Epopeja e familjes Jashari në vitin 1998
Imer Xhemail Lladrovci
Një çerekshekulli kaloi nga marsi i përgjakshëm i vitit 1998. Saktësisht: 26 vjet më parë filloi Kryengritja më e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë: Familja Jashari në Prekaz u rrethua nga Serbia, Qeveria e së cilës me një akt të pashembullt dhune donte t’u jipte një mësim të madh shqiptarëve, në mënyrë që ata të ulnin kokën dhe të pajtoheshin me fatin e robit, dmth. me pamundësinë për ta ndryshuar fatin e tyre politik në kuptimin e politikës së përgjegjshme e të pranueshme: pikërisht atë gjendje që Beogradi politik e kishte krijuar për interesat e tij politike dhe nuk donte ta ndryshonte në asnjë rrethanë. Në njërën anë, në anën shqiptare, ekzistonte bindja e gjerë se gjendja duhej të ndryshohej domosdoshmërisht në kuptimin e plotësimit të kërkesave gjithpopullore për shtendosjen e situatës përmes zgjidhjeve të drejta e të arsyeshme të të problemeve dhe, në anën tjetër, pushtetmbajtësit serbë, që donin ta ruanin status quon , dmth. gjendjen që ekzistonte si represion i gjithpranishëm apo eventualisht të bënin ndryshime të vogla, krejt të parëndësishme që s’e preknin askund thelbin e sundimit të tyre brutal policor. Në një kohë kur ishin pritur ndryshime që plotësonin kërkesat për respektimin e të drejtave të reja, zhvillimi retrograd serb që e legalizonte shtypjen dhe përndjekjen mbi bazë etnike përjetohej si një gjë që fyente shumicën, kështu që ishte pritur me protestë të përgjithshme dhe vendosmëri për kundërshtimin e këtyre masave administrative që e thellonin trajtimin e pabarabartë të qytetarëve që u përkisnin bashkësive të ndryshme etnike. Shqiptarët në stil të gjerë keqtrajtoheshin dhe i nënshtroheshin përndjekjes vetëm për shkak të përkatësisë. Synimet e të dy bashkësive etnike kishin formulime të kundërta. Kundërthënia kishte tipare etnike: serbët punonin në policinë apo në administratën e shtetit që shtypte, shqiptarët ishin matanë barrikadës: të shtypurit dhe të përbuzurit, adresatët e dhunës që për agens kishte serbin. Ndarja ishte aq e madhe dhe e dukshme, saqë vëzhguesit e ndryshëm ndërkombëtarë, kryesisht gazetarë këtë represion të gjerë e klasifikonin si apartheid të stilit jugafrikan në një vend europian në fund të shekullit XX, gjë që e konsideronin si një anakronizëm të çuditshëm dhe të padurueshëm. Krejt Perëndimi priste një ndërhyrje të serbëve në kuptimin e heqjes së këtyre masave primitive. Por kompromisi atëbotë në Serbi konsiderohej dobësi, kurse dhuna si zgjidhja e vetme. Në këtë sens situata po shkonte detyrimisht drejt konfrontimit, të cilit njëra palë, pala shqiptare, nuk mund t‘i shmangej, sepse nuk kishte asgjë në dorë, kurse pala tjetër, ajo serbe, duke qenë se ishte në posedim të forcës së madhe shtetërore, e kërkonte me çdo kusht konfrontimin, duke shpresuar se përdorimi i dhunës do t‘i frikësonte shqiptarët, kështu që ata më në fund do të ulnin kokën dhe do të pranonin të jetonin nën regjimin e ri me kufizime e privacione.
Adem Jashari e ka njohur mirë historinë e rezistencës shqiptare. Zhujë Selmani ishte një atdhetar që ai e nderonte për bëmat e tij. Oso Kuka ishte një frymëzim tjetër për të. Akti i tij i vetëflijimit në kështjelllën e rrethuar, i përjetësuar në vargjet e Fishtës te „Lahuta e Malcisë“ njihej prej tij në hollësi. Megjithatë Adem Jashari bëri diçka që e tejkalon veprën e Zhujë Selmanit dhe atë të Oso Kukës, sepse ata flijuan veten e tyre, kurse Adem Jashari nuk luftoi i vetmuar në rrethimin serb, por me gjithë familjen: me babën, nënën, vëllanë Hamzën, me gruan dhe fëmijët e tij e të Hamzës. Gruaja e Hamzës luftoi deri në fund me trimëri të rrallë. Madje gruaja e tij Adilja, siç dëshmon Besarta Jashari në cilësinë e dëshmitares sypamëse ishte e para që u vra në rrethimin e shtëpisë. Dhe në këtë rrethim këndoheshin këngë atdhetare gjatë gjithë kohës nga Ademi dhe Hamza. Me siguri edhe këngët e Zhujë Selmanit dhe të Oso Kukës, sepse Adem Jashari, për aq sa dimë sot, u vra në ditën e tretë të qëndresës. Adem Jashari e donte jetën dhe në të njejtën kohë ishte në gjendje t‘ia falte atë atdheut të tij në çdo çast.
