Epopeja e UÇK-së u shënua edhe me aktivitete të përbashkëta sportive në mes ekipeve të FSK-së dhe FARSH-së

07 mars 2023 | 20:40

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në Kampin Nacional në Hajvali, u zhvillua ndeshja vëllazërore futbollistike ndërmjet ekipeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).

Me këtë rast të veçantë festiv, edhe përmes sportit u shënua “Epopeja e UÇK-së”, në kujtim të Jasharajve legjendarë dhe të gjithë të rënëve për lirinë e kombit dhe atdheut.

Në këtë aktivitet mori pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe zyrtarë dhe oficerë të shumtë.

Në këtë ndeshje, të pranishëm nga FARSH ishte komandanti Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade, Ilir Xhebexhiu, si dhe gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë.

Ndeshja në mes ekipeve përfaqësuese të të dy vendeve u zhvillua në atmosferë vëllazërore, përfundimi i së cilës u kurorëzua me ndarjen e kupave, medaljeve, dhuratave  dhe mirënjohjeve për më të mirët nga ana e Ministrit Mehaj, Gjeneral Jasharit e Gjeneral Xhebexhiut.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tetori i vitit 2021, rajonin e Llapit e tronditi një…