“Epoka e re”, 18 vjet me Ju

25 janar 2018 | 10:54

Me rastin e 18-vjetorit të themelimit të gazetës “Epoka e re” shumë personalitete të jetës politike, arsimore dhe shkencore kanë folur për rolin e saj për informimin e publikut gjatë kësaj periudhe.

Në këto kohë të transformimit të mënyrës se si po krijohet dhe plasohet lajmi, ata kanë bërë me dije se shoqëria jonë ka nevojë për media të konsoliduara të cilat nuk e mjegullojnë opinionin publik, por e qartësojnë atë. “Epoka e re” është themeluar më 15 dhjetor 1999, por numri i saj i parë ka dalë më 25 janar 2000.

 Veseli: “Epoka e re”, pjesë e rëndësishme e zhvillimit të shoqërisë dhe shtetit

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së: “Epoka e re” është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të shoqërisë dhe shtetit tonë që nga liria. Zhvillimi i medieve në Kosovë ka qenë një prej rrëfimeve të suksesshme të vendit tonë. Jam i vetëdijshëm se, sikur në çdo sferë, edhe në punën tuaj jeni përballur me plot sfida, por vullneti dhe dashuria për ta informuar publikun, për të qenë rrëfyes i historisë sonë më të re, ka mposhtur çdo pengesë. Unë i uroj edhe shumë vjet jetë gazetës, në çfarëdo dimensioni të saj dhe do të jem përherë një përkrahës i medias së lirë, asaj që në radhë të parë transmeton zërin e qytetarëve.

 Sejdiu: Guximshëm “Epoka…” është marrë me tema të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi

Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës: “Epoka…” në vitet e kaluara ka luajtur rol jashtëzakonisht të veçantë dhe të rëndësishëm në proceset e informimit të përgjithshëm të lexuesve dhe të opinionit në Kosovë. Guximshëm është marrë me tema të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi, posaçërisht është për t’u vlerësuar qasja e saj në vitet e fundit, duke qenë joanuese për subjektet politike apo për institucionet. Ajo ka pasur vlerësim kritik ndaj zhvillimeve të përditshme, duke i pasur parasysh edhe iniciativat për tema të rëndësishme që ajo i ka shtruar në faqet e veta. Ka qenë besnike e një politike konsistente dhe korrekte, duke ndërtuar një format të qëndrueshëm si gazetë dhe, po ashtu, është zhvilluar edhe në pjesën e medieve elektronike. Në këtë qasje, karshi një konkurrence të madhe, sidomos në rrafshin elektronik që bëhet shpesh edhe në mënyrë joparimore dhe me anime të dirigjuara, mendoj se “Epoka…” ka qenë asnjanëse në kuptimin pozitiv, duke qenë faktor dhe sy kritik real për proceset. Uroj që edhe në të ardhmen ta zhvillojë një politikë kreative në fushën e gazetarisë,dhe të merret me tema të përgjithshme nëpër të cilat kalon vendi. Njëkohësisht, të merret me analiza më të thelluara, me të cilat mund të kontribuojë për zhvillimet që janë në interes të vendit. Uroj që ekipi i sotëm i kësaj gazete të shënojë sukses të reja.

Krasniqi: Me të drejtë e mban emrin “Epokë e re”

Jakup Krasniqi, ish-kryeparlamentar dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës: Edhe rruga e gazetës “Epoka e re” është si jeta e çdo njeriu e çdo mediumi në 18 vjetët e lirisë e 10 vjetët e pavarësisë, sidomos i atyre njerëzve e mediumeve që ngritjet i kanë për mbrojtje të zhvillimeve përparimtare në Kosovë dhe vlerave tona në rrethana të vështira. Ajo me të drejtë e mban emrin “Epokë e re”. Suksese!

