuaj”, porosia e fundit e Xhim Morrison për adhuruesit e tij. Këngëtari dhe poeti amerikan ishte ylli i rrokut të bandës “The Doors”, që shkroi historinë e muzikës amerikane dhe që vdiq prej varësisë ndaj alkoolit në Paris në moshën 27-vjeçare.
“I lirë më në fund. I lirë më në fund. Faleminderit Perëndi e Plotfuqishme që jam më në fund i lirë”, thirrja e Martin Luter Kingut, udhëheqësi i njerëzve me ngjyrë në përpjekjet e tyre për të fituar të drejtat dhe krijuesi i fjalimit më të famshëm “Unë kam një ëndërr”.
“Kundër teje do ta përplas veten të pandotur dhe të paepur, o Vdekje”, fjalët e fundit të Virxhinia Ulf, poetes që u vetëvra në dëshpërimin më të thellë duke u mbytur në lum, ashtu si Ofelia e Shekspirit.
“Punëtorët e të gjithë tokave të bashkohen. Filozofët vetëm e kanë interpretuar botën në rrugë të ndryshme; kryesore është ta ndryshojmë”, u bën thirrje njerëzve Karl Marksi, socialisti revolucionar dhe filozofi gjerman, në bazë të teorive të të cilit u themelua komunizmi.
Epitafe qesharake
“Këtu shtrihet gruaja ime, (më në fund) këtu shtrihet ajo, Haleluja! Haleluja, në një varrezë në Leeds”. Është epitafi që një i panjohur ka vendosur t’i lërë gruas së vet, me të cilën duket se nuk shkonte edhe aq mirë.
“Të thashë që isha i sëmurë”, janë fjalët që ankohen dhe ironizojnë frymën mosbesuese të njerëzve për ata që janë të sëmurë dhe që rrezikojnë të vdesin. Mesa duket personin në fjalë nuk e kanë besuar kur ka thënë që ishte i sëmurë dhe në rrezik.
“Fëmijët e Izraelit kërkuan bukë dhe Zoti i dha qiqra, një klerik i vjetër kërkoi një grua dhe djalli i dha atij Anën”, një tallje e shkruar mbi një varr në Angli, ku mesa duket një tjetër bashkëshort i pakënaqur tregon për gruan e tij, kujtimin e së cilës nuk do ta harrojë as pas vdekjes.
“Këtu gjendet trupi i Xhonatan Bleik, këmba e të cilit shtypi gazin në vend të frenave”, një mënyrë shakaje për të kujtuar djalin, që pësoi një aksident automobilistik në Pensilvani.
“Unë isha dikush, cili, nuk është puna juaj”, duket se fytyra e ngrysur e dikujt, nuk u zbut aspak prej vdekjes, në varrezat e Vermontit.
“Këtu gjendet Ezekial Aikle, 102 vjeç, e mira vdes shpejt”, një nga epitafet më gazmore, që flet për plakun që vdiq shumë vonë, sepse mbase nuk ishte aq i mbarë sa duhej.
“Këtu shtrihet Xhoni Jest, më falni që nuk po ngrihem”, mbishkrimi më i bukur nga të gjitha epitafet e shkruara ndonjëherë gjendet në Nju Meksiko. Humori me nota angleze tregon për traditën e përshëndetjes në këmbë, të cilën të vdekurit nuk mund ta respektojnë.
“Këtu gjendet një ateist, i veshur dhe i bërë gati, pa asnjë vend ku të shkojë”, sarkazma e thellë e një ateisti në Merilend bie mbi vdekjen, të cilën e përshkruan si një përgatitje të kollarisur pa asnjë qëllim.
“Më lini të qetë, jam duke fjetur”, fjalët e një vajze që ka zgjedhur ta përshkruajë vdekjen shumë lehtësisht si një gjumë që e dëshironte.
“Këtu shtrihet Lester Moore, i cili i dërgoi gruas një mesazh që duhej t’ia çonte dashnores, as më shumë, as më pak”, ironia që ka shoqëruar një burrë tradhtar pas vdekjes.