EPOKA E RE PËR HERË TË PARË E PUBLIKOI FJALIMIN E RAMIZ CERNICËS
Ismet Sylejmani
Më 25 Nëntor 2022, në Gjilan, u hodh gurthemeli për Shtatoren e Tribunit të Kombit Ramiz Cernica!
Më 28 Nëntor 2023, u inaugurua Shtatorja e Tribunit të Kombit Ramiz Cernica në Gjilan!
Fjalimi historik i Deputetit të popullit shqiptar, Heroit të Kuvendit të Kosovës Ramiz Cernica, i mbajtur më 8 Korrik 1945, në Seancën e Parë Themeluese të Parlamentit të Kosovës në Prizren i dalë Pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Luftës së Dytë Botërore, për herë të parë u bë e mundur të sigurohej dhe u publikua në portalin e gazetës Epoka e Re me 4 Gusht 2023!
Fjalimi historik i Ramiz Cernicës në Kuvendin e Kosovës në Prizren, do të mbetet si një nga thesaret më të rralla, për të cilin nuk dihen shkaqet dhe arsyet, pse nuk është publikuar më parë!
DËSHIRA E POPULLIT PËR BASHKIM ME SHQIPËRINË, ËSHTË SHPREHUR E SHKRUAR EDHE NË REZOLUTËN E KONFERENCËS SË BUJANIT
“… Sot jemi mbledhur ne të deleguarit e popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e popullit (shqiptar) të kësaj Krahine!
Unë jam i deleguar i popullatës së rrethit të Gjilanit!
Këtu sot do të vendoset për fatin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit!
Siç dëgjova nga referati i paraqitur pak më parë, Partia paska vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë pa e pyetur fare popullin e saj!
Unë shpreh mospajtimin tim me këtë synim!
Populli i Krahinës sonë është kundër bashkimit me Serbinë!
Ai është për bashkim me Shqipërinë!
Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është Nënë!
Kush kujdeset më fort për evladin e vet – nëna apo njerka?
U muar vesh se nëna kujdeset me gjithë zemër e pa hile, kurse njerka gjithherë i bën hile e padrejtësi!
Pra, unë jam për t’iu bashkuar Kosova Shqipërisë, sepse me këtë po shpreh dëshirën e popullit!
Kjo dëshirë e popullit për bashkim me Shqipërinë është shprehur e shkruar edhe në Rezolutën e Konferencës së Bujanit!
Gjatë luftës në këtë drejtim e kuptim i kemi folur edhe popullit tonë!
Domethënë, fjalët i kemi pasur ndryshe, e sot na doli krejt e kundërta!
Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë!
Prandaj po them,
me Serbinë – JO!,
me Shqipërinë – PO!
Kam shpresuar se ushtria partizane dhe pushteti i ri i vendosur do të jetë i drejtë!
Mirëpo, nuk na doli ashtu!
Partizanët të përzier me çetnikë dhe drejtuesit e këtij pushteti të quajtur popullor, brenda shtatë muajve treguan fytyrën e vet!
Ju na vratë, na pretë, na masakruat, na burgosët e na gjykuat vend e pa vend e pa pikë faji, sepse gjatë okupacionit, shqiptarët nuk janë sjellë keq ndaj serbëve dhe nuk u kanë bërë zullum!
Pra, unë nuk po shoh ndonjë dallim ndërmjet këtij pushteti popullor dhe atij jopopullor të paraluftës!
Të gjitha të këqijat na i keni bërë, vetëm se hala nuk keni filluar të na shpërngulni për në Turqi si Jugosllavia e krajlave”!
RAMIZ CERNICA,
Prizren, 8 Korrik 1945!
(Fjalimi nuk ishte publikuar më parë, por është ruajtur nga rrëfimi ekskluziv i Deputetit të Kombit Ramiz Cernicës, të cilin e ka mbajtur në shënim, djali i vëllaut të Tij, veprimtari e atdhetari i madh, ish i burgosuri politik nipi i tij Kadri Halimi!
Para se të publikohej për herë të parë në portalin e gazetës Epoka e Re, tekstin e fjalimit e kam marrë nga libri monografik “Për një atdhe të lirë e të bashkuar”, kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare,mish-te burgosurit politik Nazmi Hoxha, shkruar nga Agim Sylejmani, faqe 36-37, libër ky i promovuar më 26 Nëntor 2021)!
Prishtinë, 28 Dhjetor 2023!