“Epopeja e Dukagjinit”, Haradinaj: Çdo ditë e jetës së shqiptarëve, në shërbim të atdheut
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në manifestimin qendror kushtuar 24-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.
Me këtë rast, Haradinaj duke vlerësuar lartë veprën e dëshmorëve të renë në “Epopenë e Dukagjinit”, ka thënë se çdo ditë e jetës së shqiptarëve është e mbushur me heroizëm dhe atdhedashuri.
“Çdo ditë e jetës së shqiptarëve është e mbushur me kujtime për heroizmin, sakrificën kulmore në shërbim të atdheut dhe kombit. Sot, me 24 mars, nderojmë Gazmendin, Himën e Agronin, dhe të gjithë ata që përjetësisht mbesin frymëzimi më i madh i dashurisë për kombin. Po ashtu, kujtojmë 24 marsin kur nisi t’i jepej fund regjimit të egër të gjenocidit dhe spastrimit etnik. Të rënëve dhe secilit që dha nga jeta e tij për Atdheun dhe lirinë, faleminderit. Aleatëve tanë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, faleminderit. Faleminderit përjetësisht!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Epopeja e Dukagjinit” është zhvilluar më 24 mars të vitit 1998, ndërsa intervenimi i NATO-s një vit më vonë.