Siç tregojnë njerëzit që e kanë njohur presidentin serb nga afër, ai ishte tendosur tej mase me kërcënimin e vazhdueshëm shqiptar, donte që drama politike që kishte filluar 17 vjet më parë në Kosovë të merrte fund me një akt të përgjakshëm që njëkohësisht do të thoshte fundi i një shprese për shqiptarët ëndërrimtarë, siç i interpretonte ai objektivat e tyre politike. Në situata të tilla jetësore të mohimit të plotë, njerëzit detyrohen ta shikojnë botën me sy të tjerë, të esulltë dhe të kërkojnë rrugë alternative, jopaqësore. Jo se ai kështu mund ta ndryshonte fatin e Serbisë, këtë gjë ai pak besonte se mund ta arrinte, sado që e dëshironte me afsh të madh. Si një njeri që e kishin lindur strukturat shtetërore që dhunën si instrument të politikës e konsideronin si mjet plotësisht legjitim për zgjidhjen e krizave, kjo ishte mënyra e vetme e komunkimit me këtë popull të egër e jomirënhohës, mendonte ai, shpura e tij dhe një pjesë dërrmuese e serbëve, kështu mund të shkarkohej mllefin e tij dhe i shumë brezave që ishin edukuar me frymën e Serbisë së Madhe që si shtet i fortë e përcakton fatin e vet e gjithë Gadishullit. Millosheviqi si president i Serbisë në këtë kohë të mllefit e të zemrimit me shqiptarët gëzonte mbështetje të madhe në popullin e tij, mbështetje kjo që duket se ekziston ende edhe për pasardhësin e tij sot. Ata serbë që guxonin ta kritikonin për këtë aventurë të rrezikshme vriteshin ose pas një kohe detyroheshin të heshtnin për shkak të përndjekjes dhe diskriminimit. Me këtë politikë të shtypjes së tjetrit që mendonte ndryshe ai e kishte homogjenizuar popullin e tij që tek ai shikonte vozhdin shpëtimtar. Shkurt: me ndëshkimin e familjes Jashari, ai synonte nënshtrimin e popullit shqiptar ndaj vullnetit të tij malinj politik. Ky ishte opsioni i tij për zgjidhjen e nyjes shqiptare. Zgjidhjet e arsyeshme të çështjeve mes dy popujve me probleme të trashëguara, i konsideronte dobësi, dmth. të pamundshme. Askush nuk mund të parashikonte me saktësi reagimin e familjes Jashari përballë kësaj sfide të madhe ekzistenciale dhe as solidarizimin masiv të shqiptarëve me të, sado që të gjitha shenjat e qëndresës ishin dhënë me kohë dhe disponimi i masës shqiptare ishte për një sjellje aktive në politikë. Nëse ridëgjojmë tani intervistën në BBC të Shaban Jasharit, shohim se ai e paralajmëron qëndresën. Edhe shtypi shqiptar dhe ai perëndimor vazhdimisht shkruante për nevojën e dinamizimit të jetës politike në Kosovë. Jemi në shtëpinë tonë, nuk kemi ku të shkojmë, thotë Shaban Jashari në këtë intervistë vetëm pak kohë para rrethimit. Shqiptarët , në anën tjetër, kishin humbur besimin se me qëndresë paqësore do të mund të arrinin qëllimet e tyre politike për barazi e tolerancë. Në Dejton (Dayton) ata e kuptuan se ata që nuk luftojnë për lirinë e tyre nuk marrin asgjë.
