
“Epoka e re” identifikon togerin që kërcënoi policët protestues
Gazeta “Epoka e re” ka arritur ta identifikojë emrin e eprorit të Njësisë Speciale, i cili dëgjohet duke i kërcënuar pjesëtarët e njësitit më elitar të Policisë së Kosovës, të cilët më 1 nëntor protestuan para qeverisë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj propozimit të qeverisë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë.
Ata sërish kanë paralajmëruar protesta.
Gazeta “Insajderi” paraprakisht ka arritur të sigurojë një audio-incizim ku dëgjohet njëri prej eprorëve të Njësisë Speciale duke i kërcënuar ata që të mos dalin më në protesta se: “Kemi me i evidentu edhe kemi me pa se qysh ka me shku puna tutje me ta”.
“Epoka e re” nga burimet e veta merr vesh se bëhet fjalë për togerin G. O.
Njësia Speciale Intervenuese (FIT) ka paralajmëruar protestën e radhës. Protesta pritet të mbahet nesër (7 nëntor) nga ora 12:00.
Lajmërimi për protestën tashmë është dorëzuar në stacionin policor Qendra në Prishtinë.