Epopeja e Kodrës së Diellit, 2 Nëntor- 1989!
Shkruan: Ramadan Avdiu
Po bëhen 34 vjet, nga rënia heroike shokëve dhe bashkëveprimtarëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. 34 vite kanë kaluar e kujtimi për Afrimin e Fahriun, është i freskët. Të tillë e kanë bërë vetë heronjët me punën dhe veprën e tyre madhore çlirimtare dhe atë për një kohë shkurtër sa jetuan.
34 vjet më parë, populli shqiptarë në përgjithësi, kurse ne, bashkëveprimtarët dhe shokët e Afrim Zhitisë e të Fahri Fazliut në veçanti, kishim dhembje të madhe. Dhembje që mundoheshim ta kthejmë në forcë, në krenari, në besim dhe në shpresë për vazhdimin e luftës më të njëjtin motivim, me të njëjtin vullnet, me të njëjtin përkushtim, me të njëjtat mjete si bashkëveprimtarët tanë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu…
Atëherë nuk ishim shumë. Por, ishim mirë të organizuar në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe ishim shumë të vendosur për të ecur deri në fund, deri në çlirimin e atdheut dhe popullit.
Derisa organizonim demonstrata anembanë Kosovës, mendonim për luftë të armatosur. Duhet të grumbullojmë mjete afër vetes na thoshte Afrimi, pastaj edhe do ta ngrisim shkallën e organizimit tonë në nivel tjetër luftarak…
Deri ne fillim të Nëntorit 1989, ne frymëzoheshim nga heroizmat dhe sakrificat e gjeneratave të mëhershme të historisë sonë kombëtare, me sakrificat e rilindësave tanë, me gjeneratën e Bajram Currit e Hasan Prishtinës, me Tahir Berishen e Ramiz Cernicen, me gjeneratën e Adem Demaçit, me sakrificat e Shaban Shalës, e Fazli Grajqevcit, me sakrificat e Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Bajram Bahtirit, etj….
Vargut te dëshmorëve që na motovinin dhe na shtonin urrejtjen për pushtuesit, i shtoheshin për çdo vit dëshmorë të rinj si Xhemali Berisha në Prizren, Ali Ajeti në Besianë... etj. Por nuk e kemi imagjinuar dot se edhe Afrimi, Fahriu e më vonë Fadil Vata, do të shkëputen fizikisht nga radhët tona dhe do të shndërrohen në shembuj frymëzimi jo vetëm për ne si bashkëveprimtarë, por edhe për mijëra djem e vajza të Kosovës, të cilët ndoqën rrugën e heronjëve dhe pas gurëve nëpër demonstrata, rrokën armët e luftuan për të çliruar vendin.
Të flitet për jetën, veprimtarinë, moralin, përgatitjen teorike, aftësitë organizative, shëmbëlltyrën, vendosmërinë, përkushtimin dhe guximin e heronjëve të Kodrës së Diellit, do të duhej shumë kohë dhe shumë hapësirë.
Mbase edhe shumëkush do të pyeste: Si arritën këta të rinj për kohë kaq të shkurtër të jetës së tyre t’i grumbullojnë në vete të gjitha këto dhunti ?!
Qysh si nxënës të shkollës së mesme Afrimi dhe Fahriu e kishin filluar veprimtarinë e tyre kundër pushtuesve serb dhe deri në rënien e tyre heroike ata nuk e pushuan aktivitetin e tyre çlirimtar.
Përderisa Afrimi kalonte nëpër rrathët e burgut famëkeq të Pozharevcit, ku përkundër të gjitha vështirësive që i kishte për katër vite sa qëndroi në burg, studionte me zell, Fahriu me përkushtimin më të madh punonte drejt zgjerimit dhe afirmimit të luftës së drejtë të popullit tonë kudo në Kosovë dhe vise të saja.
Daljes së Afrimit nga burgu në shkurt të vitit 1988, iu gëzuan të gjithë shokët. Iu gëzua edhe Fahriu, ndonëse nuk e njihte që më parë, por pas pak do të njihen në zjarrin e luftës, zjarrë ku do të kaliten më tëj.
Vetëm pak kohë iu deshtë Afrimit që bashkë me shokun e burgut dhe të luftës po ashtu hero Fadil Vatën, të gjenden në ballë të Lëvizjes studentore, në fund të vitit 1988, kurse në fillim të vitit 1989, edhe në ballë të Lëvizjes së Rezistencës në përgjithësi në Kosovë.