Grabovci: “Epoka e re”, mbrojtëse e shtetit të Kosovës

Adem Grabovci, anëtar i kryesisë së PDK-së: “Epoka e re” ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. “Epoka e re” ka ecur suksesshëm gjatë këtyre 18 vjetëve. Kjo gazetë vazhdimisht ka qenë mbrojtëse e vlerave të luftës së UÇK-së dhe e shtetit të Kosovës. Po ashtu, “Epoka e re” gjatë këtyre viteve ka arritur që me profesionalizëm të trajtojë tema të cilat kanë qenë në interes të publikut. Me këtë rast, stafit të gazetës “Epoka e re” i uroj suksese në misionin e tij informues.

Topalli: “Epoka e re” ka pasur rol shumë dinjitoz

Faton Topalli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje: Gazeta “Epoka e re” është një prej gazetave që e kam lexuar nga koha në kohë. Mendoj se ka pasur rol shumë dinjitoz. Atë që mund ta them sot është një emër që ka mbetur në kujtesën e njerëzve, një emër që, kur të përmendet “Epoka e re”, dihet se për çfarë është fjala. Mendoj se është pjesë e rëndësishme e medieve të Kosovës, prej kohe në kohë. “Epoka e re”, ka ndikuar që të këtë informacione më shumë rreth çështjeve specifike. Në mendimin tim të përgjithshëm “Epoka e re”, është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të medieve të Kosovës. Urime!

Image result for faton topalli

 Mushkolaj: Ishte dhe mbetet një dritare e rëndësishme informimi

Imer Mushkolaj, kryetari i Këshillit të medieve të shkruara të Kosovës (KMShK): “Epoka e re” ishte dhe mbetet një dritare e rëndësishme informimi. Ajo hyri fuqishëm në treg, me një grup të ri gazetarësh, të cilët i thoshin gjërat pa frikë, guximshëm dhe drejtpërdrejt. “Epoka e re” shërbeu edhe si shkollë gazetarie për qindra gazetarë, të cilët gjetën mundësi në këtë gazetë të punojnë profesionalisht. Në vitet e para të pasluftës nuk ishte e lehtë që gjërat të thuheshin troç, por “Epoka e re” e bëri pikërisht këtë, duke sjellë në vëmendje të publikut tema interesante dhe të guximshme. “Epoka…” ia doli t’i përballojë të gjitha sfidat dhe po e shënon 18-vjetorin e botimit në rrethana të reja, por gjithnjë do të mbetet prijatare e një gazetarie të munguar atëbotë, e një gazetarie të guximshme.

Image result for imer mushkolaj

Reka: Për gati dy dekada faqet e saj u bënë tribunë e mendimit kritik për shoqërinë

Blerim Reka, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare: Për historinë, 18 vjet nuk janë shumë. Mirëpo për një gazetë që lindi në kohë të vështira dhe mbijetoi në një kontekst po aq të rëndë postkonflikti, nuk janë pak. Aq më tepër që ideja e themeluesve të saj, siç del edhe nga vetë emri, ishte hapërimi në: një epokë të re, me entuziastë të rinj e me filozofi të re gazetarie. Për gati dy dekada faqet e saj u bënë tribunë e mendimit kritik për shoqërinë e Kosovës së pasluftës dhe vëzhgues aktiv i tranzicionit: nga protektorati në pavarësi.

Aliu: Urime 18-vjetori gazetës “Epoka e re”!

 Agim Aliu, kryetar i Ferizajt: Një shoqëri e lirë përveç atributeve të tjera në themel të saj ka lirinë e shprehjes. Për ta realizuar një mision të tillë kaq të rëndësishëm për lidhjen në mes shoqërisë dhe politikëbërësve shërben shtypi. Gazeta “Epoka e re” feston 18 vjetorin e themelimit dhe në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, shpreh urimin tim për punë të suksesshme në të ardhmen si dhe njëkohësisht falënderoj drejtuesit e kësaj gazete për korrektësinë e raportimeve lidhur me komunën e Ferizajt. Në dinamikën e përditshmërisë, media apo pushteti i katërt siç quhen janë misionarët fisnik të informimit tek publiku dhe adresa e pashmangshme e planifikimeve tona gjithmonë në dobi të interesit qytetar.