Në fund të vitit 1991 Sllobodan Millosheviqi ( Slobodan Milošević) qe tërhequr nga rrethimi, duke respektuar vijën e kuqe që ia pat vënë atij presidenti amerikan Gjorgj Bush (George Bush). Edhe në janarin e vitit 1998 ushtria dhe policia e tij u tërhoqën para qëndresës së Jasharëve. Këtë herë, mars 1998, ai kishte vendosur të kalonte vijën e kuqe amerikane. Dhe e kaloi, duke lënë një pellg të madh gjaku pas. Kishte sjellë gjithë arsenalin e armëve të tij moderne në Prekaz për t’i frikësuar Jasharët dhe bashkë me ta gjithë shqiptarët. Ai këtë herë nuk kishte ndërmend të tërhiqej pa e zhdukur këtë familje, e cila e kishte pritur rrethimin, por pa frikë e panik, sepse përtej shtëpisë nuk kishte ku të shkonte. Për tri ditë me rradhë, me 5, 6 e 7 mars 1998, ajo i bëri ballë rrethimit. Pastaj kjo qëndresë u shua në Prekaz, por përfshiu gjithë Kosovën kryengritëse. Pa këtë ngjarje nuk do të vihej në lëvizje mekanizmi gjigand i qëndresës gjithpopullore shqiptare. Njerëzit kanë nevojë gjithmonë për shembuj trimërie para se të bëjnë hapin e madh që ndryshon gjithçka në jetën e tyre. Të mërkurën, për herë të parë Besarta Jashari, vajza e Hamzë Jasharit, që e përjetoi këtë rrethim që na momentet e tij të parë e deri në ditën e fundit i tregoi gjitha në mënyrë kronologjike. Ajo ishte në rrethim, por shpëtoi, mbijetoi për me tregue atë që pa në ato tri ditë të heroizmit në veprim.
Më tepër se 100 vjet më parë ish ministri i jashtëm bitanik Eduard Grei ( Edward Grey) kishte thënë në fund të Konferencës së Ambasadorëve në Londër ku Shqipëria u coptua dhe u defaktorizua si mos më keq se vetëm në këtë mënyrë, dmth. me flijimin e një vendi e të një kombi të lashtë, diplomatët europianë kishin arritur të pajtoheshin për një zgjidhje që kinse do të çonte në ruajtjen e paqes në kontinent. Siç e dimë tashmë, paqja nuk u ruajt aspak, edhepse Shqipëria u gjymtua rëndë. Me cenimim e integritetit të saj nuk deshi më askush të merrej, sadoqë gjithkush e dinte se kombi shqiptar e vuante ndarjen e tij dhe nuk pajtohej kurrësesi me këtë patologji. As pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe as pas fundit të Luftës së Dytë Botërore çështja e kufijve të padrejtë të Shqipërisë s’u vu më në rend të ditës, por zgjidhja e Londrës së vitit 1913 u konsiderua si zgjidhje përfundimtare. Çështja shqiptare vazhdonte të mbetej një çështje problematike, për zgjidhjen e drejtë të së cilës fuqitë e mëdha të kohës nuk mund të binin kurrësesi në ujdi. Në vitin 1914 shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe rreth 20 vjet më vonë lufta tjetër botërore, kurse problemi shqiptar u injorua me këmbëngulje nga faktorët relevantë. Sot, në vitin 2024, bota ndodhet përpara një rreziku tjetër të madh për paqen në botë. Lufta në Ukrainë dhe Kriza në Lindjen e Afërtë përbëjnë dy zona konliktuale që nga çasti në çast mund ta kthejnë mbarë botën në një kaos të madh. Disa reagojnë me panik dhe thonë se jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore, ndaj dhe duhet t’i bëjmë të gjitha lëshimet që do presidenti rus. Si në dy luftërat botërore, edhe këtë herë është përsëri Rusia ajo që bëhet shkak për konfrontime të mëdha. Rusia, me politikën e saj të revidimit të kufijve shkakton frikë në botë, sidomos tek vendet që ndodhen në fqinjësi të saj. Tani, në emër të rivendosjes së hegjemonisë së dikurshme, kërkohet të korrigjohehen gabime të tilla historike, siç quhet krijimi i shtetit të Ukrainës që është shtet-anëtar i OKB-së dhe i shumë institucioneve ndërkombëtare dhe synon asnëtarësimin në NATO, gjë që Rusia do që ta pengojë me çdo