“Epoka e re” 20 vjet rrugëtim, 6 000 numra dhe unë 13 vjet me “Epokën…”

13 shkurt 2020 | 21:21

Shkruan: Mal Qorraj

“Epoka e re” sot ka rrumbullakuar 6 000 numra për 20 vjet të rrugëtimit të saj në tregun medial. Ky numër i sotëm që keni në duar, i 6 000-ti, është i veçantë për faktin se në të keni përshtypjet e të gjithë atyre që kanë kaluar në këtë medium dhe atyre që janë pjesë e saj.

“Epoka e re” për këto 20 vjet ka përgatitur profesionalisht gazetarë të shumtë, disa prej të cilëve rrëfejnë në këtë numër jubile, po ashtu ka përgatitur redaktorë dhe kryeredaktorë. Nga përshtypjet e tyre për këtë 20-vjetor del se “Epoka e re” ishte një shkollë e gazetarisë, por unë do ta quaja universitet për profesionin e gazetarisë. “Epoka e re” në gjithë këtë rrugëtim është treguar gazetë e guximshme, e pathyeshme dhe pandalshme në misionin e saj madhor të informimit të së vërtetës për opinionin.

“Epoka e re” për këto vite ka trajtuar tema të rëndësishme të karakterit politik, ekonomik, social, kulturor dhe sportiv. “Epoka…” vazhdon të mbetet një gazetë që u jep hapësirë për mendime të gjitha palëve, kudo që ka shqiptarë.

Sigurisht se për ekzistimin e saj deri më sot merita ka botuesi Muhamet Mavraj dhe lexuesit e saj fanatikë, tek pastaj ne që jemi pjesë e saj dhe ata që ishin më herët. “Epoka e re” deri sot ka ecur vetë, me vetëfinancim, me ata që e blejnë dhe me reklamimin që bëjnë disa kompani që nuk janë ndarë nga “Epoka…”.

Krahas versionit të shkruar, “Epoka e re” është edhe në platformën online, ku edhe në këtë platformë është duke dhënë kontribut të çmuar në bërjen e gazetarisë së pavarur, duke mos u lëshuar në lajme të rreme vetëm sa për të fituar nga klikimet.

Sot në Kosovë nuk është lehtë që fillikat, pa ndihmën e askujt, të botosh një gazetë dhe t’ia festosh ditëlindjen e 20-të. Këtë e ka bërë Muhamet Mavraj. Si çdo kompani, edhe “Epoka e re” në këtë rrugëtim të saj medial, po flas për 13 vjet sa jam pjesë e saj, ka pasur sfida, por që janë tejkaluar. Kur ka vullnet dhe sinqeritet në punë çdo pengesë tejkalohet.

“Epoka e re” për mua është shtëpi e dytë, ku më së shumti e kaloj kohën. Më ka mësuar shumë profesionalisht, por edhe unë i kam qëndruar besnik për këto 13 vjet. Të jesh pjesë e një mediumi që ka vlera kombëtare është krenari.

Në “Epokën e re” bëra shumë miq e shumë shokë. Në “Epokën e re” takova edhe personin e jetës, gazetaren Qendresa Rama, me të cilën sot kemi një vajzë të mrekullueshme, Junën.

Uroj të festojmë edhe shumë ditëlindje të tjera të “Epokës së re”!.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Peja është kualifikuar në finale të Kupës, pasi ka mundur…