Image may contain: 1 person, smiling, sitting, screen, office and indoor

Latifi: Uroj më shumë suksese dhe mbarësi në rrugëtimin tuaj të mëtutjeshëm

Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit: Gazeta “Epoka e re” për këta 18 vjet të funksionimit të saj ka trajtuar tema të rëndësishme në fushën e politikës, ekonomisë, kulturës dhe një vëmendje të posaçme i ka kushtuar çështjes kombëtare, përkatësisht ruajtjes së vlerave të luftës së UÇK-së. Ka nderuar figurat e rëndësishme të historisë së popullit dhe vendit tonë. Uroj të keni edhe më shumë suksese dhe mbarësi në rrugëtimin tuaj të mëtutjeshëm, që nuk do të jetë aspak i lehtë kur kemi parasysh gjendjen e medieve në përgjithësi në shtetin tonë. Por, ju inkurajoj ta vazhdoni punën tuaj profesionale për ta informuar opinion në mënyrë që gazeta “Epoka e re” të ketë edhe më tutje një rol në jetën politike e shoqërore të Republikës së Kosovës.

Tahiri: “Epoka e re” shënoi një epokë të re në fushën e medies

Edita Tahiri, kryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës dhe ish-ministre: “Epoka e re” për tetëmbëdhjetë vjet të punës shënoi një epokë të re në fushën e medies në Kosovën e pasluftës. Profesionalizmi, lajmet e drejta dhe analizat e mediumit tuaja janë shquar me mendim kritik, duke i kontribuar demokracisë, shtetndërtimit dhe lirisë, edhe etikës në gazetari. Në këtë kohë kur lajmet e rrejshme janë bërë një sfidë për paqen dhe sigurinë globale, “Epoka e re” ka arritur me sukses të shmanget nga ndikimet e kësaj dukurie të dëmshme. Ju uroj suksese në punën tuaj për ta paraqitur realitetin dhe vazhdoni të mos lejoni pseudo-realitet që aq shumë ka vërshuar në këtë kohë. Ka qenë dhe mbetet kënaqësi për mua si politikane të bashkëpunoj me “Epokën e re”.

Haziri: Këta 18 vjet të “Epokës…” nuk mund të ndahen nga epoka e Kosovës

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit: Fjala e lirë në Kosovë, pas vitit 1999, lidhet ngushtë edhe me 18-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe të fjalës së lirë të gazetës suaj. Ka qenë një gazetë e cila u ka mbijetuar të gjitha sfidave të të gjitha kohëve, duke plasuar lajmin dhe të vërtetën gjithmonë si parakusht për të qenë medium i besueshëm. Këta 18 vjet të “Epokës…” nuk mund të ndahen nga epoka e Kosovës, kështu që edhe emri i gazetës, edhe ju e përshkruani historinë e zhvillimit dhe të demokratizimit të Kosovës. Për hair përvjetori! Ju jeni më të vjetër se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Pra, pas Lidhjes Demokratike të Kosovës vini ju.

 Gashi: “Epoka…” ka shënuar vërtet epokën e re të Kosovës

Ibrahim Gashi, profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare: Shpreh urimin dhe respektin tim për punën e madhe 18-vjeçare të mediumit tuaj. Konsideroj se “Epoka…” ka shënuar epokën e re të Kosovës. Ajo lindi bashkë me Kosovën e re dhe të lirë. “Epoka e re” mbetet gazeta më konsistente në politikën e saj redaksionale të prezantimit të paanshëm, por edhe afirmativ të vlerave më të larta kombëtare dhe shtetërore. Ka qenë dhe vazhdon të jetë një burim i informacionit për mijëra lexues të cilëve u qëndroi besnik dhe i qëndruan besnik. E mbijetoi edhe konkurrencën jo shumë lojale edhe në periudhën e digjitalizimit dhe të informacionit online. Stafit në përgjithësi dhe drejtuesve të gazetës dhe portalit i dëshiroj suksese të reja, por duke ruajtur profilin dhe besueshmërinë që keni ndërtuar këtu e 18 vjet më parë.

