“Epoka e re” siguron raportin për aeroplanin turk që rrëshqiti nga pista e ANP “Adem Jashari” (Dokument)

05 gusht 2018 | 14:09

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike ka përfunduar hetimet rreth incidentit të aeroplanit turk të kompanisë “Turkish Airlines” i cili më 2 maj të vitit 2016 doli nga pista pas aterrimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Gazeta “Epoka e re” ka arritur të sigurojë raportin final – profesional të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike mbi incidentin e aeroplanit Boeing B737-800, TC-JFY në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 2 maj 2016.

Në raport thuhet se faktorët shkaktarë të këtij incidenti ishte lartësia shumë e madhe e kalimit të pragut të pistës nga piloti, kombinuar me pozicionimin e gjatë të aterrimit dhe prekjen e vonuar në tokë përtej zonës së prekjes në tokë.

Në bord të aeroplanit ishin 6 anëtarë të ekuipazhit dhe 151 pasagjerë.

“Më 2 maj 2016 në orën 19:31 aeroplani doli nga hapësira operative pas aterrimit në pistën 35 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Aeroplani u ndal në bari afër pistës. Të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit dhe pasagjerët në bord shpëtuan pa lëndime, përveç gjashtë pasagjerëve që kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të shqetësimit dhe frikës”, thuhet në raportin e Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.

Ky raport është miratuar nga Bordi i KHAIA-s dhe tashme i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit.

Në këtë raport më tej bëhet me dije se sipas informacioneve më të fundit për erën nga kontrollori i kullës dhe METAR aktual, ekuipazhi i fluturimit ishte i vetëdijshëm për gjendjen e motit në aeroport.

Të gjeturat e Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike janë këto:

-Gjatë afrimit të dy anëtarët e ekuipazhit të kabinës e kishin vërejtur që po shkonin shumë lart mbi shtegun e afrimit.

-Aeroplani e kaloi pragun e pistës 35 rreth 80 ft, që i bie rreth 30 ft më lart se lartësia normale e kalimit të pragut. Kjo çoi në një aterrim të gjatë, rreth 100 m përtej zonës së prekjes në tokë, që i bie rreth 1 030 m përtej pragut të pistës.

-CRM-ja gjatë fluturimit nuk ishte në përputhje me Procedurat Standarde të Operimit të operatorit.

-Shpejtësia ajrore me rastin e prekjes në tokë ishte rreth 5 nyje më lart se VREF dhe shpejtësia tokësore në atë kohë ishte 162 nyje.

-Sipas analizave të erës nga operatori i linjës ajrore, komponenti i erës në drejtim të njëjtë me fluturimin ishte rreth 13 nyje, por brenda vlerës maksimale të lejuar të erës në drejtim të njëjtë me fluturimin.

-Ekuipazhi i fluturimit u mundua të kalonte nga pista në pistën taksi me shpejtësi mbi shpejtësinë normale taksi.

Faktorët shkaktarë shkaku i këtij incidenti serioz ishte lartësia shumë e madhe e kalimit të pragut të pistës, kombinuar me pozicionimin e gjatë të aterrimit dhe prekjen e vonuar në tokë përtej zonës së prekjes në tokë. Rezultati ishte prekja në tokë rreth 1 030 m përtej pragut të pistës 35. Menaxhimi i burimeve të ekuipazhit nuk ishte në përputhje me PSO-në e operatorit. Ekuipazhi i fluturimit nuk ndërmori me kohë procedurën e kthimit. Kjo do të kishte parandaluar daljen nga pista”, thuhet në të gjeturat e raportit, raporton “Epoka e re”.

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) është themeluar në bazë të Ligjit nr. 03/L- 051 për Aviacionin Civil. KHAIA është përgjegjëse për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacion brenda Kosovës ose ku përfshihen avionët e regjistruar në Kosovë, kudo qofshin ata. Sipas rregullores (KHAIA/ZKM) NR. 01/2017 mbi hetimin dhe parandalimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacionin civil dhe rregullave ndërkombëtare të aviacionit, më saktësisht Shtojcës 13 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, nëse aksidentet ose incidentet prapëseprapë ndodhin, hetimi i hollësishëm i shkaktarit të problemit, pavarësisht se kush është fajtor për të, mund të ndihmojë në parandalimin e shfaqjes së problemeve të ngjashme në të ardhmen. Është e rëndësishme të sigurohet që hetimi kryhet në mënyrë të pavarur dhe në koordinim të plotë ndërmjet palëve të përfshira. KHAIA është e autorizuar që të kërkojë nga cilido autoritet publik i Kosovës dhe/ose person privat ose organizatë në Kosovë që t’i japë asaj përkrahjen e nevojshme për kryerjen e një hetimi të përcaktuar me ligjin për aviacionin civil ose një hetimi i cili kërkohet sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare ose organizate ndërkombëtare të aviacionit.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Irani ka pranuar pesë aeroplanë komercialë të ri të dielën,…