Eqrem Kryeziu tregon një bisedë që kishte pasur me Sabri Hamitin për Sejdiun dhe Mustafën
Ish-nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka publikuar një bisedë që kishte pasur me Sabri Hamitin në lidhje me Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën.
Kryeziu tregon se si Sabri Hamiti i kishte thënë atij se “Ti e solle Fatmirin në krye të LDK’së!”, derisa Kryeziu e pranonte këtë edhe nëse ishte akuzë, por gjithashtu ia kujtoi aso kohe Sabri Hamitit se “ishe ti ai që e solle Isa djalin në krye të LDK’së”.
Postimi i plotë i Kryeziut:
À propos
Sabri Hamiti
Perënduar atëbotë epoka e Fatmir Sejdiut në LDK dhe filluar tashmë periudha e Isa Mustafës, Sabri Hamiti më thotë, jo pa një dozë të fortë qortimi:
“Ti e solle Fatmirin në krye të LDK-së!”
“E pranoj sheshazi edhe po qe se është akuzë. Nga ana tjetër, duke qenë se ti e solle Isa djalin në krye të LDK-së, ka mbetë të shihet se kush do të jetë dështak më i madh.”
Papandehur Sabriu ngriu me një shikim të papërcaktuar në largësi. Dukej mirëfilli se kalkulonte në mendje për sa i fola, pastaj tha me një ton kategorik:
“Ja, vallaha, ja!”
Ishte një shprehje ultra lokale që do të thoshte se më privonte përgjithmonë të bëja krahasime të tilla.