Image result for ibrahim Gashi

Maliqi: Kam përvojë pozitive të bashkëpunimit me “Epokën…” që nga themelimi i saj

Shkëlzen Maliqi, analisti politik: Ka kohë që nuk lexoj gazeta të shtypura. Informohem nga portalet, kështu që vetëm pjesërisht e përcjelli “Epokën…”. Megjithatë, kam një përvojë pozitive të bashkëpunimit me “Epokën…” që nga themelimi i saj. Gjatë këtyre 18 vjetëve, edhe pse kam shkruar për mediume të tjera, kjo gazetë ka qenë më konsistentja dhe korrektja në kërkimin e opinioneve të mia qoftë përmes intervistave, qoftë deklaratave, pa i censuruar asnjëherë edhe kur ato nuk kanë qenë ‘popullore’. Çfarë nuk ndodhte me mediumet e tjera me përzgjedhje selektive, që të kujtojnë vetëm kur u konvenon ose të fshijnë nga lista e bashkëpunëtorëve. Për këtë arsye e kam çmuar gjithnjë “Epokën…”, pa qenë i saj.

Hoxha: “Epoka…” promovoni me konsekuencë vlerat e qytetarëve dhe shtetit

Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Evropian: Stafin e “Epoka e re”, me rastin e 18-vjetorit të themelimit, e uroj dhe përgëzoj për punën fisnike në shërbim të informimit të drejtë e objektiv. Puna juaj e përkushtuar ka zënë vend në gazetarinë tonë për guximin e trajtimit të temave me peshë dhe interes nacional. Më shumë se kaq, ju promovoni me konsekuencë vlerat e qytetarëve dhe të shtetit tonë. Urime dhe gëzuar!

Ferati: “Epoka e re” ka luajtur rol në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova

Sadri Ferati, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK): “Epoka e re” ka qenë një begati në botën e medieve të shkruara, duke luajtur rol shumë të mirë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ka pasur dhe ka hapësirë për të gjithë spektrin politik, pa dallime. “Epoka…” është shumë korrekte. Nga përvoja ime mund të them se gjithmonë është pasqyruar ajo që ka thënë bashkëbiseduesi. Prandaj jua uroj përvjetorin dhe ju përgëzoj për punën e palodhshme, duke ju dëshiruar punë të mbarë edhe më tutje. Po ashtu, ju inkurajoj të vazhdoni me këtë qasje korrekte dhe me këtë përkushtim për të gjitha proceset me interes për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

 

Nurellari: Kjo gazetë përkujdeset edhe për shqiptarët që jetojnë në shtete të tjera

Adri Nurellari, politolog: Gazeta “Epoka e re” shërben si një dritare e hapur për artikulimin e të gjitha opinioneve pavarësisht prej përkatësive apo orientimeve ideore duke dhënë kontribut të çmuar për kultivimin e frymës së pluralizmit dhe debatit në jetën publike në Kosovë. Po ashtu, kjo gazetë kujdeset që të ruajë një vetëdije dhe përkujdesje për zhvillimet politike të shqiptarëve që jetojnë në shtetet e tjera, që shpesh harrohet nga mediet e tjera që janë tejet të zëna me intensitetin e zhvillimeve të përditshme në Kosovë. Një tjetër gjë që më pëlqen tek kjo gazetë është ruajtja me fanatizëm e formatit të intervistës së gjatë që bën të mundur trajtimin me hollësi dhe thellësi të problemeve të ndryshme, ndërkohë që ky zhanër në gazetarinë e sotme është në prag të zhdukjes.

Shurdhaj: “Epoka…” çdoherë ka mbrojtur kategoritë e dala nga lufta

Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së: “Epoka e re” e ka bërë një punë shumë të mirë. Ajo çdoherë u ka dhënë përkrahje kategorive të dala nga lufta, të cilat kanë dhënë shumë për Kosovën. Me këtë rast, e përgëzoj këtë gazetë për punën dhe angazhimin e saj që ka bërë për këto kategori. Mendoj se edhe në të ardhmen kjo gazetë do t’i përkrahë këto kategori, sepse këta njerëz e meritojnë të përkrahen jo vetëm nga “Epoka e re”, por nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nga institucionet e shtetit tonë.

 Rusinovci: “Epoka e re” ofron burime të sakta informative

Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP: Shpreh falënderim të veçantë për stafin e “Epokës së re”, e cila po hynë gjithnjë e më vrullshëm në diskursin publik në vendin tonë, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në botimin e artikujve relevantë të hulumtuar mirë, opinione dhe analiza të mira. “Epoka e re” vazhdimisht ofron burime të sakta informative nga fushat e ndryshme, ndërsa unë rëndomë e lexoj dhe e përcjell me dashamirësi fushën e ekonomisë së saj. Ju dëshiroj shumë suksese për shumë punë të mëdha që ju presin në vazhdimësi.

Musliu: Kosovës i duhet një medie si “Epoka e re”

Ganimete Musliu, deputete e PDK-së: 18 vjet me “Epokën e re” do të thotë 18 vjet sfidë për ta informuar drejt opinionin mbarëshqiptar. Sot më shumë se kurrë vendit tonë i duhen medie si “Epoka e re”, e cila informon dhe argumenton drejt e në kohë. Edhe sot kur komercializmi ka shkatërruar edhe rregullat bazike të gazetarisë, “Epoka e re” vazhdon t’i qaset me profesionalizëm çdo detaji dhe vazhdon t’i mbetet besnik lexuesit të saj. Sot kur po i mbush gati dy dekada, uroj që ekzistenca dhe suksesi i saj t’u rezistojnë shekujve dhe përjetësisht të mbetet “Epokë e re”. Urime!

Lekaj: “Epoka e re” e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat

Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës: “Epoka e re” është një nga gazetat e cila e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat e zhvillimit, që nga paslufta e deri më sot, duke qenë në krahë të zhvillimeve pozitive, kritikuese dhe korrektuese aty ku është parë e nevojshme. Me një fjalë, “Epoka e re” Kosovën e ka ndihmuar ta zhvillojë veten në epokën e parë të shpalljes së saj shtet i pavarur. E uroj stafin e gazetës dhe të gjithë punonjësit e saj për këtë përvjetor, duke u thënë mos e ndalni punën fisnike që bëni në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Urime!

Shala: Gazeta më e lexuar nga kategoritë e dala nga lufta

Migjen Shala, nënkryetar i OVL-UÇK-së: “Epoka e re” për OVL-UÇK-në është dhe mbetet gazeta më e lexuar. E falënderojmë stafin e kësaj gazete e cila përcjell çdo aktivitet të OVL-UÇK-së. Kjo gazetë ka qenë mbrojtësja kryesore e vlerave të luftës së UÇK-së dhe çdoherë ka qenë në krah të drejtë. Suksese për gazetën tuaj dhe jetofshi gjatë!

 Hasani: “Epoka e re” ka informuar në çdo kohë me lajme të besueshme

Nait Hasani, deputet i PDK-së: “Epoka e re” ka dhënë kontribut të veçantë për qytetarët e Kosovës, të cilët i ka informuar në çdo kohë me lajme të besueshme dhe të sakta për zhvillime të ndryshme në vend.

Lajçi: “Epoka e re” ka reflektuar në spektrin tonë të mendimeve

Ali Lajçi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje: “Epoka e re” është një prej gazetave që, faktikisht, ka reflektuar në spektrin tonë të mendimeve të ndryshme. Kjo gazetë ka kapur alternativa, probleme të ndryshme dhe të gjithanshme, institucionale etj., e që sigurisht jetëson një vakum në kuadër të krejt mediumeve publike dhe shoqërisë në Kosovë.

Berisha-Shala: “Epoka e re”, gazetë në harmoni me emrin!

Sala Berisha-Shala, deputete e PDK-së: “Epoka e re” është gazetë në harmoni me emrin. 18 vjet më parë shënohet “epokë” edhe në gazetari. Gazetë që nuk ka pasur për qëllim të ofrojë lajme sa për të lexuar/klikuar (kuantitet lexuesish), që nuk është në vrap për të bërë lajme të paselektuara vetëm që të ketë lexues të çfarëdoshëm. Pra, është gazetë që filtron lajmin në kuptimin e korrektësisë dhe për pasqyrimin e realitetit. Ofron edhe rubrika të tjera të rëndësishme edha për lexuesit kritikë dhe të mirëfilltë.

