‘Epoka Abramoviq’ lë Chelsean me pasoja! Pas gjobës nga UEFA, rrezikohet edhe heqja e pikëve

10 gusht 2023 | 11:44

Premier Liga është duke e hetuar Chelsean për shkelje të mundshme të rregullave financiare gjatë pronësisë së klubit nga Roman Abramoviq.

Pronarët e rinj të Chelseas kanë raportuar klubin e tyre në UEFA dhe Premier Ligë pas blerjes së aksioneve të tyre verën e kaluar. Aktualisht, Chelsea nuk është akuzuar për asgjë nga Premier Liga.

Por, nëse ndaj tyre ngrihen akuza dhe nëse ata shpallen fajtorë për shkelje të rregullave, sanksionet mund të përfshijnë një gjobë ose një zbritje pikësh. Më 28 korrik, UEFA ka njoftuar se kishte gjobitur Chelsean me 10 milionë euro (8.6 milionë paund) për “dorëzimin e informacionit financiar jo të plotë” mes viteve 2012 dhe 2019. Pasi është kontaktuar nga “Sky Sports News”, Chelsea ka zgjedhur që të mos komentonte. Abramoviqi e kishte blerë klubin në vitin 2003 për 140 milionë paund, me Chelsean që kishte fituar vetëm një titull kampion në vitin 1955, Kupën e Kupave 1971 dhe tre Kupa FA midis 1970 dhe 2000.

Por investimi i miliarderit rus ka rezultuar në pesë tituj Premier Lige, pesë Kupa FA, tre Kupa të Ligës, dy Liga të Kampioneve, dy Liga Europe, dy Superkupa Anglie dhe një Superkupë Europe.

Trofeu i fundit që blutë e Londrës e kanë fituar nën drejtimin e Abramoviqit ishte Kupa e Botës për Klube në shkurt 2022, e cila ka ardhur vetëm një muaj para se rusi të shiste klubin pas vendosjes së sanksioneve nga qeveria britanike për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Investitori Tod Bohli ka marrë drejtimin e klubit në verën e vitit 2022, me Chelsea që përfundoi i 12-ti në renditjen e Premier Ligës në sezonin e parë të amerikanit në krye.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka kritikuar qasjen…