kusht. Një shtet sovran vendos vetë se në cilën aleancë ushtarake do që të bëjë pjesë dhe në cilën jo. Rusia do të bënte mirë që të reflektonte për faktin që gjithë fqinjët e saj e kërkojnë mbrojtje nga një fuqie të madhe ushtarake pikërisht për shkak të frikës nga fqinji i madh që në vazhdimësi i kërcënon. Sot politika neoimperiale ruse rënien e Bashkimit Sovjetik do që ta rikthejeë në skenën politike botërore si superfuqi, përmes dhunës ushtarake dhe mosrepektimit të të drejtës ndërkombëtare, gjë që është krejt e pamundshme, sepse gjatë historisë njerëzore nuk ka pasur edhe një rast të vetëm që një perandori e rënë të ringjallej. Por, si duket, nostalgjia naive e disa qarqeve politike në Moskë e ka humbur sensin për të bërë dallimin mes fiktives dhe realitetit. Edhe familja Jashari u sulmua dhe u masakrua pikërisht në emër të dogmës politike që ndryshimin e konsideronte krim dhe jo nevojë legjitime zhvillimore. Presidenti rus që ka dhënë urdhër për operacionin ushtarak, siç e quan ai pushtimin me luftë të Ukrainës, vazhdimisht na shantazhon me rrezikun real të përdorimit të arsenalit bërthamor rus kundër botës së civilizuar. Parashikimi se me rrëzimin e Murit të Berlinit historia kishte marrë fund doli shumë shpejt si një iluzion naiv, kurse tani, përballë sfidave të mëdha, duket si një absurditet i mirëfilltë. Në fakt historia nuk pushon kurrë, ajo pulson vazhdimisht, mund të ecë para, por edhe të lëviz mbrapa, kundër logjikës së zhvillimit politik. Kur ra Muri i Berlinit, në Moskë në krye të shtetit rus ishte një njeri i ndriçuar dhe jashtëzakonisht i emancipuar si Mihail Gorbaçov që nuk besonte aspak në opsione të dhunës e të diktatit. Pati njerëz që menduan se Mihail Gorbaçovi nuk ishte një protagonist i rastit, por ai me domosdo duhej të ndodhej në atë post ku ishte dhe se duhej të sillej politikisht vetëm në mënyrën siç u soll ai në fakt dhe kurrësesi ndryshe. Shkurt, u mendua se zhvillimet ishin të vetëkuptueshme, pa e ditur se realiteti sovjetik ishte ku e ku më i ndërlikuar, se në Moskë kishte edhe rryma të tjera të fuqishme që problemet donin t’i zgjidhnin me dorën e fortë, me forcën e armëve dhe jo me forcën e arsyes. Sigurisht përdorimi i forcës që në realitetin njerëzor përbën gjithmonë një opsion të mundshëm mund t’ia ndërronte kahun zhvillimeve politike, siç u bë përpjekje në Kosovë, ku u masakrua familja Jashari. Bashkimi Sovjetik i Mihail Gorbaçovit nuk luahti me kartën e dhunës, sepse e dinte që çmimi do të kishte qenë i lartë dhe fitorja e demokracisë e larë me gjakun e mijëra njerëzve përsëri do të hapte rrugë.
Sot nga Moska vijnë lajme të tjera që e bëjnë botën të rrëqethet prej tyre. Megjithatë, shpresa se kthim prapa nuk do të ketë vazhdon të mbetet e madhe dhe orientuese në veprimin tonë politik. Një filozof irlandez me emrin Filip Pëtit( Philip Pettit) që ligjëron në një universitet amerikan me emrin se në botën e ndërlikuar moderne vetëm liria mund të kryej funksionin e një kompasi orientues.
Administratori i parë ndërkombëtar në Kosovë Bernard Kushner ( Bernard Kouchner) kur vizitoi kullën e Jasharajve pati thënë se „ po të ekzistonte çmimi Nobel për liri, do t’ia jepja Adem Jasharit dhe familjes së tij.“ Këto fjalë të administratorit ndërkombëtar flasin shumë për Adem Jashrarin dhe familjen e tij. Ai nuk e sulmoi askend, ishte në shëpinë e tij dhe u flijua me gjithë familjen në mbrojtjen e lirisë, pa të cilën ai jetën e konsideronte një lloj vegjetimi, por jo jetë njerëzore.
Autori është ish diplomat karrjere dhe shef i Konsullatës së Kosovës në Stuttgart dhe Vjenë të Austrisë.