Kuçi: “Epoka e re” është rritur me Kosovën

Blerim Kuçi, deputeti i AAK-së: “Epoka e re” është rritur me Kosovën e re, në kuptimin si shtet. Në vazhdimësi e kam përcjell punën e “Epokës së re”, prandaj mund të them se ka qenë korrekte, e pavarur në sfidat e caktuara, ka reflektuar karshi zërit të qytetarit.

Hoti: “Epoka e re” ka sjellë dinamikë dhe transparencë

Enver Hoti, deputeti i Nismës për Kosovën: Mendoj dhe jam i bindur se “Epoka e re” ka qenë një gazetë që ka sjellë një dinamikë shtesë në transparencë, në të vërtetën dhe në edukimin dhe emancipimin e opinionit publik me qasjen e saj në përgjithësi ndaj gazetarisë. E vlerësoj lart bashkëpunimin me ju dhe informacionin që e sillni në kohë reale dhe me korrektesë.

Gërxhaliu: “Epoka e re” ka ndikuar që shumë procese ekonomike të marrin epilog

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK): “Epoka e re” prej vitesh ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike në vend, duke na sjellë lajme të analizuara mirë dhe me kohë. Në këtë kontekst bashkëpunimi me gazetarët e gazetës “Epoka e re” mua ma ka lehtësuar shumë punën dhe ka ndikuar që shumë procese ekonomike ta marrin epilogun duhur.

Murati: Intervista tematike mbetet pjesa me më ndikim e gazetës

Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim: Së pari i uroj stafit të “Epokës së re” gjithë të mirat në këtë 18-vjetor, me besimin se edhe në vitet e ardhshme do të jetë zë i fuqishëm në skenën tonë mediale. Në këto kohë të transformimit të mënyrës se si po krijohet dhe plasohet lajmi, ne kemi nevojë për media të konsoliduara, të cilat nuk e mjegullojnë opinionin publik, por e qartësojnë atë. “Epoka e re” vitin e fundit ka bërë një hap cilësor duke e lidhur gazetarinë e shtypur me atë elektronike dhe duke i dhënë një rëndësi më të madhe edhe portalit dhe lajmeve në të. Gjithashtu, intervistat tematike mbeten pjesa me më ndikim e gazetës edhe këtë vit, duke pasur ndikim në hapjen e temave që dalin nga këto intervista edhe në mediat e tjera dhe në opinionin publik në përgjithësi. Besoj se kjo është një rrugë e duhur që duhet të ndiqet edhe në të ardhmen. Mbi të gjitha, duhet bërë të gjitha përpjekjet që të ruhen vërtetësia dhe korrektësia.

Lladrovci: “Epoka e re” s’matet me vitet e saj, por me mesazhet liridashëse

 Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit: “Epoka e re” nuk matet me vitet e saj, por me mesazhet e pastra liridashëse, duke qenë në anën e ndritshme të gazetarisë në nivel nacional. Ky 18-vjetor i themelimit tregon për konsekuencën e stafit tuaj, për të qenë në shërbim të qytetarëve, me theksin e veçantë ndaj historisë sonë të re, synimeve dhe vizionit euroatlantik. “Epoka e re” mbetet vërtet epokë e re e gazetarisë sonë. Gëzuar dhe suksese stafit, dhe qëndrueshmëri në rrugën tuaj fisnike për informim objektiv e të dobishëm! Urime!

Bytyçi: “Epoka e re”, vlerë e pakontestuar

 Shyqyri Bytyçi, ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë: 18 vjet punë e palodhshme e gazetës “Epoka e re”, e cila udhëhiqet nga aktivisti i mëparshëm studentor, i cili nuk ka ndalur së botuari shkrime autentike e kritike rreth ngjarjeve politike në Kosovë. “Epoka e re” është një vlerë e pakontestuar e gazetarisë së Kosovës. Në emër të Ministrisë së Arsimit ia uroj 18-vjetorin e punës gazetës “Epoka e re”.