Kur dola nga burgu, në shkurt të vitit 1989, Fadil Vata dhe Afrim Zhitia ishin në ballë të Lëvizjes së Rezistencës në Kosovë. Unë pata fatin që të sistemohem në të njëjtën celulëorganizative me këta dy udhëheqës të spikatur dhe revolucionar të paepur, që i pati vendi ynë. Me Afrimin isha njohur që në vitin 1979. Me të ishim shokë gjenerate, bashkëvepruam në Frontin Nacionalçlirimtar të Kosovës, në fillim të viteve tetëdhjetë, e posaçërisht pas demonstratave të vitit 1981, derisa sa u arrestuam më 14 shkurt të vitit 1984. Të dy ishim duke kryer shërbimin në ushtrinë jugosllave. Afrimi është arrestuar në Banjallukë, kurse unë në Zagreb. Për veprimtarinë tonë çlirimtare na dënuan më 25 Qershor 1984, bashkë edhe me 18 bashkëveprimtarë të tjerë. Një pjesë të kohës së dënimit e kaluam bashkë në burgun e Pozharevcit ku u njohëm edhe me Fadil Vatën, në tetor të vitit 1984, sikurse edhe me një plejadë të shkëlqyer të të burgosurve politik si; Nezir Myrtaj, Bardhyl Mahmuti, Halil Alidema, Halil Selimi, Adem Grabovci, Sabit Veseli, Mehmet Bislimi, Beqir Beqa, Ibrahim Xhemaili, Murat Bytyqi, Kadri Luzha, Bejadin e Imer Hasani, Avdurrahman Limani, Jakup Shyti, Naim Shala, Nuhi Muhadri, Ali Lajçi, Skender Ibishi, Xhevat Ademi, Agim Kasemi, Ismail Syla, Ismet Begolli, Mustafë Ademi, Sami Kurteshi, Taip Zeka, Fehmi Berisha, Sherif Krasniqi, Pajazit Krasniqi, Mujë Shabani, Milaim Jashari, Hasan, Shaban, e Fetah Shemsiu, Ilaz Zhitia, Reshat Avdiu, Ismail Haradinaj, Ramadan Bunjuku, Bahtir Ahmeti, Bajram Gashi, Nazmi Hoxha, Bajrush Xhemaili, Rifat Kafexholli, Shaqir Ruhani, Hazir Xhafolli, Selim Lulaj, Avdi Krasniqi, Skender Ferizi, Bedri Bahtiari etj…
Të burgosurit politik nga burgu i Pozharevcit kanë qenë ndër shtyllat kryesore të organizimit klandestin në Kosovë, shumica e tyre edhe pas përfudimit të burgut kanë vazhduar angazhimin e tyre çlirimtar deri në çlirimin e vendit.
Në të gjitha aktivitetet kundër pushtuesve në radhët e para gjithmonë janë gjetur diku Afrimi e diku Fahriu deri në frymën e fundit të tyre. Ata ku e bënin një natë nuk i zinte tjetra. Gjithmonë ishin në kontakt me shokët, i udhëzonin, i sqaronin, i këshillonin për punët që duhej kryer si dhe për të gjitha problemet dhe vështirësitë organizative që paraqiteshin.
Përkundër aktivitetit të pareshtur në rrafshin organizativ, Afrimi gjente kohë edhe për të trajtuar probleme të ndryshme shkencore, për të bërë analiza politike të cilat botoheshin në buletinin Rruga e Lirisë , në gazetën Zërit i Kosovës dhe shpërndaheshin dorë më dorë.
Në fund të tetorit të vitit 1989, ndonëse ishin të rrezikuar, ata nuk mund të rrinin pa iu bashkuar demonstratave që u organizuan në këtë kohë. Me 1 Nëntor 1989, sapo filloi demonstrata në qendër të Prishtinës, ata u vunë në ballë të tyre. Para një mase prej afërsisht 12 mijë vetave, Afrimi mbajti një fjalim ku ndër të tjera tha…..
“Vëllëzër dhe motra, jemi tubuar këtu që me forcë të ngrejmë zërin kundër pushtuesve shovinist serbo-maqedono-malazez të cilët po ushtrojnë dhunë e terror të paparë mbi popullin tonë, të cilët vazhdojnë të mbajnë Kosovën tonë të shtrenjtë të okupuar e në pozitë koloniale…. Ka ardhur koha kur këtë zë duhet ta themi edhe më fuqishëm edhe më të organizuar . Andaj të tubohemi rreth Lëvizjes dhe kushtrimin e lirisë ta çojmë në çdo shtëpi shqiptare…”
Të nesërmen me 2 Nëntor Afrimi dhe Fahriu u gjenden të rrethuar nga forca të shumta të policisë pushtuese në lagjen e Kodrës së Diellit në Prishtinë.
Me dy armë që kishin ata fillojnë një luftë të pabarabartë me njësitë speciale të policisë pushtuese dhe për disa orë rresht luftuan e nuk u dhanë, derisa trupin e njomë të Afrimit njëzet e katër vjeçar e qëlluan dhe vranë me shtatë plumba, për të shuar jetën e Fahriut njëzet e gjashtë vjeçar nuk mjaftuan vetëm plumbat, por u përdorën edhe helmet kimike të luftës.
Rënia heroike e Afrimit dhe Fahriut mobilizoi mijëra veprimtarë dhe forcoi bindjen tonë se edhe më vendosmërisht do të angazhohemi në luftën çlirimtare.
Sakrifica, devotshmëria e veprimtarëve si Afrimi e Fahriu ishte uvertyrë e fazës së re të organizimit ushtarak. Me një fjalë, Afrimi e Fahriu ishin pararëndesit e Adem Jasharit e Zahir Pajazitit, Adrian Krasniqit e Luan Haradinajt, Ismet Jasharit, Indrit Carës, Tahir Sinanit si dhe gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndonëse ishin shumë të rinj në moshë, ata me punën e tyre të palodhshme drejt çlirimit të atdheut si dhe me aktin e tyre të rënies heroike morën pavdekësinë dhe populli ynë gjithmonë do t’i kujtoj me krenari dhe pietet…
34 vjet pas rënies së Afrimit dhe Fahriut aspirata për çka ata luftuan dhe u flijuan po ndërtohet…
Sot obelisku dhe përmendoret e Afrimit e Fahriut sikurse edhe obeliskët e shtatoret e heronjëve dhe dëshmorëve të tjerë, janë roje të lirisë dhe atdheut tonë.
Lavdi Jetës dhe veprës së heronjëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu !