“Epoka e re”, 25 vite në mbrojtje të kombit dhe vlerave të UÇK-së
Shkruan: Astrit Gashi
Për një çerek shekulli, “Epoka e re” ka qenë një shtyllë e palëkundur e gazetarisë kombëtare, duke shërbyer jo vetëm si burim informacioni, por si një tribunë e vlerave atdhetare dhe historisë së lavdishme të UÇK-së.
Në një kohë kur zëri i lirë sfidohej dhe realiteti përpiqej të zbehej nga propaganda, kjo gazetë mbeti pishtari i së vërtetës dhe i dinjitetit kombëtar. Pronarët dhe gazetarët e këtij mediumi nuk e braktisën kurrë “frontin”, madje as atëherë kur u sulmuan nga ata që ajo njëherë i kishite ngritur dhe mbështetur.
“Epoka e re” lindi si nevojë e një kohe të trazuar, ku çështja shqiptare dhe lufta për liri kërkonin një zë të fuqishëm për t’i treguar botës historinë tonë të vërtetë. Kjo gazetë u bë pjesë e kauzës, duke pasqyruar heroizmin e UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri e pavarësi.
Në mënyrë të paepur, ajo u shndërrua në një gardian të vlerave kombëtare, duke kundërshtuar proceset e montuara politike që, edhe sot, vazhdojnë të plagosin lirinë dhe të cenojnë të ardhmen e popullit tonë. Artikujt, reportazhet dhe analizat e saj janë kthyer në një arkiv të gjallë të asaj periudhe historike, duke ruajtur kujtimet dhe nderuar ata që dhanë gjithçka për atdheun.
Sot, kur gazeta feston 25 vite të ekzistencës së saj, ajo përfaqëson jo vetëm një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë, por edhe një shembull të gazetarisë së angazhuar dhe të ndershme. “Epoka e re” nuk është thjesht një gazetë; ajo është një simbol i rezistencës dhe përkushtimit ndaj kombit dhe të ardhmes së tij.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të gjithë duhet të shprehin mirënjohjen më të thellë ndaj themeluesit të saj, Muhamet Mavraj, i cili ishte lideri i valës studentore dhe një frymëzim për djemtë e UÇK-së që nisën rezistencën aktive. Kontributi i tij dhe i gjithë ekipit të gazetës ka qenë jetik në ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe në përballjen me padrejtësitë historike e politike.
“Epoka e re” është më shumë se një medium informativ. Ajo përfaqëson shpirtin e një populli që lufton për liri dhe të vërtetën, edhe kur plagoset nga ata që njëherë e kishin ngritur lart. Siç thoshte gjyshi im, “Djali im, kujdes, mos u lëndo, se ndonjëherë buka jote të vret.” Kjo fjalë popullore mishëron fatin e një gazete dhe të një populli që shpesh përballet me tradhtinë, por që vazhdon të qëndrojë krenare dhe e palëkundur në mbrojtje të vlerave të saj.
Prandaj, “Epoka e re” do të mbetet gjithmonë një frymëzim për të gjithë ata që besojnë në lirinë, të vërtetën dhe vlerat kombëtare. Për 25 vite, ajo na ka treguar se gazetaria mund të jetë më shumë se një profesion – ajo është një mision ndaj atdheut dhe të ardhmes së tij.