Gashi: Është nga të rrallat gazeta që nuk u bë demode

Adem Gashi, shkrimtar: “Epoka e re”, po, pikërisht epokë e re edhe në planin praktik, edhe në planin shoqëror, edhe në planin etik. Megjithëse rishtare, stafi i saj redaktues vinte goxha i sprovuar në fushën e gazetarisë. Së paku me guximin dhe gatishmërinë përballëse me konkurrencën e tmerrshme të tregut medial, me resurset allasorosiane, me labirintet e mistershme të ujqërve të vjetër. Shto gjithë kësaj edhe teknologjinë e sofistikuar informative, sheshi i betejës profesionale bëhet i tmerrshëm. “Epoka e re” dëshmoi potencën, energjinë, dijen, kulturën dhe guximin jo thjesht për mbijetesë, por edhe për ngarendje tutje lartësive. Është nga të rrallat gazeta që nuk iu bë demode edhe sfera e krijimtarisë letrare, e konsideruar si luks i tepërt nga të tjerat. Tani ajo po futet krenare në periudhën e seriozitetit të komunikimit publik medial. Rreth dy dekada jo se nuk janë pak e për t’u shpërfillur por, përkundrazi, një goxha arkiv që i jep arsye e legjitimitet për mburrje stafit të saj.

Salihu: Ajo sot është një agorë e mendimit socio-politik

Salajdin Salihu, shkrimtar, studiues: “Epoka e re” e ka krijuar imazhin e vet autentik. Ajo sot është një agorë e mendimit socio-politik e kulturor jo vetëm shqiptar, por dhe më gjerë. Në këtë gazetë problemet shqiptare janë trajtuar si tërësi. Edhe sot trajtohen njëjtë. Kjo gazetë e ka stimuluar qasjen kritike për fenomenet e ndryshme në shoqërinë shqiptare. Në këtë gazetë, në vazhdimësi, janë trajtuar edhe probleme të ndryshme kulturore, në një kohë kur shumë media i kushtojnë gjithnjë e më pak vëmendje kulturës. Kjo gazetë përherë i ka afirmuar vlerat shqiptare. Ka përmbushur një mision që duhet ta ketë një gazetë. Ndihem i privilegjuar të shpreh këtë opinion timin në 18-vjetorin e saj me të cilën kam pasur bashkëpunim shumë korrekt. E falënderoj stafin që më ka krijuar hapësirë për ta shprehur mendimin tim për probleme të ndryshme shoqërore disa vjet më parë. Jam shumë i lumtur që “Epoka e re” e shënon 18-vjetorin. E di se deri te ky përvjetor është dashur të derdhet shumë djersë. I uroj edhe shumë kremtime të këtilla. Njëkohësisht, shpreh dëshirën që kjo gazetë e respektuar të komunikojë sa më shumë edhe me lexuesin shqiptar në Maqedoni.

Related image

Maloku: “Epoka e re” është pushtet i fjalës së lirë

 Flamur Maloku, kritik letrar: “Epoka e re” është pushtet i fjalës së lirë, i mendimit të lirë. Jehona e saj është e largët, e para 18 vjetëve dhe, po pas gjithë këtyre vjetëve jetesë të saj, vazhdon ta kultivojë lirinë e shprehjes së lirë dhe të guximit qytetar, ndër qytetarë. S’dyshoj se me këtë përkushtim, me këto vlera të deritashme që ka përfaqësuar dhe ka prezantuar, do të vazhdojë edhe tash e tutje. I dëshiroj edhe shumë e shumë numra të tjerë gazetës më të guximshme dhe më të sinqertë në Kosovë, “Epokës së re”.

Abdyli: “Epoka e re” ka arritur t’i sfidojë vështirësitë e kohëpaskohshme

Izet Abdyli, poet: Shumë gazeta ditore, të lindura menjëherë pas luftës, nuk kanë arritur të mbijetojnë gjatë. “Epoka e re” ka arritur t’i sfidojë vështirësitë e kohëpaskohshme që i kanë pasur simotrat e saj dhe ka vazhduar t’i informojë paanshmërisht lexuesit. “Epoka…” është shquar për trajtimin e temave të guximshme. Po me to ka krijuar profilin e një gazete të guximshme, duke ua dhënë mundësinë shumë opiniondhënësve për të trajtuar probleme të ndryshme, me të cilat është ballafaquar shoqëria jonë ndër vite. Me interesim të veçantë ka prezantuar edhe vlerat kulturore, arsimore e sportive të institucioneve dhe asociacioneve të ndryshme. Me një fjalë, ka ruajtur standardet e gazetarisë profesionale.

