“Epoka e re” dhe “Koha ditore”, të vetmet gazeta në PDF në Kosovë

11 qershor 2020 | 18:48

Berat ARMAGEDONI

Kosova, hë për hë, nuk e ka asnjë gazetë të shtypur. Ma keq ma, s’ke çfarë mendon tjetër. Pandemia i ngufati edhe katër gazetat që kishin mbetur në tregun e varfër të Kosovës. Megjithatë, traditën e gazetës ditore, tashmë vetëm në formatin PDF, vazhdojnë ta ruajnë vetëm “Epoka e re” dhe “Koha ditore”, me mbi njëzet e sa vjet traditë të publikimit, të cilat lexuesve mundësinë e leximit të tyre ua ofrojnë falas në vjegëzën e internetit www.epokaere.com dhe në www.koha.net. Duke çukitur në këto dy vjegëza lexuesit mund t’i lexojnë këto dy gazeta, t’i arkivojnë numrat e përditshëm të tyre, po ashtu edhe të informohen për lajmet e çastit të ndodhura në trojet shqiptare dhe në gjithë botën e vogël që, tashmë, është bërë një kryeqytet i madh!

Pos informimit për ngjarje të llojllojshme, kryesisht politike, të dyja gazetat vazhdojnë të publikojnë shpallje të institucioneve, të bizneseve e të individëve, përpos në portalin online, edhe në PDF dhe të arkivohen numrat e gazetës së tyre në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe në institucione të tjera publike qendrore dhe lokale, por edhe në pajisje të teknologjisë informative të individëve (kompjuter, celular, smartphone e ku di tjetër), sidomos të studentëve e të profesorëve të Filologjisë, veçan të gazetarisë, pasi që të parët (studentët), shpeshherë nga të dytët (profesorët), obligohen të punojnë punime seminari, punime diplome, masteri dhe doktorate për gjuhën e gazetave ditore. Edhe pse këto motivime kanë rëndësi shumë për publikimin e gazetave fizike, ka rëndësi të tjera më të mëdha se këto.

Në të ardhmen, nëse kjo gjendje e këtyre dy mediave vazhdon kështu, punime të tilla universitare do të bëhen vetëm për gjuhën e gazetës “Epoka e re” dhe për gjuhën e gazetës “Koha ditore” në formatin PDF, pa përjashtuar nga ky kontekst edhe temat për gjuhën e mediave të tjera online, të cilat shkrimet hulumtuese që i publikojnë, hëm i fshijnë, hëm i fshehin ndërkohë, duke fshirë dhe fshehur paralelisht historinë e veprimtarive politike, arsimore, sociale, kulturore e të shumë llojeve të tjera, për të cilat gjeneratat e ardhshme do të shprehen në mënyrë habitore: paska qenë kështu, kish pas qenë ashtu, qe ashtu njëherë e një kohë! Duke parë vdekjen e gazetave të vjetra para syve tanë, unë jam i gatshëm t’i shpreh ngushëllime shumëkujt, por edhe do të doja të merrja përgjigje nga kushdo në këto pyetje:

A është i gatshëm shteti ta fshijë historinë e vet?
A është i gatshëm shteti ta dëmtojë të tashmen dhe të kaluarën e vet?
A është i gatshëm shteti t’i shuajë gazetat fizike?
A mendon kush, në këtë vend, për ruajtjen e kujtesës fizike kolektive?

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sami Khedira e sheh të ardhmen në Spanjë. Mesfushori i…