Epopeja e Grykës së Llapushnikut, sinonim i lavdisë, krenarisë dhe qëndresës së UÇK-së
Shkruan: Ferat Shala
Beteja e Grykës së Lapushnikut është një ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë kundër forcave ushtarake e policore serbe.
Sot shënohet 20-vjetori i Epopesë së Grykës së Lapushnikut, një ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë kundër forcave ushtarake e policore serbe.
Duke kujtuar këtë betejë lavdie kthejmë kujtesën tonë historike 20 vite më parë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pas disa aksioneve të suksesshme guerile fillojë të ndërrojë, formën, mënyrën dhe taktikën e luftës së saj për liri. Nga lufta guerile dhe aksionet e shpejta dhe të befasishme, kaloj në luftë frontale duke e mbyllur për qarkullim Grykën e Llapushnikut dhe duke u pozicionuar përballë forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Kjo ngjarje shënon një datë shumë të rëndësishme në zhvillimin dhe organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nga organizimi gueril po kalonte në një organizim më të lartë ushtarak, e gatshme të përballej edhe me beteja frontale dhe me rezistencë ndaj tërë makinerisë ushtarako policore serbe.
Zënia e Grykës dhe zmbrapsja e forcave serbe, tregonte se UÇK-ja kishte kaluar në një fazë të re të mobilizimit e konsolidimit të radhëve dhe kishte forcë jo vetëm për ta sulmuar armikun nëpër prita me aksione guerile, por edhe për të vendosur barrikada lufte, me qëllim për t’i vënë në kontroll zonat e çliruara.
Betejës së Llapushikut i paraprijnë disa ditë lufte të pandërprera të njësiteve të UCK-së. Luftime këto që u zhvilluan përgjatë gjithë muajit prill dhe në fillim muajit maj 1998. Gjatë kësaj periudhe kohore u zhvilluan luftime dhe beteja të pandërprera në fshatrat Gjergjaj (Gjergjicë), Balincë, Arllat e Negrovc, kryesisht përgjatë magjistrales Prishtinë-Pejë.
Bartës i betejave dhe luftimeve ishte njësiti i UÇK-së, “Pëllumbi”, i mbështetur dhe ndihmuar edhe nga njësitet “Guri”, “Lumi”, “Çeliku” dhe njësitet tjera të UÇK-së dhe vullnetarë tjerë nga Drenica dhe më gjerë.
Këto beteja atë kohë konsideroheshin si një nga goditjet më të fuqishme dhe më të organizuara të njësiteve të UÇK-së, kundër forcave serbe duke iu shkaktuar atyre dëme të konsiderueshme në mjete motorike të luftës dhe në njerëz.
Thyerja vendimtare e forcave serbe ndodhi me datën 9 maj 1998 me mbylljen për qarkullim të aksit rrugor Prishtinë-Pejë. Njësiti “Pëllumbi” në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, merr vendimin për mbylljen e Grykës së Llapushnikut, dhe me ndihmën e njësiteve tjera kishte koordinuar planin operacional për zënien e grykës dhe pozicionimin e forcave të UÇK-së.
Kjo ngjarje njëherit ishte edhe fillimi i krijimit të zonave të lira të kontrolluara nga UÇK edhe në zona tjera të Kosovës si në Malishevë dhe Dukagjin. Kjo situatë e krijuar pas zënies së Grykës së Llapushnikut, ofroi mundësi shumë më të mira për komunikim, shtrirje, zhvillim, organizim e furnizim për të gjitha njësitet tjera të UÇK-së. Ishte koha kur masivizimi dhe mobilizimi i UÇK-së, arriti kulmin dhe rriti besimin e popullatës në njësitet e UÇK-së.
Për tre muaj rresht Gryka e Llapushnikut do të behet arenë luftimesh dhe betejash, dhe madje do të jetë edhe në qendër të vëmendjes edhe të medieve botërore dhe qendrave ndërkombëtare të vendosjes për fatin e Kosovës.
Për tre muaj rresht luftëtarët e lirisë qëndruan sypatrembur dhe të pamposhtur përballë forcave ushtarake policore serbe që ishin qindra herë më të shumta edhe në numër edhe në teknikë dhe arsenal luftarak. Pëllumbat e lirisë treguan moral të lartë ushtarak, disiplinë dhe sakrificë të papërsëritshme, duke mbrojtur me sukses grykën dhe duke fituar një betejë të madhe.
Në istikamet e Grykës së Llapushnikut, krisën pushkët edhe të shumë trimave dhe dëshmorëve të kombit si Fehmi dhe Xhevë Lladroci, Rasim Kiçina, Imer Krasniqi, Ymer Alushni, Ali Zogaj e Sami Bogiqi, pastaj gjeneral Shaban Shala, Besim Halilaj dhe shumë luftëtarë të tjera dhe vullnetarë nga Drenica dhe nga zonat tjera të Kosovës.
Sot kur shënojmë 20 vjetorin e kësaj beteje, gjithnjë e më shumë bindemi për lavdinë e saj dhe rëndësinë historike që kishte. Gjithnjë e më shumë bindemi për sakrificën, heroizmin dhe gatishmërinë e UÇK-së, për çlirimin e Kosovës.
Bindemi po ashtu se beteja e Llapushnikut ishte edhe një ngjarje që shënon kthesë të madhe edhe në planin diplomatik, duke i detyruar qendrat diplomatike botërore të shikojnë seriozisht UÇK-në dhe ta vlerësojnë atë si partnerin kryesor në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Andaj, sot kur kujtojmë me nder e respekt Epopenë e Grykës së Llapushnikut, kujtojmë dëshmorët e grykës dhe gjithë ata ushtarë që qëndruan dhe luftuan heroikisht në mbrojtje të grykës. Lavdi e përjetshme këtyre dëshmorëve. Respekt e nderim pafund për të gjithë luftëtarët e lirisë që morën pjesë në betejën e Grykës së Llapushnikut.