Selimi: “Epoka…” nuk di të ndalet

Musa Selimi, profesor dhe trajner i sportit: “Epoka…” pa dyshim se është gazeta më e guximshme shqiptare. Ajo i informon shpejt dhe saktë lexuesit e vet për temat dhe ngjarjet e mëdha vendore dhe ndërkombëtare. Mbushja e 18 vjetëve jetë është dëshmia më e mirë se kjo gazetë nuk di të ndalet, kurse stafit të saj i lumtë për punën e palodhshme që bën në shërbim të vendit.

Gjeraj: “Epoka…” bëri shumë punë për 18 vjet

Robert Gjeraj, futbollist: “Epokën e re” e çmoj shumë për punën e bërë në këta 18 vjet. Unë i përkas komunitetit të sportit, prandaj do ta veçoja rubrikën e sportit, në të cilën sportistët, në veçanti ne futbollistët kemi pasur përkrahje të madhe gjatë gjithë kohës. “Epoka…” falë guximit dhe punës së drejt vazhdon të mbetet medium serioz. Uroj që kjo gazetë të festojë edhe shumë përvjetorë.

Ahmetaj: Me “Epokën…”, sukseset më të lehta në sport

Shpejtim Ahmetaj, kikboksier: Dua ta falënderoj “Epokën…” për mbështetjen që më ka dhënë mua në rrugëtimin drejt suksesit për kampion të botës në kikboks WAKO. Kjo gazetë, krahas pasqyrimit të aktiviteteve sportive, deri te lexuesit sjell edhe tema të rëndësishme nga politika, ekonomia dhe kultura. Gjithë stafit të gazetës i uroj për këtë përvjetor dhe pres që “Epoka…” ta vazhdojë edhe më fuqishëm punën e saj për informim të qytetarëve të Kosovës. Me mbështetjen e “Epokës…” edhe ne sportistët e kemi më të lehtë të arrijmë suksese në vend dhe në arenën ndërkombëtare.

Uka: “Epoka e re”, guximshëm mbrojti vlerat kombëtare

Ali Uka, Ministria e FSK-së: Gazeta “Epoka e re” lindi dhe u rrit nëpër furtuna, por falë punës këmbëngulëse-profesionale, falë guximit dhe falë krenarisë suaj, qëndruat në këmbë dhe fuqishëm konkurrencës jo reale, jo profesionale dhe konkurrencës shantazhuese, me të vetmin qëllim, që të jeni sa më afër opinionit, sa më afër lexuesit me të vërtetën dhe realen, që po ndodhnin dhe kishin ndodhur në vendin tonë.

“Epoka e re”, guximshëm mbrojti vlerat kombëtare, mbrojti luftën e shenjtë dhe së bashku me të, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, kur të tjerët tentonin dhe vazhdojnë ta shkulnin nga historia e re.  “Epoka e re”, lindi së bashku me lirinë, sepse ishin themeluesit e saj, ata që luftuan dhe kontribuuan për këtë liri.

“Epoka e re” fuqishëm mbron vlerat e vërteta kombëtare me qëllimin e vetëm të afirmimit të saj, dhe lufton kundër, antivlerave, që e kanë kapluar shtypin tonë.

Ju jeni që ndihmuat në publikimin e sa e sa numrave (me qindra) të gazetave mujore të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me qëllim të ngritjes dhe qëndrimit vertikal të Ushtrisë së Kosovës.  Për këtë ju jam shumë mirënjohës dhe besoj se do të qëndroni fuqishëm si deri më sot, dhe uroj që gjithmonë të dilni faqebardhë.  Urime!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka vlerësuar…